Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica
Opinione: Paradokset e Kosovës
- 17/07/2021
- By RTV Mitrovica
Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 13.07.2012)
Kosova është vend i paradokseve. Secili paradoks paraqet një realitet të hidhur, por të gjithë së bashku tregojnë fytyrën e vërtetë të Kosovës
Paradokset në fushën e politikës
Në çdo vend ku demokracia nuk ka lëshuar rrënjë, pushteti rrah opozitën, në Kosovë opozita rrah pushtetin.
Në çdo vend ku demokracia nuk ka lëshuar rrënjë, kryeministri kërcënon me burg liderin e opozitës, në Kosovë njëri prej liderëve të opozitës kërcënon kryeministrin me burg.
Kosova është vend i stërmbushur me bërllok, shefi i SHIK-ut merr edhe ca thasë me bërllok nga zyrat e Tadiqit e Koshtunicës në Beograd e i sjell në Kosovë.
Gjithkund në botë për ta marrë një post publik duhet të jesh i njohur në opinion, në Kosovë për të të emëruar në ndonjë post publik duhet që të mos njohin, e posaçërisht nëse dëshiron të jesh president i vendit.
Paradokset në fushën e patriotizmit
Liderët politikë të Kosovës mohojnë që ekziston kombi kosovar e në anën tjetër kërkojnë që të na pranojnë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Liderët politikë të Kosovës mohojnë që ka komb kosovar e në anën tjetër mburrën se po ndërtojnë marrëdhënie të shëndosha ndërkombëtare.
Artistët kosovarë mohojnë që ka komb kosovar, por mburren se kemi Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
Shkrimtarët kosovarë thonë nuk mund të ketë komb kosovar por mburren se kemi Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
Shkencëtarët kosovarë “dokumentojnë shkencërisht” se nuk ka komb kosovar por institutet e tyre i vetëquajnë institute kombëtare.
Dy televizione të Kosovës lëre që mohojnë ekzistencën e kombit kosovar, por vështirë që lejojnë që në programet e tyre të zhvillohet qoftë edhe debat nëse ekziston apo jo kombi kosovar, por në anë tjetër pranojnë licencë ku konsiderohen televizione kombëtare e madje veten e quajnë me mburrje televizione kombëtare.
Gazeta e vetme në Kosovë që ka mbishkrimin “Gazetë kombëtare” është gazeta “Bota Sot”. Pikërisht kjo gazetë zhvillon betejën më të madhe kundër idesë së kombit kosovar.
Paradokset në fushën e moralit
Në çdo vend normal të botës i lavdërojnë punëtorët e i shajnë papunëtorët, në Kosovë ndodh e kundërta: Punëtorët edhe mund të dënohen me burg, e papunëtorët të shpërblehen.
Çdo vend në botë që pretendon të jetë i civilizuar kujdeset për lumenjtë, e madje atje ku s’kanë lumenj, krijojnë edhe lumenj artificialë, në Kosovë lumenjtë mbulohen me beton, e ndodh që (si në Mitrovicë) të bëhet lumë artificial mbi lumin e mbuluar me beton.
Në qytete të botës që pretendojnë të jenë të civilizuar, po të dëmtosh një dru, konsiderohet krim më i madh se të kesh vrarë një njeri, në Kosovë drurët në qytete i presin vetë administratat komunale.
Çdo vend në botë që pretendon të jetë i civilizuar reagimi i prokurorive dhe gjykatave është në proporcion të drejtë me peshën e shkeljes apo krimit, në Kosovë ndodh e kundërta.
Kosova është vend me mbi 90 % myslimanë, por qeveria e saj u jep rrogë priftërinjve serbë që ligjërojnë në shkollat e saj publike ndërsa hoxhallarët i mban larg shkollave.
Paradokset në fushën e intelektit
Bashkësia Islame e Kosovës vetëquhet Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës në ndërkohë që Republika e Kosovës me kushtetutën e saj definohet si shtet laik dhe neutral karshi feve.
Kosovarët i shajnë serbët duke u thënë se janë popull mesjetar d.m.th të prapambetur, kurse veten e lavdërojnë duke thënë se jemi popull antik. Harrojnë se antika është më e hershme se mesjeta.
Kosovarët thonë se Kosova është Shqipëri, por sapo ndokush vjen nga Tirana në Prishtinë thonë ka ardhur nga Shqipëria dhe kur dikush shkon nga Prishtina në Tiranë thonë ka shkuar në Shqipëri.
Çdo universitet në botë sado me nivel “zhl” i lufton plagjiaturat dhe plagjiatori për gjënë më të vogël të vjedhur detyrohet t’i thotë lamtumirë jetës akademike, Universiteti i Prishtinës në kohën e rektorit Enver Hasani i ka legalizuar plagjiaturat nën masën 70 %. Për Universitetin e Prishtinës plagjiaturë konsiderohet vetëm nëse vjedh mbi 70 %. D.m.th ai që vjedh 69 % të punës intelektuale të tjetrit për Universitetin e Prishtinës nuk është hajn, por shkencëtar.
Gjithkund në botë shkencëtarët i shprehin bindjet e veta me rezerva edhe pse i mbrojnë fuqishëm. Akademikët kosovarë thonë se janë të pagabueshëm, por nuk i mbrojnë bindjet e veta, e për më tepër i ndërrojnë ato sa herë ndërrohet pushteti.