Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica
Opinione: Muja dhe Avniu
- 17/07/2021
- By RTV Mitrovica
Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 10.08.2012)
Muja, nga Mëhalla e Romëve në Mitrovicë, që e fiton bukën me djersën e ballit dhe duron ofendimet e poshtërimet që ia bëjnë shqiptarët me zemër të zezë, është një zotëri i vërtetë. Avni Kastrati, i zgjedhur me vota të vjedhura, shpërndan fotografitë e biznesit të Mujës dhe mburret që ka shkelur mbi privatësinë e Nexhmedin Spahiut
Kur me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare u rindërtua Mëhalla e Romëve në Mitrovicë, Muja e gjeti vendin e punës përballë zyrës sime. Pastronte këpucët e qytetarëve për disa centë, duke i duruar edhe fyerjet që ia bënin shqiptarët me zemër të zezë.
Çdo mëngjes bartte mbi kurriz sëndukun e rëndë bashkë me bojërat dhe me furçat, ndërsa në mbrëmje i kthente prapë në Mëhallën e Romëve. Dy kilometra në një drejtim dhe dy të tjera në kthim, Muja, nga Mëhalla e Romëve, i bënte 4 kilometra rrugë me sëndukun e tij mbi kurriz çdo ditë.
Duke e parë vuajtjen e tij se me sa mundim e nxirrte bukën e gojës, një ditë i thashë: “Orari yt i punës po përputhet me orarin e kameramanëve të TV Mitrovicës, lëri gjërat tua në një qoshe të zyrave tona në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes vjen i merr, kështu që nuk i bart gjithë atë rrugë!”.
Muja u gëzua shumë, edhe pse ditëve të para kishte frikë se mos kush nga stafi i radiotelevizionit ia merrte gjërat, mos ia harxhonte bojën apo ku ta di se çfarë dhe e linte pa bukë.
Kur pas disa ditësh, Muja u sigurua se asgjë e keqe nuk po ndodhte me gjërat e tij, më tha në mirëbesim: “Më shumë po i dua shqiptarët se magjupët”. Kjo shenjë falënderimi ndaj meje m’u duk e tepërt dhe për t’i dhënë kurajë i thashë: “Çka ke me i dashtë shqiptarët ma shumë se magjupët? Magjupët e kanë lëkurën e zezë e zemrën e bardhë, kurse shqiptarët e kanë lëkurën e bardhë e zemrën e zezë!”. Muja qeshi, por nuk u pajtua me “balancimin” që bëra.
Pas disa kohësh, Muja e zgjeroi “biznesin” e vet. Mblidhte hekura të vjetra dhe plastikë që i shiste për skrap. Po ashtu, mblidhte edhe shishe të qelqit, që nuk e di se për çfarë i duheshin. Të gjitha këto i skajonte në qoshen tashmë të tij në lokalet e RTV Mitrovica dhe sapo i grumbullonte ca e ca i dërgonte në destinacionin e tij.
Muja me zemër të bardhë dhe Avniu me zemër të zezë
Por, ndodhi 17 korriku 2012, ku komunarët e Mitrovicës, bashkë me Policinë e Kosovës, në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe me normat elementare njerëzore, në mbrëmje, pas orarit të punës, thyen dyert e Radio-Televizionit të Mitrovicës dhe grabitën çdo gjë: pajisjet, arkivin, dokumentet, pikturat, skulpturat, inventarin dhe… gjërat e Mujës nga Mëhalla e Romëve në Mitrovicë.
Disa ditë pas kësaj ngjarjeje takova Mujën, tek po shëtiste në qytet. U afrua për të më ngushëlluar. Më tha: “Zoti ka me ua thye qafën!”. Ai ngushëllonte veten që ishte bashkëviktimë me Radio-Televizionin e Mitrovicës.
Shkelja e privatësisë është krim që dënohet me ligj
Por, dje takova Mujën dhe me atë që i tregova u pikëllua shumë. I tregova se Avni Kastrati dhe tipat e tij po ua demonstrojnë njerëzve dhe po shpërndajnë fotografitë e gjërave të tij e po thonë shih çfarë ka mbajtur në zyrë Nexhmedin Spahiu. “Këqyri”, tha ,“pisat e këqij, po kështu as në Mahallë nuk bëjnë. Jo vetëm që m’i kanë vjedhur sendet e mia, por edhe m’i ka qitë në syret!”, tha Muja. “Mos lufto me ta Nexh, injoroi”, tha Muja , “se ata qenkan ma magjupë se do të mahallës sime!”.
Ky është krim që dënohet me ligj. Të shkelësh privatësinë e tjetrit vetëm se ti përmes votave të vjedhura ke marrë në dorë fondet publike dhe me to t’i paguan kriminelë të tjerë që natën thyejnë dyert e institucioneve të tjera, është krim e shkuar krimit.
Është magjupi e shkuar magjupisë. Përballë tij, Muja nga Mëhalla e Romëve, që fiton bukën me djersën e ballit, që duron ofendimet e poshtërimet që ia bëjnë, është një zotëri i vërtetë. Ai edhe më jep këshillën e duhur që të mos luftoj me ta. Këta tallen me biznesin e ndershëm të Mujës, përmes të cilit më përgojojnë edhe mua, dhe harrojnë se u mungon kultura elementare njerëzore. Ata mburren me banditizmin dhe hajninë e vet. Mburren se kanë shkelur mbi privatësinë e tjetrit.
Po të kishte qenë Avni Kastrati një zotni, ai nuk do të merrej fare, jo me Mujën e Mëhallës së Romëve, po as me Nexhmedin Spahiun. Nëse do të mendonte se prona e shfrytëzuar për 13 vjet me radhë nga OJQ “Mitrovica” (Radio Mitrovica dhe TV Mitrovica) i përket Komunës, ai do të drejtohej me letra normale dhe jo me letra kërcënuese me afat prej tre ditësh.
Nëse kjo nuk do te jepte rezultate, thjesht do të angazhonte juristët e Komunës që të bënin padi në gjykatë, dhe punën do ta kryenin organet kompetente nëse e drejta do të ishte në anën e tij. Por, atij, më shumë i pëlqejnë magjupitë për t’u marrë me fotografitë e biznesit të Mujës.