Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica
Opinione: A do të ishte Nikoliqi më i butë se Tadiqi?
- 17/07/2021
- By RTV Mitrovica
Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 15.05.2012)
Epilogu i zgjedhjeve në Francë, në Greqi e në Serbi është sfidë për Kosovën. Pas këtyre rezultateve, amerikanët e kanë më problematike influencën e tyre në Francë e në Greqi, por, nëse Kosova bëhet më proaktive në politikën e jashtme, rezultatet e zgjedhjeve në Serbi japin hapësirë më të madhe
Në Francë humbi presidenti Nikolas Sarkozy, që ishte presidenti i parë i një vendi evropian që paralajmëroi lindjen e shtetit të Kosovës. Është presidenti i parë francez në republikën e fundit që nuk arriti të rizgjidhet. Rivali i tij, Francois Holland, paralajmëroi se do t’i rishikojë politikat evropiane të Francës. Kjo do të mund t’i komplikonte punë Kosovës në mënyrë indirekte, pasi Kosovës i leverdis që brenda BE-së të ketë sa më pak probleme. Në aspektin direkt, politika e Francës ndaj Kosovës është e pritshme të mbetet e pandryshuar.
Zgjedhjet në Greqi
Në Greqi, skena politike ndryshoi në mënyrë drastike. Lëvizja panhelenike socialiste, PASOK, e Evangelos Venizelos, që 3 vjet më parë kishte 160 deputetë në Parlament prej 300 vetave, ra në 129 deputetë. Kurse, Demokracia e Re e Antonis Samarasit po ashtu ra nga 91 deputetë në 72 deputetë. Vetëm Partia Komuniste Greke e Aleka Papariga’s mbeti aty ku ishte 3 vjet më parë me 21 deputetë. Partia Popullore Ortodokse e Yiorgos Karatzaferis u rrit nga 15 në 16 deputetë. Koalicioni i Majtistëve Radikalë, SYRIZA, e Alexis Tspiras nga 13 ra në 12 deputetë.
Në Parlamentin e ri grek janë 51 deputetë nga forca që nuk ishin më parë të përfaqësuar. Këtu janë 11 deputetë të ANEL-it të Panos Kammenos-it, 10 deputetë të së Majtës Demokratike të Fotis Kouvelisit, 8 deputetë të Marrëveshjes Sociale të Louka Katselit, 4 deputetë të Aleancës Demokratike të Dora Bakoyannisit si dhe 18 deputetë të pavarur.
Rezultati i zgjedhjeve në Greqi e vështirëson tej mase formimin e qeverisë duke rrezikuar kështu zgjedhje të reja dhe përmbysje të mëtutjeshme të raporteve politike të deritashme. Këto zhvillime e bëjnë më delikat raportin e Greqisë me BE dhe më të zbehtë influencën amerikane aty si aleati kryesor i Kosovës.
Situata jo e qëndrueshme në Greqi nuk është në interes të Kosovës. Politika e saj e deritashme ka shkuar në drejtim të përafrimit të njohjes. Situata jo e qëndrueshme nuk e lejon atë që të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm në këtë drejtim. Relacioni i saj me BE-në në këtë situatë prish punë akoma më shumë sa i përket Kosovës, sepse, siç thashë më lart, Kosovës i leverdis që BE të jetë sa më unike e sa më funksionale.
Zgjedhjet në Serbi
Me zgjedhjet e fundit në Serbi, skena politike ka rrëshqitur në drejtim të kundërt. Në parlamentin me 250 vende, partia më e madhe doli Partia Përparimtare e Tomisllav Nikoliqit me 55 deputetë, e pasuar nga Partia Demokratike e Boris Tadiqit me 49 deputetë, e kjo e fundit nga Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiqit me 25 deputetë.
Më pas doli Partia Demokratike e Serbisë e Vojisllav Koshtunicës me 21 deputetë, Partia Liberal Demokratike e Çedomir Jovanoviqit me 14 deputetë, Partia e Pensionistëve e Jovan Kërkobabiqit me 12 deputetë, G17 e Mllagjan Dinkiqit me 11 deputetë, Partia Socialdemokratike e Rasim Lajiqit me 9 deputetë, Serbia e Re e Velimir Iliqit me 8 deputetë, Serbia Unike e Dragan Markoviqit me 7 deputetë, Liga e Socialdemokratëve të Nenad Çanakut me 5 deputetë, Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës me po ashtu 5 deputetë, Lëvizja e Ripërtëritjes Serbe e Vuk Drashkoviqit me 4 deputetë, si dhe 10 forcat e tjera politike me nga 1 e 2 deputetë.
Jashtë Parlamentit të Serbisë mbeti Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit, që një kohë ishte partia më e madhe në Serbi. Tani, forca më e madhe ka dalë Partia e Nikoliqit që e tradhtoi Sheshelin dhe i mori pjesën më të madhe të partisë.
Me një konstelacion të tillë është vështirë e pritshme që partia më e madhe nga këto zgjedhje në Serbi të formojë qeverinë. Më e pritshme është që atë ta formojë partia e Tadiqit. Të tilla janë gjasat edhe sa i përket balotazhit, ku Tadiqi gëzon një epërsi minimale.
Është me interes të shqyrtohet se çfarë do të ndodhte në raport me Kosovën në rast se do të fitonte Nikoliqi. Duke u nisur nga fakti se Nikoliqi ka tradhtuar Sheshelin, dhe nga deklarata e Nikoliqit se rreth çështjes së Kosovës do të bisedonte me presidenten Atifete Jahjaga, mund të konstatojmë se Nikoliqi mund të rezultojë më i butë se Tadiqi, edhe pse në shikim të parë duket më radikal.
Tadiqi, sado që është perceptuar në Perëndim si proevropian, në esencë ka lëvizur shumë ngadalë nga qëndrimet e tij, duke u arsyetuar se e ka të vështirë nga opozita e tij radikale. Në rast se Nikoliqi do të zgjidhej president, atëherë Tadiqi si opozitë nuk do të mund të arsyetohej kësisoj. Për më tepër, në kompromiset e Nikoliqit, Tadiqi nuk do të mund të reagonte me kundërshtime, sepse Perëndimi do të mund t’ia përkujtonte atij marrëveshjet e fshehta me Hashim Thaçin.
Në anën tjetër, vetë fakti se Nikoliqi ka pranuar se do të bisedonte me presidenten e Kosovës, tregon se Nikoliqi do të shkonte shumë përtej Tadiqit. Derisa Tadiqi ka pranuar të bisedojë me kryeministrin e Kosovës, biseda me presidenten e Kosovës u jep karakter shumë më serioz këtyre bisedimeve.