Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica
Opinione: Kush e vodhi Isa Boletinin?
- 15/07/2021
- By RTV Mitrovica
Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 30.12.2012)
Pyeta një nxënës 12-vjeçar nëse ka dëgjuar ndonjëherë për Ismail-Qemal bej Vlorën, mu përgjigj se ka dëgjuar për Ismail Qemalin, por jo për Ismail-Qemal bej Vlorën. Mirë, i thash, kush ishte pra Ismail Qemali. Ai që e ka ngritur flamurin m’u përgjigj. Po për Isa Boletinin a ke dëgjuar ndonjëherë? Po – tha, ai që e ka puthur flamurin. Po përse Isa Boletini nuk e ka ngritur flamurin, dhe pse Ismail Qemali nuk e ka puthur flamurin- e pyeta. Ku e di unë, kështu na kanë thënë në shkollë, u përgjigj.
Miti në shërbim të Enver Hoxhës
Ky është stereotipi që është krijuar që nga ardhja e komunistëve në pushtet. Në fakt, nuk ka asnjë dëshmi që Isa Boletini ta ketë puthur flamurin. Gjetja artistike e skenaristit të filmit “Nëntori i Dytë” është në funksion të krijimit të prototipit të caktuar që do të portretizonte shqiptarët e Kosovës, në funksion të pushtetit të Enver Hoxhës.
Aktori në rolin e kryeministrit të parë të Shqipërisë, Ismail-Qemal bej Vlora, paraqet jo fjalët dhe sjelljet e Ismail-Qemal bej Vlorës, por ato të Enver Hoxhës. Lexuesit do t’i kujtohet skena nga filmi “Nëntori i Dytë” kur peshkopi grek i Durrësit i përkujton Ismail-Qemal bej Vlorës, se politika është përzgjedhja e të keqes më të vogël mes dy të këqijave, kur kinse Ismail-Qemal beu përgjigjet se ne nuk do ta pranojmë asnjë të keqe, as të keqen më të madhe e as atë më të voglën. Një budallallëk të tillë ka mund ta flasë vetëm Enver Hoxha, por jo një diplomat i kalibrit perandorak siç ishte Ismail-Qemal bej Vlora.
Roli historik i Isa Boletinit në Vlorë, ishte krucial sepse ai me 300 apo 400 trimat e tij (nuk po dihet akoma sa ishin se asnjë historian nuk na e publikoi listën e potë të emrave të këtyre trimave) siguroi rend dhe rregull në atë pak territor të mbetur rreth Vlorës, që shërbeu si territor inicial i shtetit shqiptar.
Por skenaristi këtë fakt historik nuk e vuri në dukje. Për të ishte më rëndësi që Isa Boletini ta puthte atë që kishte ngrehur Ismail-Qemal bej Vlora. Kjo sepse Enver Hoxhës i interesonte t’i portretizonte shqiptarët e Kosovës, si trima të ndezur për atdhe por malokë që fetishizojnë simbolet (puthja e flamurit).
Në film nuk paraqitet fakti se po nga Mitrovica e Isa Boletinit, para tij kishin arritur në Vlorë, intelektualët, që të dy nënshkrues të aktit të pavarësisë së Shqipërisë: Rexhep Mitrovica e Dervish Mitrovica. Derisa i pari u dekorua nga presidentja e Kosovës, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ky i dyti, babai i gazetarit të mëvonshëm Xhelal Mitrovica, u harrua fare nga presidentja e Kosovës. Madje, edhe Peja përfaqësohej me dy intelektualë: Bedri Pejanin e Salih Gjukën. Por, kjo nuk i interesonte Enver Hoxhës dhe skenaristëve e regjisorëve të tij.
Si s’u bë tani një film i ri për 28 Nëntorin?
Ka qenë e pritshme që në këtë 100-vjetor në vend se te theren desh e të punohet ëmbëlsira gjigante, të bëhet një film për shpalljen e pavarësisë në Vlorë, ku aktori kryesor në mos arrinte ta transmetonte karakterin e Ismail-Qemal bej Vlorës, të paktën do ta transmetonte karakterin e Sali Berishës. Të paktën, ky do të ishte një përparim.
Kryeministrit të parë të Shqipërisë nuk iu rikthye mbiemri as për këtë festë. Në fjalimet e zyrtarëve, atij akoma i përmendej emri Ismail Qemali, ashtu si e pati pagëzuar Enver Hoxha, e jo se si në të vërtetë quhej Ismail-Qemal bej Vlora.
Isa Boletini, ende i pa rivarrosur
Por atij që iu bë e padrejta më e madhe në këtë përvjetor, ishte Isa Boletini. Eshtrat e tij të zhvarrosura 14 vjet më parë mbetën ende të parivarrosur. As përkujtimi në aktin e tij kulmor të para 100 vjetëve nuk mjaftoi që eshtrat e tij të rivarrosen në Boletin.
Skulptura e Davidit e para 5 shekujve si përmendore e Isa Boletinit
Për të qenë ironia edhe më e madhe, me shumë bujë u paralajmërua ngritja e përmendurës së tij në qendër të Mitrovicës. Kur ajo u soll, qytetarët panë se jo një skulpturë origjinale, e as kopje e një origjinali, por ishte kopja e plagjiatit të skulpturës së Davidit të Michelangelos, i punuar 5 shekuj më parë (1501-1504). Davidit i ishte vënë plisi dhe hedhur në prehër flamuri me shqiponjë.
Ky është një turp e shkuar turpit. Kur vizitorët do të kalojnë urën e Ibrit nga veriu në jug të Mitrovicës, do të shohin skulpturën e Davidit me plis në kokë. Kur të afrohen pranë do të shohin mbishkrimin Isa Boletini (1864-1916).
Për më tepër, për dallim të fytyrës së bukur të Davidit, dhe pamjes joshëse të Isa Boletinit, që impresiononte edhe zonjat e Londrës, skulptura plagjiat e paraqet Isa Boletinin me fytyrë të egër prej maloku. Skulptori, si duket, ka harruar se Isa Boletini kishte jetuar me vite të tëra në Stamboll, ndërkaq fytyra e tij kishte pamje shumë civile siç shihet edhe në foton e tij, të bërë nga koloneli Thompson. Edhe pse Isa ishte pa shkollë, djemtë e tij ishin me shkollë dhe kjo tregon prirjen e tij kah dituria.
Fotografia e Isës, e bërë nga koloneli Thompson
Fotografia e Isës, e bërë nga koloneli Thompson, është ajo që është dashtë të jetë model për përmendoren e Isa Boletinit, sepse kjo pamje ish-ajo që i impresionoi perëndimorët dhe jo ajo se si i shihte Enver Hoxha shqiptarët e Kosovës.
Duke parë skulpturën plagjiat në qendër të Mitrovicës (në art e në shkencë plagjiat do të thotë ide e vjedhur) një artist i huaj më ngushëlloi me fjalët: “Ndoshta kaq janë mundësitë e kosovarëve, në të ardhmen do të keni edhe ju artistët e juaj që do të bëjnë skulptura origjinale”.
Ironia është se që nga paslufta, skulptori mitrovicas Miftar Istrefi më pati lodhur duke më ftuar në studion e tij apo sa herë që më takonte rrugës duke më shfaqur idetë e tij për përmendoren e Isa Boletinit. Herë më thoshte do ta bëj 7 metra, herë 14, herë 20. Më pyeste për qëndrimin e Isës në rrethanat historike, e studionte karakterin e tij. Gjatë tërë këtyre bisedave e shfaqte patriotizmin lokal, duke thënë “ne shaljanët”, “Isa si shaljan” etj etj.
Por, përmendorja e Isa Boletinit iu besua jo këtij skulptori. Kjo për arsyen se kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe sejmenët e tij, nuk e ka hallin që të bëhet si duhet një përmendore, por si me zhvatë sa më shumë para, dhe nuk i mjafton që vjedh taksat e të gjallëve, por edhe Isa Boletinin e vdekur 96 vjet më parë.