Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica
Opinione: Nuk ka Ahtisari Plus, plusi është brenda
- 16/07/2021
- By RTV Mitrovica
Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 25 Nëntor 2011)
Gjatë ditëve të fundit njëri pas tjetrit ambasadori francez Jean Francois Fitou, ai amerikan Christopher Dell dhe ai britanik Ian Cliff, në debatet në TV Mitrovica, deklaruan se nuk do të ketë Ahtisaari Plus.
Ambasadori francez e sqaroi në mënyrë figurative se Pako e Ahtisaarit është si një thes që fryhet e ngushtohet aq sa ka nevojë.
Ambasadori e tha një të vërtetë që unë e kisha shkruar gati 5 vjet më parë, pak kohë para se të publikohej Pakoja e Ahtisaarit.
Ja se çfarë shkruaja në “Epoka e re” më 26.01.2007:
“Mitrovica, Ahtisari dhe rreziku i (kon)federalizimit të Kosovës
– Sipas të gjitha gjasave, propozimi i Ahtisarit nuk do ta shpallë të përfunduar betejën mes idesë kombëtare kosovare dhe asaj serbe. Ai vetëm do ta ndryshojë fushën e betejës. Nga një terren do të kalohet ne terrenin tjetër.
– Kjo betejë do të jetë e përqendruar në Mitrovicë, aty ku historikisht janë gjeneruar proceset politike që kanë dominuar Kosovën dhe më gjerë.
Sigurisht e keni vërejtur se sa me drojë e presin ndërkombëtarët hapjen e Pakos së Ahtisarit. Përse? Sepse e dinë se çfarë përmban pakoja. Kështu një gjë është e qartë. Kur Ahtisari ta shpallë propozimin e vet, asgjë spektakulare nuk do të ndodhë. Zgjidhjen e tij pakkush do ta kuptojë, një pjesë e madhe nga të dyja anët do ta kuptojë në mënyrën si atyre u pëlqen, një pjesë shumë e vogël nga të dyja anët do ta kritikojë atë, por pjesa absolute në Serbi e Kosovë nuk do ta kuptojnë atë dhe do të presin se çfarë do të ndodhë. Shoqëria kosovare do të mbetet e patrazuar deri në momentin kur të fillojë implementimi i propozimeve të Ahtisarit. Atëherë Kosova do të përballet me sfidën shekullore.
Sipas të gjitha gjasave, propozimi i Ahtisarit nuk do ta shpallë të përfunduar betejën mes idesë kombëtare kosovare dhe asaj serbe. Ai vetëm do ta ndryshojë fushën e betejës. Nga një terren do të kalohet ne terrenin tjetër. Ai që do ta kuptojë i pari këtë do të përfitojë. Beteja do të vazhdojë derisa të dëshmohet ose se kosovarët nuk janë brumë nga i cili krijohet shteti, përkatësisht nuk mund të formësohen si komb, ose që Serbia ta marrë dënimin meritor, humbjen përfundimtare të Kosovës.
Kjo betejë do të jetë e përqendruar në Mitrovicë, aty ku historikisht janë gjeneruar proceset politike që kanë dominuar Kosovën dhe më gjerë. Tashmë dihet se Ahtisaari do ta shpallë komunën veriore. Kjo ka qenë ofertë e ekipit negociator kosovar dhe kërkesë e Beogradit. Me këtë edhe do të legalizohet roli i saj i deritanishëm si kryeqytet i serbëve të Kosovës. Kosova që nga ky moment do të jetë politikisht bipolare. Ajo çfarë mbetet të shihet më pas është raporti mes këtyre dy qendrave të vendosjes.
Kosova në rastin më të mirë do të jetë si Maqedonia (Shkupi-Tetova), e në rastin më të keq si Bosnja (Sarajeva –Banjalluka) ose edhe më keq se Bosnja”.
Ky pra ishte shkrimi im i 4 vjetëv me parë, mesazhin e të cilit na e konfirmojnë tre ambasadorët më të rëndësishëm në Kosovë.
Pako e Ahtisaarit, si një thes që fryhet andej ku ka më shumë presion
Simbolizmi i ambasadorit Fitou është plotësisht me vend. Ahtisaari, si mjeshtër i diplomacisë, ka hartuar një plan i cili do të mundë të interpretohet ashtu siç do të krijohen realitetet në terren.
Këtë e kuptuan në Beograd, por jo edhe klasa politike në Prishtinë. Beogradi në një anë mbylli njërin sy që serbët në jug të lumit Ibër të pranojnë institucionet e Kosovës, në mënyrë që të krijohen komunat me shumicë serbe që s’kishin ekzistuar kurrë më parë, ndërsa në anën tjetër përmes komunave në veri të mbahet situata e nderë.
Thelbi i planit të Ahtisaarit, pazari: 6 komuna të reja në këmbim të kontrollit në veri të Kosovës
Thelbi i planit të Ahtisaarit është një pazar i thjeshtë: Prishtina të krijojë 6 komuna të reja me shumicë serbe në këmbim të marrjes së kontrollit të kufizuar mbi 3 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës (Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok). Këtë Pazar Beogradi e refuzoi, por nuk e pengoi Prishtinën në krijimin e komunave me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, sepse kjo ishte me leverdi për Beogradin. Kur ky proces u përfundua, atëherë nisi barrikadimi për të imponuar pazar të ri politik pasi tani Prishtina nuk mund të kthehet prapa dhe t’i zhbëjë komunat me shumicë serbe që i ka krijuar vetë.
25 korriku – rasti ideal që u kthye në fiasko
Rastin ideal qe me një aksion policor (natyrisht nëse do të ishte përgatitur me kohë e mirë) Qeveria e Kosovës e humbi më 25 korrik 2011, kur u thye turpshëm nga bandat kriminale serbe. Pas kësaj fiaskoje, pavarësisht se si do të quhet dialogu me Beogradin teknik apo politik, veriu pashmangshëm do të bëhet objekt pazari i ri, pazar ky që do ta gërryejë edhe më tej atë pak substancë të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.