Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica

Opinione: Ra Republika e Thaçit, mbetet Republika e Bushit

  • 16/07/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 29.03.2012)

Kosova me fusnotë e pa emrin Republikë do të përfaqësohet në nismat rajonale e ndërkombëtare. Ky është rezultat i kompromisit në dialogun me Beogradin. Kjo nuk do të dukej aq tragjike sikur shpallja e pavarësisë të mos ishte bërë me aq pompozitet.

Vetëm për kremtime në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe kremtimet e 4 përvjetorëve të kësaj date u shpenzuan miliona euro të buxhetit të varfër të Kosovës.

Për këto 4 vjet u nxitua që të shtypen edhe tekste të reja shkollore për lëndën e historisë në shkolla fillore e të mesme, ku u shtua edhe leksioni për Hashim Thaçin, si personaliteti që shpalli pavarësinë e Kosovës.

Vallë, a do të shtohet në këto tekste shkollore të historisë edhe leksioni se si i njëjti Hashim Thaçi u detyrua të bëjë kompromis me emrin Republikë?

Ja se çfarë pata shkruar në gazetën “Epoka e re” (11.02.2008):

“Një milion euro me mirë për veriun e Kosovës sesa për festën e Pavarësisë

– Banorët shqiptarë të veriut të Kosovës presin shpalljen e pavarësisë së Kosovës me shqetësim e ankth, por edhe me shpresën e ndrydhur se ndoshta më në fund do të bëhet mirë.

– 10 qershori është datë më e rëndësishme për Kosovën se 17 apo 18 shkurti. Sepse më 10 qershor, presidenti amerikan George Bush deklaroi se Kosova do të jetë e pavarur.

Mos ke frikë komshi, asgjë nuk do t’ju ndodhë më 17 shkurt, do të jetoni më mirë sesa në pjesën jugore. Këto ishin fjalët që një banor serb i veriut të Mitrovicës po i drejtohej fqinjit të vet shqiptar nga Kodra e Minatorëve.

Në kohën kur pjesa më e madhe e Kosovës po i vë shënjestrën qengjit, deles, viçit apo të paktën pulës për ta bërë kurban festiv për ditën e pavarësisë së Kosovës, banorët shqiptarë të veriut të Kosovës presin me shqetësim e ankth, por edhe me shpresën e ndrydhur se ndoshta më në fund do të bëhet mirë. Por, sado e madhe të jetë kjo shpresë, frika e përsëritjes së shkurtit të vitit 2000, ku MUP-ovcat serbë vranë 14 shqiptarë, turq e boshnjakë dhe ku u plagosën disa dhjetëra të tjerë i bën që gjëja e fundit që u bie ndër mend të jetë festimi i shpalljes së pavarësisë.

Shqetësimi i tyre është se si t’i largojnë fëmijët, e gjërat me vlerë në jug dhe atë jo në jug të Mitrovicës sa më thellë, tek të afërmit në Drenicë, Dukagjin, Prishtinë apo Novi Pazar e Senicë. Dhe, shih ironinë: në vend se të shpenzojë buxhet për t’ua larguar frikën qytetarëve të vet (me bazë apo pa bazë, por që është prezente), shteti që po lind ndau 1 milion euro për të festuar.

Pse duhet festuar lindjen e shtetit-foshnjë?

A nuk do të ishte më e arsyeshme që vëmendja të përqendrohet që kjo foshnjë-shtet të lindë i shëndetshëm e i mbarë dhe të festohet vetëm atëherë kur të mbushen përvjetorët që ky shtet të jetë njohur nga OKB.

Kur jemi te dita që duhet të festohet si ditë kombëtare e Kosovës, apo si ditë e pavarësisë së saj, atëherë sigurisht që kjo ditë duhet të jetë 10 qershori dhe jo dita kur do ta bëjë shpalljen Parlamenti i Kosovës.

Përse 10 qershori është datë më e rëndësishme për Kosovën se 17 apo 18 shkurti, kur po pritet të shpallet pavarësia e Kosovës? Sepse më 10 qershor presidenti amerikan George Bush deklaroi se Kosova do të jetë e pavarur. Prej këtij momenti, dita kur Kosova do të njihej nga SHBA si e pavarur ishte çështje teknike e gjetjes së oportunitetit politik për këtë akt. Plus që 10 qershori është ditë historike për Kosovën si ditë e Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe ditë kur Serbia kapitulloi në Kosovë (1999).

Rëndësia e deklaratës së Bushit e 10 qershorit 2007, nuk e humb krejtësisht rëndësinë e ditës kur Parlamenti i Kosovës do ta shpallë pavarësinë e Kosovës. Por, sado e rëndësishme të jetë kjo datë nuk ka asnjë arsye për t’u festuar tani. 1 milion euro për manifestime festive do të ishte më e ndershme t’u jepen banorëve shqiptarë të veriut të Mitrovicës, që t’u rindërtohen shtëpitë e rrënuara, dhe të investohet në sigurinë e tyre. Në të kundërtën, investimi për të festuar në ditën kur shpallet pavarësia e Kosovës e bën atë t’i ngjajë një feste boshe si ajo kur PSSP Michael Steiner shpalli ‘bashkimin’ e Mitrovicës”.

Kjo ishte ajo çfarë pata shkruar një javë para se të shpallej pavarësia e Kosovës.

Për neve, që shqetësimi për të ardhmen e Kosovës nuk na lejonte të festonim më 17 shkurt 2008, kompromisi i arritur më 22.02.2012 nuk është edhe aq shqetësues. Neve që e dinim se Hashimi vetëm po recitonte një letër që dikush tjetër ia kishte hartuar dhe një tjetër ia kishte përkthyer, nuk është zhgënjyese që tani Hashimi i ha fjalët e veta.

Nuk është faji i ambasadorit Dell, që qytetarët e Kosovës janë aq shumë të trishtuar këtyre ditëve. Ka qenë faji i ambasadores Tina Kaidanov, që ka lejuar ekstazën e kosovarëve më 17 shkurt 2008. Pra, që ka lejuar që kosovarët të bëjnë hop pa e kapërcyer gardhin.

Por, Kosova një ditë do ta kapërcejë gardhin. Premtimi i George Bushit në Tiranë, se Kosova një ditë do të jetë e pavarur, do të bëhet realitet, sepse është një projekt serioz. Gëzimi i 17 shkurtit 2008, u shndërrua në pikëllim më 22 shkurt 2012. Por, ata që festuan më 10 qershor 2007, ata që e kuptojnë se një komb i ri po ndërtohet hap pas hapi, dhe se ky komb po e forcon shtetin e vet çdo ditë e më shumë, do të festojnë çdo vit dhe atë secilin vit më shumë se në vitin paraprak.

Rroftë 10 qershori – dita kombëtare e Kosovës.