Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica

Opinione: Mosmirënjohja jonë ndaj gjermanëve

  • 17/07/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 23.11.2012)

Po festohet 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe kudo në Shqipëri, Kosovë e troje tjera etnike shqiptare, po valon flamuri i Shqipërisë, më pak ai i Kosovës, si dhe flamuri amerikan. Valimi i flamurit amerikan në këtë festë është i kuptueshëm për vetë rolin tejet pozitiv që ka luajtur Amerika në këto 100-vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar.

Moralitet apo mercenarizëm

Shtrohet pyetja nëse prania e flamurit amerikan në këtë festë tregon mirënjohjen ndaj Amerikës apo respekt ndaj shtetit më të fuqishëm të botës. Në rast se është e para kjo tregon moralitetin tonë, në rast se është e dyta kjo tregon mercenarizmin tonë.

Një fakt tjetër po e tregon se është më shumë e dyta se sa e para.

Në këtë festë po mungon flamuri gjerman – flamuri i kombit më të merituar për ekzistencën e shtetit shqiptar.

Shqipërinë si shtet dhe shqiptarët si komb i krijoi Austro-Hungaria

Rolin që Amerika e pati dhe ka në krijimin e shtetit të Kosovës, e ka pasur Austro-Hungaria në krijimin e Shqipërisë. Për më tepër, Austro-Hungaria jo vetëm që pati rol madhor rreth shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë dhe u angazhua në Konferencën e Londrës për kufij sa më të gjerë të saj, por ajo shumë para këtyre ngjarjeve investoi në kulturën shqiptare duke cytur shkencëtarë të merren me çështjen e gjuhës shqipe, duke financuar revistën “Albania” të Faik Konicës etj.

 

Projekti i hekurudhës Sarajevë-Mitrovicë

Madje kontributi gjerman shkon edhe përtej vizionit të shqiptarëve. Mjafton të përmendet projekti i Vjenës zyrtare i fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX për hekurudhën Sarajevë-Mitrovicë përmes Novi Pazarit. Ky projekt u pamundësua nga krerët shqiptarë të kohës, njëri prej të cilëve është shpallur hero edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Projekti është kundërshtuar dhe është pamundësuar thjesht nga budallallëku dhe injoranca e krerëve shqiptarë.

Me një fjalë, Austro-Hungaria nuk dha vetëm ndihmë momentale, por projektoi lindjen e kombit shqiptar. Për çfarë interesi e bëri këtë, kjo neve, nuk duhet të na interesojë. Kur ndokush ta jep një drekë duhet të mendosh se për çfarë interesi po e bën këtë, ku e ka hallin. Por, për atë që ta jep vetë jetën nuk duhet të pyesësh se për çfarë interesi e ka bërë. Nuk pyetet prindi për çfarë interesi të ka sjellë në jetë. Thjesht, duhet të jesh mirënjohës. Dhe këtë mirënjohje nga shqiptarët e meritojnë gjermanët dhe Austro-Hungaria.

U kthyen eshtrat e Ahmet Zogut, por jo edhe të Wilhelm Wied-it

Qeveria e Shqipërisë ktheu në atdhe, dhe mirë bëri që i ktheu, eshtrat e Ahmet Zogut që ishte një hajdut, vrasës e mashtrues, por që kontribuoi në stabilizimin e shtetit shqiptar. Para se ta bënte këtë duhej t’i kthente eshtrat e princit gjerman Wilhelm Wied, fisnikut që e deshi Shqipërinë me gjithë zemër, që për dallim nga Ahmet Zogu, asnjëherë nuk hoqi dorë nga Shqipëria në kufijtë etnikë, që nuk urdhëroi asnjë vrasje politike siç bëri Ahmet Zogu shumë të tilla.

 

E pra, në këtë 100-vjetor, Princi Wihelm Wied meritonte që eshtrat e tij të pushonin në atdheun e tij të natyralizuar dhe t’i ngrihej një përmendore.

Në kujtimet e tij, Sejfi Vllamasi thotë se sikur të mos ishte Austro-Hungaria gjatë periudhës 1914-1918, shqiptarët nuk do të kishin haber për administratën moderne.

Edhe pas Luftës së Parë Botërore, Austria e Gjermania ishin vendet që dhanë më së shumti bursa për studentët shqiptarë. Sado që tani edhe vetë gjermanët janë distancuar nga klasa e tyre politike e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët nuk guxojnë ta harrojnë kontributin gjerman të kësaj periudhe për Shqipërinë e sidomos për Kosovën.

Po të mos vinin gjermanët në Ballkan më 1941, sot nuk do të kishte Kosovë

Duke lënë manash rrenat e kohës së Enver Hoxhës dhe mercenarizmin shqiptar për të qenë në krah të fituesve, po të mos ndodhte ardhja e gjermanëve në Ballkan më 1941 nuk do të ekzistonte Kosova.Marrëveshja e Qeverisë Jugosllave dhe asaj Turke e vitit 1939 parashihte që procesi i shpërnguljes për në Turqi i gjithë popullatës myslimane nga Kosova e Maqedonia të përfundonte më 1945.

Kjo marrëveshja u zbatua 100 % sipas dinamikës së paraparë deri më 6 prill 1941 dhe u ndal kur gjermanët bombarduan Beogradin. Shumë “analistë” të sotëm thonë se Veriu i Kosovës kurrë nuk ka qenë shqiptar. Unë kam takuar në Stamboll shqiptarë të fshatrave të Veriut të Kosovës, ku tashmë s’banon asnjë shqiptar, të shpërngulur nga atje më 1940. Sikur të mos ishte ardhja e gjermanëve më 1941 ky do të ishte fati i gjithë trevave shqiptare në Kosovë e Maqedoni.

Për më tepër, hapja e shkollave shqipe dhe ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar në Kosovë e Maqedoni ndodhi pikërisht gjatë asaj periudhe, saqë edhe ripushtimi i këtyre trojeve nuk mundi më t’ua marrë këto të drejta të fituara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ku do të ishte Shqipëria sot sikur të pranonte ofertën e Shtrausit?

Edhe në Shqipërinë post-enveriane, a nuk ishte Shtrausi ai që solli ofertën gjeneroze për Shqipërinë? Ku do të ishte Shqipëria sot nëse do ta kishte pranuar atë ofertë? Ku do të ishte Shqipëria sot nëse pa trauma, pa revolucion do të kishte hequr dorë nga komunizmi e para nga i gjithë blloku i Lindjes? Miliardat e Perëndimit do të vërshonin drejt Shqipërisë për t’u dhënë shembull vendeve tjera komuniste. Ky ishte një rast që Shqipëria e pati në saje të vogëlsisë së saj dhe miqve gjermanë, por që fatkeqësisht i ra shqelm.

Kosova nuk do ta mbijetonte kohën e Millosheviqit pa diasporën e saj në Gjermani, Zvicër e Austri

Kosova e prapambetur dhe e dërrmuar nga paslufta e Luftës së Dytë Botërore, mori infuzion duke dërguar punëtorë krahu në Gjermani, Austri e Zvicër. Po këto vende, në kohën e sundimit të Millosheviqit mbi Kosovën, pranuan në azil afro 1 milionë shqiptarë.Nëse Amerika mori primatin ushtarak e politik në ndihmë të Kosovës, Gjermania mbajti primatin në asistencë ekonomike, si në Kosovë ashtu dhe Shqipëri që nga 1991-ta e këndej.

Flamuri gjerman duhet të valojë për 28 Nëntor

Të gjitha këto fakte duhet të na bëjnë, që nëse duam të tregohemi një shoqëri e moralshme dhe jo vetëm një komunitet mercenarësh, atëherë nuk duhet të lejojmë që të shohim buzëvarur zyrtarët gjermanë duke parë atmosferën festive me flamuj shqiptarë, kosovarë e amerikanë. Gjithsesi flamuri gjerman e ka vendin në këtë festë, e pse jo edhe shumë të tjerë flamuj që kontribuuan për Shqipërinë e Kosovën.