Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica
OPINIONE: Intelektuali Spahiu dhe foshnjëria e kombit
- 13/07/2021
- By RTV Mitrovica
Shkruan: Blerim Gashani (Arkiv, 10 Korrik 2014)
Dy fjalë për librin më të ri të Nexhmedin Spahiut “Foshnjëria e Kombit Kosovar”
Pesë-gjashtë vjet më parë, kur po debatoja për konceptet e Nexhmedin Spahiut me një mik, ky më pat thënë se gjuha e Nexhit është e ashpër, e jashtëkohshme dhe e papranueshme. Atëherë (edhe sot mendoj ashtu) i pata thënë mikut se Nexhmedin Spahiu na e thotë të vërtetën para se ne të jemi të gatshëm ta dëgjojmë e madje shumë kohë përpara se të jemi të gatshëm ta pranojmë atë. Disa vjet kalojnë dhe pastaj kur konceptet e këtij publicisti gjejnë vend në trurin dhe zemrën tonë, ne tashmë kemi harruar tërë zhurmën dhe shtrëngatën që e kishim krijuar kur ai për herë të parë na i kishte thënë këto gjëra. Dhe ky është fati universal i intelektualit.
Në persiatjet e tij mbi intelektualin, Sartri diku përmend edhe cilësitë profetike të atyre që u ka rënë barra të kenë mbi vete aureolën e intelektualit. Intelektuali pra, duhet të jetë martir si profetët dhe largpamës dhe paralajmërues në shëmbëllim të tyre. Gjatë dy dekadave të shkuara, Nexhmedin Spahiu ka mbajtur mbi supe këto dy cilësi, që janë edhe mallkimi i tij. Të sakrifikosh rehatinë që të ofron jeta personale dhe të dalësh përpara për të mirën e përgjithshme është martirizim. Kjo për shkak se Nexhmedin Spahiu shumë më lehtë do të kalonte në jetë nëse nuk do t’i kishte dhe nëse nuk do t’i përcillte idetë e veta për identitetin, kombin, etninë, kulturën, shtetin dhe kombformimin. Dhe, kjo është shenjë e të qenit intelektual: ta shqelmosh e dërrmosh qetësinë e jetës tënde duke futur në të zhurmën e turmës dhe të elitave të qena e të paqena.
E dyta, dhe më e vështira, aftësia e Spahiut për t’u paraprirë proceseve dhe për të dhënë koncepte jo kompatibile me kohën në të cilën turma vegjeton, është mallkim i tij, po ashtu. Është ekspozim ndaj shfrimit pseudo-intelektual dhe vulgar që ka dy dekada vazhdon ta ketë cak publicistin. Edhe një herë, jeta e ekspertit Nexhmedin Spahiu do të ishte më e lehtë pa paraqitjet, shkrimet dhe debatet e tij publike. Por ai zgjodhi të vështirën duke na bindur prapë për jetën e tij intelektuale. Dhe të shkojmë më tej! Ardian Vehbiu thotë se intelektuali zakonisht flet për një çështje të caktuar, ndërsa eksperti zakonisht merret me të, shpesh intelektuali është ai që formulon pyetjet, ndërsa eksperti ai që ofron përgjigjet në lidhje me pyetjet. Nexhmedin Spahiu parashtron pyetjet dhe jep përgjigjet, duke ecur në mënyrë të vendosur edhe në terrenin e ekspertit. Dhe më tej, shumë njerëz me diploma të mëdha e akademikë që kanë futur kokën në rërë, si strucë, dhe nuk kanë guxim të dalin me qëndrime publike për çështje jetike, janë vetëm njerëz të arsimuar, intelektualë s’mund të bëhen. Qëmoti ia kanë lënë këtë mallkim Spahiut.
Kështu na paraqitet Nexhmedin Spahiu edhe në librin e tij të tetë “Foshnjëria e Kombit Kosovar”. Një përmbledhje e shkrimeve të tij gjatë viteve 2011-2012, më së miri na tregon për të dhe për ne. Nga perspektiva e sotme, duke e lexuar librin, ne do të shohim proceset, nëpër të cilat ka kaluar, po kalon dhe (pse jo), do të kalojë Kosova. Në një seri shkrimesh, që shpesh u paraprijnë proceseve, nga faza e inkubatorit, Nexhmedin Spahiu na dërgon në fazën e foshnjërisë së kombit kosovar. Po të shkojmë me radhë dhe të shohim se çfarë e dallon librin.
Ajo që të bie në sy së pari në librin më të ri të Spahiut, është zgjedhja e temave. Që në titull, që në fillim të çdo shkrimi Spahiu të godet. Të godet që të të zgjojë. Temat e tij janë në të njëjtën kohë origjinale dhe universale. Lexuesi s’ka se si të mos e gjykojë veten për arsyen pse nuk kishte menduar më parë për këto tema. Pra, zgjedhja e temave do t’ju ftojë të lexoni shkrimet, të lexoni tërë librin. Dhe, kjo lidhet edhe me të shkruarit në përgjithësi. Temat janë ato të cilat e bëjnë të përjetshëm një shkrues. Temat janë motivet e çmimeve të mëdha, sikur Nobeli, ta zëmë. Mund të kesh stil të përkryer dhe të shprehësh shumë rrjedhshëm, por nëse nuk e ke dhuntinë e gjetjes së temave goditëse, do të harrohesh menjëherë.
Tjetër gjë çfarë do të hasni gjatë leximit të librit “Foshnjëria e Kombit Kosovar” do të jetë thjeshtësia e të shkruarit. Thjeshtësi e rafinuar, thjeshtësi deri në perfeksion. Thjeshtësi që të tregon edhe një gjë: lehtësinë me të cilën autori merret me konceptet që lidhen me komb, etni, kombformim, gjuhë, kulturë, fe e të tjera. Tërë këto na ofrohen me një gjuhë të shkriftë e të kuptueshme. Dhe kjo na tregon edhe një herë se Nexhmedin Spahiu i njeh mirë këto fusha, prandaj ndjehet i sigurt gjatë ligjërimit. Dhe, vetëm siguria të lejon thjeshtësi. Dhe, më tej, vetëm thjeshtësia është thellësi.
Njohuritë e gjera dhe të thella të historisë janë pikat që lexuesi do t’i pikasë kur ta lexon librin dhe shkrimet në të. Ata që shkruajnë dhe janë aktivë sot në sferën publike në Kosovë (po edhe në Shqipëri, në një masë më të vogël dhe për një arsye krejt tjetër) vuajnë nga një mungesë e mjerueshme e dijeve për historinë. Për historinë si shkencë, jo për atë si program manipulativ dhe ideologjik. Te libri më i ri i Spahiut, edhe një herë, spikat erudicioni i autorit dhe kthjelltësia e vjeljes dhe përdorimit të dijeve shkencore të historisë. Edhe një herë, sikur gjatë dy dekadave të shkuara, këto dije, qëndrime e interpretime jepen me saktësi shkencore dhe guxim intelektual.
“Foshnjëria e Kombit Kosovar” është përmbledhje e shkrimeve të një autori që ka një ndjeshmëri të lartë për popullin e Kosovës. Sikur edhe në librat tjerë, Spahiu edhe këtu na tregon se ai e njeh mirë kosovarin, ia njeh identitetin, ia njeh shpirtin, ia njeh historinë, ia njeh vlerat, ia njeh dhembjen, dëshirat, shpresën. Duke qenë i këtillë, Spahiu nuk ka nevojë të merr përsipër koncepte filozofike botërore dhe pastaj të përpiqet që ta ndryshojë popullin tonë, në mënyrë që t’u përshtatet atyre teorive. Është e kundërta; Spahiu përpiqet që të ndryshojë elitat dhe të ofrojë teori që i përshtaten këtij populli, të cilit po i drejtohet. Ai nuk mbyllet në Kullën e Fildishtë dhe të akuzojë “të vegjlit” pse nuk po transformohen dhe nuk po e kuptojnë atë dhe konceptet e tij (në këtë sens, ai ka më shumë probleme me “elitën”). Dhe në këtë kuptim, është intelektuali më origjinal që kemi sot në Kosovë.
Përkundër frymës së turmës që na ka kapluar, përkundër klithjeve histerike të shpirtërave të trazuar dhe mediokërve, libri edhe një herë na tregon për dashurinë e Nexhmedin Spahiut për kombin shqiptar. Ai këtë nuk na e thotë sepse dashuria ndaj kombit është sikur qetësia – sapo ta përmendësh, zhduket. Mirëpo, ajo pulson në tërë shkrimet e këtij autori origjinal. Lexuesit që mund t’ju jenë mbushur veshët nga zhurmat kakofonike e pa përmbajtje, do të binden se Nexhmedin Spahiu e do kombin shqiptar. E do shumë sepse, në mes tjerash, e njeh mirë atë. Dhe, sikur ka thënë i urti, bëhu i ditur që të jesh i lirë, Spahiu është i lirë. I lirë ta dojë kombin e vet, në mënyrën e vet. Megjithatë, kjo s’do të thotë aspak që duke dashur kombin shqiptar, të mos e duam kombin kosovar, që sa ka dalë nga inkubatori dhe po bën hapat e parë. Për analogji, vëllezërit e duan njëri-tjetrin, po vjen koha e dalin secili në shtëpinë e vet dhe vazhdojnë të jetojnë, zhvillohen e prodhojnë vlera, tanimë nga dy njësi. (shih shkrimin “Kombi shqiptar nuk është zbehje, por është forcim i shqiptarizmës”, faqe 35)
Pasi ta lexojë këtë libër, lexuesi i kujdesshëm nuk do ta trajtojë Spahiun vetëm si autor, studiues dhe publicist. Para se gjithash, lexuesi do të fillojë ta trajtojë atë si zëdhënës. Si zëdhëns yni për gjithë ato që nuk na kanë rënë në mend si duhet. Zëdhënës i ideve që flejnë në dijen dhe ndërdijen tonë, por kurrë s’kemi ditur t’i shprehim. Në fund, por jo me më pak rëndësi, Nexhmedin Spahiu duhet të trajtohet si alarmues i ndërgjegjës sonë të fjetur.
Përfundimisht, edhe pas leximit të këtij libri dhe shkrimeve tjera të tij, ne mund të mos e duam Nexhmedin Spahiun, për arsyen e vetme se ai na tregon kush jemi. Ai na thotë të shihemi në pasqyrë, por pamja që është para nesh s’po na pëlqen. Megjithatë, së paku, ne duhet ta çmojmë atë dhe krejt atë që ai është dhe përfaqëson në publicistikën kosovare dhe me gjerë. Sepse:
Nexhmedin Spahiu nuk ka shumë nevojë për ne. Ne kemi nevojë për të dhe për librat e tij. Shumë!