Gratë

Sulmet që mbajnë gratë larg jetës publike

  • 15/03/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Nga Majlinda Brahimi

Dymbëdhjetë vjet më parë, kur mori detyrën e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga nuk e kishte menduar se një prej sfidave me të cilat do të përballej ndërsa udhëhiqte shtetin më të ri në botë, do të ishte seksizmi në shumë fronte.

“Kur them se nuk ishte e lehtë, nuk e kam fjalën për vështirësinë e detyrës. Isha e përgatitur profesionalisht dhe psikologjikisht për sfidat e këtij pozicioni. Por, ajo për të cilën nuk isha gati ishte seksizmi i shprehur kundrejt meje nga pothuaj çdo entitet i shoqërisë”, rrëfen Jahjaga gjatë “FemFest”, mbajtur më 6 mars në Tiranë, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Ajo tregon se “debati që dominonte në diskursin publik ishte pamja e saj“.

Ish presidentja Afifete Jahjaga. Foto është marrë nga faqja zyrtare e zonjës Jahjaga në Facebook

 

“Në qendër të vëmendjes ishin këpucët, ngjyra e flokëve, madhësia e çantave dhe sigurisht, pesha. Sulmet seksiste ndaj meje janë shprehur në formë komentesh misogjene nga politikanë e politikane, në formë të mungesës së përkrahjes nga shoqëria civile, me një përjashtim, kur seksizmi manifestohej kundrejt meje, e madje edhe në formë grafitesh me siluetë gjysmë të zhveshur në mure të ndërtesave në qytetet e Kosovës, për të cilat nuk kishte thuajse fare reagime, përvecse nga Rrjeti i Grave të Kosovës”, tregon ish-presidentja e Kosovës.

Ndërsa kujton vitet e sfidës së saj si lidere e shtetit, Jahjaga vë në dukje se kritika konstruktive do ndihmonte atë për të përmirësuar kualitetin e punës dhe shërbimin ndaj vendit e qytetarëve. Por, komentet për peshën apo gjatësinë e flokëve nuk ndihmojnë në këtë drejtim.

“Më vjen shumë keq që 12 vite pas marrjes sime të mandatit, gjërat s‘kanë ndryshuar aspak“, thekson Jahjaga.

Në Kosovë, nuk janë të rralla rastet kur gratë në jetën publike shënjestrohen nga gjuha seksiste e mizogjene, sikurse nuk përjashtohen as rastet e dezinformimit dhe shpifjes ndaj tyre. Fushatat e tilla denigruese ndaj grave nuk janë të dëmshme vetëm për protagonistet e këtyre ngjarjeve por konsiderohen si një tentativë për të dekurajuar gratë që aspirojnë të jenë pjesë e jëtës publike në përgjithësi. Pjesë të madhe të përgjegjësisë në rritje të këtij fenomeni e kanë edhe mediat, nëpërmjet të cilave mizogjinia “bartet” në opinion.

Një raport i NDI publikuar në korrik të vitit 2022, vë në dukje se mizogjinia është sfidë e veçantë në mjedisin mediatik në Kosovë. Raporti monitoroi median në një periudhë dyvjeçare dhe gjeti se “gratë ishin shpesh shënjestër i gjuhës së njëanshme, seksiste ose të manipuluar“. Sipas këtij raporti, një gjuhë e tillë ishte përdorur në median tradicionale dhe sociale të vendit, shpesh pa u identifikuar.

Raporti konfirmon atë që ish-presidentja Jahjaga rrëfen lidhur me përvojën e saj. “Gratë në poste drejtuese iu nënshtruan sulmeve verbale për pozicionet e tyre politike, paraqitjet e tyre dhe gjithashtu ishin subjekt i gjuhës seksiste. Pjesa më e madhe e gjuhës së vëzhguar përbën dhunë në internet kundër grave në politikë“, thekson raporti.

Hulumtimi i NDI-së zbuloi se ndikimi i kësaj dhune në internet ka një efekt rrëqethës në ambiciet politike dhe angazhimin e grave dhe vajzave, duke ulur përfshirjen e tyre në politikë dhe jetën publike.

Duke folur për seksizmin në politikë ish-presidentja Jahjaga tha se “ai është aq prezent dhe i përbrendësuar në sistem, saqë është i normalizuar dhe kjo është më e keqja. Atë e gjejmë brenda partive politike, në parlament, në analiza të ekspertëve, e në media“.

Fushata zgjedhore penalizojnë gratë

Një monitorim të portaleve dhe rrjeteve sociale në periudhën shtator 2021 – qershor 2022 e kishte bërë edhe Organizata Demokraci për Zhvillim (D4D). Në raportin e publikuar në shtator 2022, flitet për gjuhën e ashpër dhe dhunën online ndaj grave në politikë që sipas raportit është më e theksuar gjatë fushatave zgjedhore. “Piku i mizogjinisë dhe dhunës online ndaj grave në politikë u arrit përgjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale dhe garës për balotazh të mbajtura në shtator dhe nëntor të vitit 2021,” thekson raporti.

Organizata ka analizuar edhe përmbajtjen e postimeve dhe komenteve në Facebook gjatë fushatës zgjedhore. “Rezultatet tregojnë se shumica dërmuese ose afër 70 përqind e tyre ishin komente negative ose me përmbajtje të gjuhës mizogjene ndaj grave kandidate, ndërsa vetëm pak më shumë se 30 përqind ishin komente pozitive.”

Nën lupën e paragjykimit

“Po frikësohem që ky fenomen ka fillu me u standardizu në Kosovë,” tha Valdete Idrizi, aktualisht drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Mitrovicës. Ajo shtoi se pa dallim partish politike, gratë gjithmonë shikohen në llupë.

Teksa komenton mbi gjuhën denigruese ndaj grave në jetën publike ajo solli në kujtesë edhe ngjarjet që tha se i përjetoi edhe vet “në lëkurë.”

E rëndë ishte ajo periudhë për aktivisten disavjeçare të shoqërisë civile që atë vit vendosi t’i futej politikës. Në zgjedhjet lokale të 2017-ës, Valdete Idrizi u bë gruaja e parë kandidate për kryetare të komunës në historinë e qytetit të Mitrovicës.

“Kukulla e Kadrisë”, “lesbike”, “ajo është kundër grave me shami”, “është ndarë nga burri”, ishin vetëm disa nga fjalët që Idrizi tha se qarkulluan në portale gjatë kohës së fushatës.

 

“Ka pasë portale që kanë shkru, i kanë citu edhe kandidatët tivalë që “është bërë kukulla e Kadrisë”(ish-kryetari i PDK-së), jo njëherë po shumë herë, dhe kjo ka qenë e rëndë” tha Idrizi. “Ka qenë një fushatë për mua që (kinse) unë jam kundër shamive, grave me shami (mbulesë), që absolutisht nuk qëndron. Kjo i ka nxitur njerëzit të më ndalin në rrugë duke pyetur me gjuhë shumë të ashpër, “kush je ti që i përjashton gratë?

Valdete Idrizi, Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës

 

“Vetëm u thosha si prisni një aktivisteje shumë vjeçare e të drejtave të njeriut, me ia cënu dikujt të drejtën si me u veshë? Ka qenë shumë e rëndë,” kujton ajo.

“Më vonë pati lajme se unë jam lesbike, ka qenë një një artikull që theksonte se “kjo i takon komunitetit LGBT”. Edhe natyrisht kjo ty të shkakton problem, sepse një grup i caktuar nuk shkon me e vërtetu lajmin,” tha Idrizi.

“Por nëse pyesim a të ka dëmtu kjo gjë, po më ka dëmtu absolutisht,” thotë Idrizi. Ajo shton se kjo ka qenë e qëllimshme dhe një luftë aspak e drejtë e burrave ndaj një gruaje që pretendon me qenë e para e komunës.

”Përveçse nuk është e ndershme, nuk është etike dhe nuk është e drejtë, mund të them që është i shëmtuar ky fenomen, që nuk e përbën vetëm gjuhën e urrejtjes por kjo kalon edhe më tej, sepse gjuha nxit grupe të caktune në një fushatë ndaj një personi të caktuar, e kryesisht grave,” shtoi ajo.

Lufta ndaj grave në jetën publike

Gjuha denigruese, seksizmi dhe mizogjinia nuk shënjestron vetëm gratë në politikë. Ajo është mjaft e theksuar ndaj grave në çdo fushë të jetës e sidomos ndaj grave aktiviste.

Aktivistja dhe ekspertja gjinore, Shqipe Gjocaj, thekson se “rolet tradicionale gjinore kërkojnë nga gratë që të mos shprehen, të mos kenë zë, dhe të mos kenë qëndrime politike”.


Shqipe Gjocaj, specialiste gjinore dhe aktiviste feministe

 

“Kur gratë i shpërfillin këto role gjinore dhe okupojnë hapësirë publike, sulmet dhe denigrimi pason lehtë. Gratë janë target për fyerje, përqeshje dhe diskreditim. Ndaj tyre, sidomos grave që janë të zëshme në hapësira publike, sikurse politikanet, aktivistet, gazetaret, etj, praktikohen edhe fushata dezinformimi,” thekson Gjocaj.

Aktivistja nga Mitrovica, Neri Ferizi shpreh shqetësimin se institucionet ligjzbatuese nuk po i trajtojnë këto raste.

“Në një rast kur kemi protestu përmes grafiteve, nuk kam qenë pjesë e shkrimit të grafiteve por i kam përkrahë dhe mbrojtë aktivistet feministe, me kujtohet një lider religjioz ku na quante të degjeneruara publikisht, duke komentuar në profilin tim,” thekson ajo.


Neri Ferizi, aktiviste

 

“Duket patur parasysh se këta liderë kanë shumë mbështetës, ka qenë goxha problematike pasi një pjesë e këtyre mbështetësve filluan të më shkruanin privatisht duke më akuzuar dhe duke më vënë epitete të ndryshme,” shtoi Ferizi.

Qëllimi i fushatave dezinformuese ndaj grave është që t’i dekurajojnë ato nga jeta publike tha aktivistja Shqipe Gjocaj. “T’i dekurajojnë ato që ta ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm, ta përdorin zërin dhe t’i shprehin qëndrimet profesionale apo politike,” shtoi Gjocaj.

Valdete Idrizi vë në dukje se “ka gra që kanë potencial të jashtëzakonshëm dhe ambicje, por frika prej këtyre sulmeve që u bëhen ekskluzivisht grave i dekurajon ato me i marrë pozitat që u takojnë faktikisht me e ushtru të drejtën e tyre apo një mundësi që u ofrohet”.

E humbur në këtë mes, është shoqëria e cila humbet përspektivën e një gruaje dhe mundësinë që një potencial i tillë të përdoret për ta  çuar përpara atë.

 

Ky material u realizua në kuadër të projektit “Media for All”