Mitrovica sot
Betohet kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës z.Faton Peci
- 12/12/2025
- By RTV Mitrovica
Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” sot është mbajtur mbledhja inauguruese, në të cilën z. Faton Peci dha betimin dhe mori zyrtarisht detyrën e Kryetarit të Komunës së Mitrovicës.
Mbledhjen e udhëhoqi anëtari më i vjetër i Kuvendit, z.Naser Muja, nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë seancë u bë betimi solemn i 30 anëtarëve të Kuvendit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.

Pasi bëri betimin, para anëtarëve të Kuvendit, kryetari Peci, tha se është mirënjohës për besimin që iu është dhënë përgjegjësia më e madhe që njeriu mund ta marr nga qyteti i tij.
“Mitrovica ky qytet i historisë, krenarisë, rezistencës, vuajtjes, durimit e mosdorëzimit dhe ku çdo kalldrëm është i larë me gjak këtë vit ka bërë për mua maksimumin e mundshëm, prandaj përgjegjësia për mua është tepër e lartë. Nga sot dera ime është e hapur për secilin pa dallim me apo pa protokoll”, është shprehur kryetari z.Peci.

Peci, ka shtuar se do të punoj me ndershmëri, me zemër, me durim e me drejtësi. “Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë por është edhe zemra e Kosovës”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Ai sot pranoi edhe zyrtarisht detyren e kryetarit nga ai i deritanishmi, Bedri Hamza.
Faton Peci u zgjodh kryetar i komunës së Mitrovicës në zgjedhjet e balotazhit më 12 Nëntor 2025.