TV Mitrovica

Policia e Kosovës paralajmëron për mesazhe SMS mashtruese lidhur me gjobat në trafik

  • 07/01/2026
  • By RTV Mitrovica
Policia e Kosovës
Share

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët për një fushatë mashtruese që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS, të cilat në mënyrë të rreme pretendojnë se janë dërguar nga të ashtuquajturat “Autoritetet e Trafikut të Kosovës”.

Sipas Policisë, këto mesazhe përmbajnë linqe mashtruese, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët dhe të përfitojnë nga dhënia e të dhënave personale apo bankare. Policia e Kosovës thekson se nuk ka dërguar asnjë mesazh të tillë dhe se këto njoftime janë plotësisht të rreme.

Në këtë drejtim, Policia u bën thirrje qytetarëve që:

të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë;

të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare;

të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve;

t’i fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese;

në rast se kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, të kontaktojnë menjëherë bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës, si dhe ta raportojnë rastin në stacionin policor më të afërt.