Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica

Opinione: Pazari që Serbisë i kushton shtrenjtë

  • 16/07/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 29.03.2012)

Në qendër të Tiranës, 50 metra nga Sheshi “Skënderbej”, ndodhet një shtëpi e vjetër me oborr të madh. Aty është paraparë një pallat njëzetkatësh. Gjatë 2 dekadave të fundit pronari i shtëpisë i ka refuzuar të gjitha ofertat e investitorëve duke kërkuar më shumë se sa ata ishin në gjendje të ofronin. Edhe kur atij një investitor i ofroi 40 % të objektit njëzetkatësh, ai kërkoi 50 % të objektit.

Qytetarët e Tiranës që kishin pasuri të tilla qoftë edhe disa kilometra larg qendrës së Tiranës, duke pranuar oferta respektive arritën të bëhen milionerë duke shumëfishuar kësisoj pasurinë e trashëguar. Pronari i shtëpisë për të cilin po flas qe më se 20 vjet jeton në varfëri duke shitur fara, akullore e banane para derës së shtëpisë së tij, dhe nuk shijon gjithë atë pasuri të trashëguar.

Sa herë që shkoj në Tiranë dhe shoh këtë njeri, më kujtohet politika e Serbisë gjatë këtij çerekshekulli. Derisa Borko Stefanoviq po shkëlqen duke treguar superioritetin e vet diplomatik ndaj Edita Tahirit, Beogradi zyrtar, duke bërë pazar me Prishtinën e Brukselin, po e humb kohën e tij të çmuar. Kësisoj ai po e ngadalëson integrimin e tij në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Moslëshimi pe rreth statusit të Kosovës gjatë këtyre 12 vjetëve ka pasur deri diku efektin që Beogradi e ka synuar. Pavarësia e Kosovës është shpallur tek 8 vjet pas ndryshimeve demokratike në Serbi, ndërsa falë përkushtimit diplomatik enorm të Beogradit, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur akoma më shumë se gjysma e kombeve të botës.

Përvoja e deritanishme ka treguar se një politikë e tillë e Beogradit ka pasur sukses në ngadalësimin e këtij procesi po jo edhe në ndalimin e tij. Mbi të gjitha, numri i kombeve që po e njohin pavarësinë e Kosovës po shtohet me kalimin e kohës, ndërsa institucionet e Kosovës, përkundër shumë dobësive, me kalimin e kohës po forcohen.

Arsyetimi se me këtë politikë Serbia ka mundësuar mbetjen e serbëve në Kosovë nuk qëndron aspak. Numri më i madh i serbëve është kthyer në Kosovë, pikërisht atëherë kur përfaqësuesit e tyre janë inkuadruar në institucionet e Kosovës.

I vetmi argument i qëndrueshëm është fakti se për çdo shtet është e dhembshme ta pranojë humbjen e një territori. Por Serbia duhet ta kuptojë se zgjerimi i saj, në fillim të shekullit XX, prej Gjerdapit deri në Adriatik dhe prej Vardarit deri në Trigllav, nuk ka qenë vetëm rezultat i mençurisë dhe i sakrificës së serbëve por edhe rezultat i të ashtuquajturit fat historik. Rrjedhimisht, humbja e shumë territoreve në fund të shekullit XX nuk është vetëm rezultat i budallallëkut të politikanëve serbë por edhe i të ashtuquajturës fatkeqësi historike. Çdo fatkeqësi dhemb, por më lehtë kalojnë ata që kanë aftësi ta pranojnë fatkeqësinë se ata që nuk e kanë këtë aftësi.

Që nga lufta e vitit 1999, Kosova është territor i humbur për Serbinë, por shtetet moderne në shekullin XXI nuk varen vetëm nga territoret por edhe nga tregjet që kontrollojnë.

Pjesën më të madhe të tregut kosovar akoma e zënë produktet e Serbisë. Rezultat i asaj që Borko Stefanoviq po e mposht Edita Tahirin është që partia e Albin Kurtit po forcohet. Nëse Albin Kurti vjen në pushtet, Kosova do të jetë treg i humbur për Serbinë derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Dhe nëse e humb një treg është shumë e vështirë ta rifitosh atë.

Në interesat e Serbisë është që sa më parë ta “kthejë pllakën”. Kjo do të thotë që ajo t’i kthehet Perëndimit pa bërë pazare me të. Nëse Uashingtoni e Brukseli kërkojnë që Beogradi ta bëjë një hap në një drejtim, Beogradi të bëjë dy hapa dhe jo gjysmë hapi para e gjysmë hapi prapa. Kjo do të mundësonte përparim të shpejtë jo vetëm të Serbisë por të mbarë Ballkanit Perëndimor.

Nëse Serbia edhe më tutje vazhdon me qasjen e saj të vjetër të bërjes pazar me Perëndimin, duke kërkuar më shumë se Plani i Ahtisaarit për veriun e Kosovës, ajo ndoshta, edhe mund ta arrijë këtë.

Për më tepër, Serbia mundet që madje deri në çastin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, që nënkupton t’ua nxijë jetën qytetarëve të Kosovës, dhe ta shëmtojë shtetin e Kosovës ashtu siç tashmë e ka bërë Bosnjen e Hercegovinën, por shtohet pyetja, përse? Ku shpie kjo? A nuk është më e rrugës për Serbinë të jetë promotor jo vetëm i zhvillimit të vet por edhe i mbarë rajonit? Serbia do të mund të ishte e tillë për shkak të resurseve të saj natyrore e njerëzore, pozicionit të saj gjeopolitik dhe traditës shtetërore.

Pos kësaj, nëse Beogradi arrin të nxjerrë për veriun e Kosovës një status përtej Planit të Ahtisaarit, atëherë herë do kurdo do ta paguajë edhe vetë çmimin për këtë. Lugina e Preshevës, Sanxhaku i Novi Pazarit, Vojvodina apo pjesë të saj do të mund të kërkonin të njëjtin status si veriu i Kosovës apo edhe do të mund të cyteshin nga Perëndimi për ta fituar atë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”. Ky shkrim u botua si editorial në numrin e datës 28 Mars 2012 të gazetës më të madhe të Serbisë, “Danas”)