Kulture

Poeti Lulzim Tafa dekorohet me titullin “Oficer i Letrave dhe Arteve” nga Presidenti Macron

  • 25/11/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, njëherësh një ndër poetët kosovar më të njohur në botë, është dekoruar nga shteti francez me titullin “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve”.

Kjo dekoratë është më e larta në fushën e artit dhe letërsisë nga Franca, ndërsa është edhe dekoratat më e lartë të cilën e ka marrë deri tani ndonjë shkrimtar nga Kosova.

Ceremonia e dekorimit u zhvillua në Ambasadën e Francës në Prishtinë, ku ambasadori Olivier Guérot, në emër të presidentit të Francës, Emanuel Macron, i dorëzoi poetit dhe profesorit, Lulzim Tafa, titullin “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve”.

Ambasadori Guérot, në fjalën e tij, përgëzoi rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Tafës, duke thënë: “Kombinimi i identitetit profesional të Lulzim Tafës, si poet dhe profesor, është një përzierje e jashtëzakonshme që ndërthur racionalitetin me një ndjeshmëri të thellë. Arritjet e tij akademike në fushën e së drejtës penale, krahas kontributeve të tij në kulturë, ilustron më së miri përkushtimin dhe talentin e tij të shumanshëm”.

”I nderuar zoti Tafa, si shumë nga bashkëqytetarët tuaj, lufta ju goditi fort, duke ju shkatërruar shtëpinë, duke shkatërruar bibliotekën tuaj me librat dhe fotografitë e saj, si dhe të gjitha 300 poezitë e shkruara me dorë. Me durimin, këmbënguljen dhe besimin në njerëzim, ju keni gjetur forcën përsëri dhe keni vazhduar punën, duke botuar vepra të shumta shkencore dhe letrare”, tha ambasadori Guérot.

Ai përmendi se janë të shumta Çmimet Ndërkombëtar për Letërsi, të cilat i ka marrë poeti Tafa, si dhe puna e këtij të fundit që është përkthyer në shumë gjuhë, si në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, serbisht, kroatisht, gjuhën malazeze, boshnjakisht, rumanisht, arabisht, greqisht, turqisht, suedisht, etj.

Duke reflektuar për nderimin që i është bërë, poeti dhe profesori Lulzim Tafa shprehu mirënjohjen e tij, ku theksoi se është thellësisht i nderuar që e merr këtë dekoratë prestigjioze, duke shprehur respektin e tij më të lartë për kombin francez, presidentin Macron dhe Ambasadën e Republikës së Francës në Kosovë.

“Kjo njohje ka një rëndësi të madhe për artin dhe letërsinë franceze, një sferë që unë e admiroj thellësisht, veçanërisht poezinë, ku qartësia dhe pastërtia e shprehjes janë shenja dalluese të shkrimtarëve francezë. Vetëm një shpirt i madh, si ai i kombit francez, di të respektojë dhe nderojë kombet e vogla, të nderojë letërsinë e kombeve të vogla si dhe poetët e tyre. Mua më pëlqen letërsia franceze, veçanërisht poezia. Letërsia, si çdo gjë tjetër, po zhvillohet çdo ditë. Por kam besim se letërsia franceze do të rezistojë në çdo kohë, siç shkruajnë me qartësi dhe pastërti shkrimtarët francezë. Kjo e bën unike edhe letërsinë franceze”, tha poeti Tafa.

Ai tha se edhe si rektori Kolegjit AAB, është mirënjohës për bashkëpunimin e madh me Ambasadën e Francës në Kosovë.

Poeti Tafa shtoi se nderime të tilla si ky nder i madh që e mori sot nuk e bëjnë atë një shkrimtar më të madh apo më të rëndësishëm, por e bëjnë më të sigurt në punën e tij krijuese.

“Besimi për një poet ka një rëndësi të madhe, veçanërisht kur kjo vjen nga Franca, djepi i kulturës së kontinentit tonë. Unë besoj në fuqinë e poezisë. Gjatë gjithë jetës sime si krijues, kam marrë shumë nderime dhe dekorata, ku nderimet e mia më të fundit janë nga Ukraina. Aty jam nderuar nga Akademia dhe Patriarku i Shenjtë, si dhe nga organizatat e shkrimtarëve. Më nderuan sepse u përpoqa ta ndaloja atë luftë edhe para se të fillonte, me poezi. A mund ta imagjinoni se sa larg mund të shkojë imagjinata e poetit? Një poet nuk ka kurrë problem me imagjinatën. Një poet ka problem me realitetin. Dhe ky realitet nuk është ai që e donim”, u shpreh poeti Tafa.

Ai tha se ky nder që iu bë nga Faranca, i jep edhe më shumë motivim që ta vazhdojë punën e tij krijuese.

“Si poet, do të përpiqem që vargjet e mia t’i shërbejnë lexuesit për kënaqësi shpirtërore, ndërsa si jurist, profesor dhe drejtues, do të punoj që vendin tonë ta bëjmë më të jetueshëm, sepse e kemi detyrim ndaj brezave që vijnë. Ne duhet të kujdesemi për të krijuar më të mirën e humbur, jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët, eko-sistemin dhe të gjitha krijesat e planetit tonë”, tha poeti Tafa.

Në ceremoninë e ndarjes së titullit “Oficer i urdhrit kombëtar të letrave dhe arteve” për poetin dhe profesorin Lulzim Tafa që u zhvillua në Ambasadën e Francës në Prishtinë, morën pjesë edhe shumë personalitete të njohura, ndër ta edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, PEN Qendra e Kosovës e ka uruar Lulzim Tafën për marrjen e këtij çmimi prestigjioz dhe e ka falënderuar Francën për përzgjedhjen e anëtarit të PEN Qendrës për dhënien e kësaj dekorate.

PEN Qendra e falënderoi Lulzim Tafën për kontributin që ka dhënë në këtë Asociacion dhe i dëshiron edhe shumë çmime e dekorata të tjera në fushën e artit në të cilën ai shquhet-poezi.