Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica

Opinione: 100 vjetori i çlirimit të Shkupit

  • 17/07/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 17.08.2012)

Ashtu si George Bushi që shpalli pavarësinë e Kosovës, më 10 qershor 2007 në Tiranë, Hasan Prishtina e shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Parlamentin Osman në Stamboll, para se ajo të shpallej në Vlorë. Këtë deklaratë që Bekim Lumi e tha në TV Mitrovica, shqiptarët duhet ta mbajnë si vëth në vesh

Iku 12 gushti 2012, dita kur u mbushën 100 vjet që kur Shkupin e çliruan luftëtarët shqiptarë të prirë nga Hasan Prishtina. Kjo ngjarje u shënua vetëm nga dy institucione në mbarë hapësirën shqiptare: kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, me një iftar për nder të këtij përvjetori, dhe TV Mitrovica, me një debat dyorësh për këtë ngjarje. Kaq ishte, e tëra.

12 gushti 1912, apo 28 Nëntori 1912?

Nexhat Mitrovica (1912-2011), i biri i ish-kryeministrit shqiptar Rexhep Mitrovica (1887-1967), në letrën dërguar nga Parisi autorit të këtyre rreshtave, kur numëronte meritat e babës së vet, shumë më shumë krenohej se babai i tij është ndodhur në Shkup, në ditën e çlirimit të tij më 12 gusht 1912, sesa me faktin që babai i tij ishte njëri ndër nënshkruesit e pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur më 28 Nëntor 1912.

Eqrem Bej Vlora (1885-1964)

Po parafrazoj se çfarë thotë Eqrem Bej Vlora (1885-1964) për këtë ngjarje madhore të historisë: Nuk është evidencuar gjëkundi në historinë e përbotshme që ndonjë ushtri, sado e rregullt apo e çrregullt të jetë, të çlirojë apo të pushtojë një qytet të madh dhe aty të mos ndodhë asnjë dhunim, grabitje apo çfarëdo gjëje e pahijshme.

Kur më 12 gusht 2012 luftëtarët shqiptarë të prirë nga Hasan Prishtina (1873-1933), Bajram Curri (1862-1925), Isa Boletini (1864-1916), etj., u futën në Shkup, nuk ndodhi asnjë grabitje, asnjë dhunim dhe asnjë gjë e pahijshme. Fshatarë e malësorë të sfilitur nga lodhja e uria prisnin në radhë për të blerë në pazarin dhe dyqanet e Shkupit, me ato pak para çfarë kishin – shkruan Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij.

Në kujtimet e veta, Hasan Prishtina përmend që është pyetur nga një gazetar i huaj për këtë shëmbëlltyrë fisnikërie të luftëtarëve shqiptarë dhe se përgjigjja e tij ka qenë: “Kjo tregon se këtij populli i mungon vetëm një udhëheqje e duhur për të qenë në një rang me popujt e civilizuar”.

Natyrisht, nën Hasan Prishtinën, shqiptarët e kishin një udhëheqës të tillë që nuk e patën kurrë më në histori. Urtinë e Hasan Prishtinës do ta ketë disa dekada më vonë Ibrahim Rugova, por jo edhe dellin e tij komandues e luftarak.

A dështoi projekti i Hasan Prishtinës?

Projekti i Hasan Prishtinës, për arritjen e një autonomie kulturore e territoriale për 4 vilajetet shqiptare, të bashkuara në një të vetëm, si hap drejt pavarësisë së Shqipërisë, nuk u realizua. Arsyet jepen në vetë kujtimet e Hasan Prishtinës, të botuara 10 vjet më pas. Por, dështimi i një projekti nuk e bën të pavlerë atë në kuptimin historik. Jo çdo dështim i momentit është edhe huqje historike. Në politikë rol të madh luan edhe fati dhe rastësia, i cili mund të jetë herë në një anë e herë në anën tjetër. Me rëndësi për historinë është impakti i asaj ngjarjeje në rrjedhat e mëvonshme.

Projekti i Hasan Prishtinës dështoi për shkakun se Bullgaria, Serbia, Greqia e Mali i Zi, tashmë veç kishin të nënshkruar traktatin e fshehtë për sulm ndaj Perandorisë Osmane, ndërsa fuqitë evropiane me përjashtim të Austro-Hungarisë e Gjermanisë, kush me më pak rezerva e kush me entuziazëm të madh e kishin përkrahur këtë aleancë kundër Perandorisë Osmane.

Nga ana tjetër, ajo çfarë ishte më kryesorja, politikanët tjerë shqiptarë të kohës nuk e kishin largpamësinë e Hasan Prishtinës. Ata që u besatuan për kryengritje së bashku me Hasan Prishtinën në Kuvendin e Taksimit në Stambolll për një kryengritje të përgjithshme shqiptare (Ismail-Qemajl bej Vlora, Mufit Libohova, Aziz Vrioni, Syrja bej Vlora) nuk e mbajtën besën, nuk filluan kryengritjen. Ndërsa, liderët tjerë shqiptarë që iu bashkëngjitën Hasan Prishtinës nuk kishin nivelin e tij intelektual për ta përcjellë në gjithë hapat e tij.

Nëse më 1912 shqiptarët nuk mund ta kuptonin Hasan Prishtinën, kjo nuk do të thotë që të mos kuptojmë as sot pas 100 vjetësh

Kryengritja e organizuar prej Hasan Prishtinës pati për rezultat të drejtpërdrejtë shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Ky projekt përshpejtoi sulmin e Bullgarisë, Serbisë, Greqisë e Malit të Zi ndaj Perandorisë Osmane, rrjedhimisht ndaj tokave shqiptare, por ngriti pazarin e Shqipërisë në kancelaritë evropiane. Dëshmoi se shqiptarët e egër i ndan vetëm një hap i vogël nga qytetërimi modern. Çlirimi i Shkupit ishte dëshmia më e mirë për këtë. (Këtë strategji e përdori dekada më vonë Ibrahim Rugova kur me organizimin e institucioneve paralele të Kosovës i dëshmoi Perëndimit se Kosova mund të funksionojë si shtet nëse do të ndihmohet nga NATO).

Përshpejtimi i sulmit të aleatëve ballkanikë pati pasoja pozitive për Shqipërinë, ngase strategjia e tyre u detyrua të modifikohet. Kuptohet, pozitiviteti nuk qëndron në sulmin, por në përshpejtimin e tij, sepse ai do të ndodhte gjithsesi dhe plani final nuk parashihte kurrfarë shteti shqiptar. Sulmi i përshpejtuar nxiti Perandorinë Osmane, që njohjen e rezultateve të luftës ta bëjë me kushtin që të krijohet një shtet shqiptar me kufijtë që do t’ia përcaktojnë Fuqitë e Mëdha, siç na dëshmojnë kujtimet e princit Wilhelm Wied.

Kjo na dëshmon se sikur të mos ndodhte çlirimi i Shkupit, më 12 gusht 1912, nuk do të ndodhte as 28 Nëntori 1912, në Vlorë, apo edhe nëse do të ndodhte nuk do të prodhonte efekt.Prandaj, atë që Bekim Lumi e tha në TV Mitrovica, shqiptarët duhet ta mbajnë si vëth në vesh: Ashtu si George Bushi që shpalli pavarësinë e Kosovës më 10 qershor 2007 në Tiranë, Hasan Prishtina e shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Parlamentin Osman në Stamboll, para se ajo të shpallej në Vlorë.