Lajme

Peci mban takimin e parë të Bordit të Drejtorëve, përcaktohen prioritetet për gjashtëmujorin e parë

  • 19/01/2026
  • By RTV Mitrovica
Bordi i Drejtoreve
Share

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, së bashku me nënkryetarin Enis Ormani, kanë mbajtur sot takimin e parë të Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar prioritetet kryesore të qeverisjes komunale.

Gjatë takimit, kryetari Peci u uroi drejtorëve detyrën e re dhe kërkoi angazhim të menjëhershëm në punë, duke theksuar se secila drejtori duhet të evidentojë gjendjen aktuale dhe të përcaktojë tri prioritete kryesore, në funksion të rezultateve konkrete për qytetarët.

Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicës, kryetari Peci ka theksuar rëndësinë e rritjes së efikasitetit dhe transparencës institucionale, si dhe qasjen e barabartë për të gjithë qytetarët, duke e vendosur shërbimin ndaj qytetarit në qendër të qeverisjes lokale.

Në kuadër të diskutimeve janë identifikuar disa çështje prioritare për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përfshirë: rregullimin e komunikacionit, lirimin e trotuareve nga parkimi i parregullt, trajtimin e qenve endacakë, ndërtimin e tregut, hartimin e Strategjisë Zhvillimore për Mitrovicën me fokus në Shalën e Bajgorës, si dhe lirimin e hapësirave komunale nga uzurpimet.

Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe për projektet kapitale dhe investimet konkrete që pritet të realizohen gjatë periudhës së ardhshme.

Kryetari Peci ka theksuar se qeverisja komunale synon vendosjen e rendit, rregullit, ligjshmërisë dhe meritokracisë, përmes institucioneve funksionale dhe profesionale, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet drejtorive për realizimin e objektivave zhvillimore të Komunës së Mitrovicës.