Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica

Opinione: Terrorizmi në Kosovë dhe hajmalia e Bajram Rexhepit

  • 17/07/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 14.04.2012)

Një protestë njëorëshe në Prishtinë me të vetmen parullë STOP TERRORIZMIT, ku do të merrnin pjesë 200.000 qytetarë nga e gjithë Kosova, do ta parandalonte të keqen që po e pret Kosovën

Më 8 prill ndodhi një akt i rëndë terrorizmi në Kosovë. U vra me eksploziv të hedhur në banesën e tij ku po flinte me gruan e 4 fëmijët e tij qytetari i Kosovës, Selver Haradinaj. Akt brutal i terrorizmit klasik. Përkatësia etnike, fetare, politike, sociale e kulturore e viktimës nuk janë me rëndësi për momentin. Nuk është me rëndësi as përkatësia etnike e terroristit/terroristëve.

Në Kosovë ka terror dhe ai nuk dënohet

Fakti i përkatësisë së ndryshme etnike mes terroristëve dhe viktimave të tyre nuk e zbeh as nuk e rëndon fare këtë fenomen. Terrorizmi është terrorizëm dhe shoqëria duhet të zhvillojë mekanizma kundër tij.

Nesër, pasnesër, Kosova, si aleate e vogël e SHBA, mund të ndodhë të angazhojë forca sigurie në vatra krize. Në një situatë të tillë është e pritshme që qytetet dhe qytetarët e Kosovës të jenë target i sulmeve terroriste. Nuk është e thënë që terroristët të vijnë nga fundi i botës, ata mund të rekrutohen edhe nga mesi ynë, nëse shoqëria dhe shteti nuk ndërtojnë mekanizma mbrojtës.

Mekanizmat që u treguan në rastin e 8 prillit janë shumë shqetësues dhe e bëjnë Kosovën truall të përshtatshëm për terrorizëm.

Reagimet e institucioneve

Institucionet e Kosovës reaguan vetëm në mënyrë deklarative. Autorët mbetën të panjohur. Më e keqja është se institucionet nuk folën me një gjuhë, gjë që tregon konfuzitetin e shoqërisë kosovare.

Presidentja e konsideroi këtë si një “akt të dhunshëm”.

Qeveria e konsideroi si “akt kriminal e terrorist”. Kryetari i Parlamentit e quajti “akt kriminal dhe i shëmtuar“. Për ministrin e Brendshëm ky ishe një “sulm”. Për Policinë, ky ishte një “sulm ku nuk përjashtohen motivet etnike”.

Ja pra se si institucionet lëshohen në vlerësime pa pasur kurrfarë koordinimi mes vete, thua se nuk janë institucione të të njëjtit shtet.

Edhe partitë politike kosovare e cilësuan ndryshe-ndryshe, por të paktën në rastin e partive kjo është normale. AAK e cilësoi si “sulm kriminal”. Njësoj si AAK e cilësoi edhe LDK. Vetëvendosje e cilësoi si “një sulm terrorist dhe veprimtari të organizuar të strukturave kriminale të Beogradit”.

Sidoqoftë, “Vetëvendosja” ishte e vetmja që solli kurorë në varrin e Selver Haradinajt gjatë varrimit, ku morën pjesë fare pak qytetarë.

Këtë pjesëmarrje të vakët në varrimin e viktimës së terrorizmit në Kosovë ma sqaroi një biznesmen mitrovicas. E takova rastësisht dhe më ftoi për kafe. Jo se po shkoj në varrimin e Selver Haradinajt, eja shkojmë bashkë, i thashë. Nuk deshi. U interesova përse nuk vjen. I thashë që turp është që të na shohë kush në lokal e të mungojmë në varrimin e njeriut, vdekja e të cilit ka shqetësuar gjithë Kosovën.

Më tha se i dhimbset në shpirt ky fatkeq i ndershëm e i përvuajtur, por – tha biznesmeni mitrovicas – nuk guxoj ta rrezikoj biznesin, pasi pushteti nuk po ka dëshirë ta bëjë të madhe vdekjen e Selver Haradinajt. Nëse marr pjesë në varrim, më marrin inat më shumë se me dalë e me piskatë në kallaballëk “Poshtë Qeveria”, pasi pushteti s’po do me e ba të madhe këtë punë!

Arsyeja pse pushteti u mjaftua me ngushëllime familjes e me deklarata se e dënon këtë akt duket se ka të bëjë me rrenat e Qeverisë se aksioni i 25 korrikut 2011 “pati sukses” dhe se në kërkesat e banorëve të veriut për stacione shtesë të policisë, Bajram Rexhepi pat thënë se kush ka frikë le të shkojë te hoxha për hajmali.

Tani doli në shesh se siguria në veri të Mitrovicës nuk është askund, në vend se komandanti i Policisë dhe ministri i Brendshëm të japin dorëheqje apo të shkarkohen, duhet bërë e kundërta, duhet të injorohet tragjedia e familjes së Selver Haradinajt, e për këtë të mos i shkohet as edhe në ceremoninë e varrimit.

Injorimi i terrorizmit nuk e lufton, por e institucionalizon atë

Edhe sikur ky akt i terrorizmit të kishte ndodhur në Prishtinë, ku terroristi do të ishte shqiptar e viktima shqiptar, apo terroristi shqiptar e viktima serb, reagimi i shoqërisë duhet të jetë i ashpër.

Vrasja e Selverit është vërtet akt i rëndë terrorizmi, por akte më të lehta terrorizmi në Kosovë e Shqipëri ndodhin shpesh.

Akt terrorizmi është edhe kur e nget veturën 100 km/h në qytet, ku lejohet vetëm 20 km/h, pavarësisht a shkakton aksident të drejtpërdrejtë apo jo. Akt terrorist është edhe kur gjuan me armë zjarri në mes të pazarit.

Akte terroriste janë edhe ato në plazhin e Durrësit, kur rojat e përgjakin apo thyejnë gjymtyrët e ndonjërit, duke e goditur me shkopinj druri në sy të të gjithë plazhistëve. Edhe pse ndokush mund ta ketë merituar një dajak të tillë, pushuesit e pafajshëm nuk meritojnë të shohin skena të tilla.

Por, si duket, as ligjet e Kosovës as ato të Shqipërisë nuk i trajtojnë këto akte si terror, apo të paktën prokurorët e injorojnë këtë segment në hetimet e tyre.

Ideja për protestë të madhe në Prishtinë kundër terrorizmit

I habitur që pas terrorit te “Tre Rrokaqiejt” askush nuk organizoi protestë, asnjë parti politike, asnjë OJQ, asnjë bashkësi fetare, mora përsipër të organizoj një protestë njëorëshe në Prishtinë, me të vetmen parullë STOP TERRORIZMIT. Por, menjëherë hasa në probleme dhe u akuzova se po dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’u promovuar politikisht.

Pikërisht ky mentalitet është vrastar për vlerat morale të shoqërisë sonë. Çka ka lidhje se kush promovohet në akte qytetare?! Qytetarët duhet ta përkrahin apo jo, varësisht prej asaj se a është ai veprim në interes të shoqërisë apo jo dhe kush e bën atë dhe a ka dëshirë të promovohet politikisht apo jo.

Një protestë e tillë në Prishtinë, ku do të merrnin pjesë 200.000 qytetarë nga e gjithë Kosova, do ta parandalonte të keqen që po e pret Kosovën. Një protestë të tillë nuk mund ta organizojë vetëm një individ, OJQ apo parti, por shumë sish së bashku. Në të kundërtën, Kosovës nuk i mbetet gjë pos hajmalisë së Bajram Rexhepit.