Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
Mjedis
Lumi Graçanka problem i pangopësisë së njeriut me dekada
- 20/01/2023
- By RTV Mitrovica
Autore: Ana Markoviq
Sipas hulumtimeve të shkencëtarëve, ndryshimet klimatike në gjithë botën në përgjithësi shkaktohen nga aktiviteti i njeriut, prandaj edhe Kosova ballafaqohet me rritjen e temperaturave, me ç’rast dy dekadat e fundit ishin më të ngrohtat, të përcjella me valë të shpeshta nxehtësie, thatësira, zjarre në male, si dhe vërshime, përderisa ndotja e lumenjve është shumë e madhe, që çon në ndotje të tokës, e me këtë edhe të produkteve bujqësore. Ndotja e lumit Graçanka, që i takon pellgut të Detit të Zi, kërcënon të krijojë katastrofë ekologjike nëse individët nuk ndërmarrin diçka në një kohë të afërt.
Për shkak të ndryshimeve klimatike ballafaqohemi me dëme të pariparueshme të botës natyrore, ndërsa nëse në dekadat në vijim nuk ndërmarrim hapa për të kufizuar pasojat e ndryshimeve klimatike, mund të presim edhe kolaps të njerëzimit, sipas mendimit të ekspertëve të ekologjisë.
“Ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në ndotje në kontekst të reshjeve më intensive dhe më të shpeshta, që mund të çojnë në vërshime të zonave aluviale të lumenjve në Kosovë, e me këtë edhe te shpërndarja e ndotësve që janë prezent në këto sisteme ujore, gjë që kontribuon në ndotjen e zonës më të gjerë, prandaj potenciali i hyrjes së këtyre ndotësve në zinxhirin ushqimor është shumëfish më i madh”, thotë profesoresha e inxhinierisë të mbrojtjes së mjedisit në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicë, dr. Irma Dervisheviq.
Sipas ekspertëve, lumenjtë në Kosovë janë të ndotur dhe të rrezikuar tej mase, ndërsa shtrati i Graçankës, e cila kalon nëpër disa vendbanime, për shkak të deponisë së llumit industrial nga kombinati i xehetarisë Kishnicë/Trepçë, si dhe për shkak të ndotësve të panjohur që hedhin mbeturina me origjina të ndryshme në këtë lum kërcënon të rrezikojë edhe vet Detin e Zi në të cilin përfundon pasi derdhet në Sitnicë, e tutje në Ibër, Moravë Perëndimore dhe të Madhe, përmes Danubit, duke bartur të gjitha këto mbeturina. Llumi i minierës paraqet problem disavjeçar.
“Sasia e përgjithshme aty është mbi 150 milion tonë të llumit. Është një deponi e cila është rikultivuar vetëm pjesërisht. Nga ajo përherë kemi ndikimin e shirave me tërheqjen e materialit ndotës në kanale në dhe rreth saj, e më pastaj në lumin Graçanka. nga kjo rrjedh ngjyra specifike e lumit Graçanka, e cila shkon deri në Laplasellë e deri në grykën e Sitnicës, dhe ai pluhuri të cilin banorët e Graçanicës e njohin shumë mirë kur fryjnë erërat”, thotë kryetari i seksionit për higjienë dhe ekologji mjekësore të Shoqatës Serbe të Mjekëve, profesor Aleksandër Qorac.
Lumi Graçanka, sipas banorëve të Laplasellës, nganjëherë di të jetë i kthjellët, me ngjyrë të bardhë qumështi, të bardhë, të kaltër, vjollce, varësisht nga ajo çfarë ka në të sipas të gjitha gjasave.
“Për vite jemi mësuar të jetojmë në këtë atmosferë të ndotur. Në fillim problemi ndodhte periodikisht, pastaj për shkak të erës së pakëndshme bëhet e padurueshme dhe banorët ankohen, bëjnë protesta, por problemi nuk zgjidhet. Kemi natyrë të bukur në Laplasellë, lumin që kalon nëpër fshat, por është fakt që për shkak të mungesës së ujit në shtratin e lumit ndodhin avullime, në të cilin gjithsesi derdhen kanalizimet, ndërsa përveç kanalizimit aty ndodhin edhe disa ndryshime që mund të vërehen nga ndryshimi i ngjyrave në lum”, thotë ish zëvendësministrja e mjedisit në Qeverinë e Kosovës, Millena Zdravkoviq.
“Lumi në Laplasellë dhe Preocë është një problem shumëvjeçar. Çfarë dimë është se burimi i ndotjes është i panjohur dhe se nuk është nga territori i jonë. Kjo është konstatuar me mbikëqyrje të inspektoratit në terren”, shkruan në përgjigjen me shkrim nga Komuna e Graçanicës për portalin Graçanica onlajn.
Nuk ka impiante të instaluara për trajtimin e ujërave të zeza
Ndërsa Graçanka dikur ishte e pastër, kujtojnë banorët.
“Më kujtohet kur isha fëmijë, ujë ishte i pastër. Kishte peshq, ishte ky një lum i bjeshkës ku laheshim. Nëna ime lante rrobat në këtë lum. Ndërsa shikoni tani. Është lënë pas dore aq shumë, katastrofë. Gjatë verës as nuk mund të afrohemi afër lumit për shkak të erës së rëndë që ndjehet”, thotë Stojan Zhiviq, gjashtëdhjetë e shtatë vjeç.
“Fillimisht miniera e ndoti lumin, i gjithë ai llum nga Kishnica derdhej në lum. Në një kohë ishte aq i dendur saqë uji nuk mund të rrjedhtë, sa ishte i dendur. Kishte ngjyra të ndryshme, të gjelbër, të zezë, të verdhë, të kaltër, ndërroheshin ngjyra të ndryshme. Nuk është i ndotur vetëm lumi, edhe ujërat nëntokësor na janë shkatërruar. E mbi të gjitha, në lum përveç të tjerave derdhen edhe mbeturinat kimike nga Hajvalia. Në vitet e kaluara këtë na e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale. Por, askush nuk kontrollon ndotjen industriale. Ndërsa ne qytetarët jemi të pafuqishëm”, shton Sllagjan Nedelkoviq, shtatëdhjetë vjeç.
Për të “shpëtuar” lumin Graçanka nga ndotja, e pastaj edhe Sitnicën, përfaqësuesit e sektorit civil kishin organizuar protesta dhe performanca, bisedime me përgjegjësit, por pa sukses.
“Kemi organizuar kampin ndërkombëtar “Bëhu ujë”, me ç’rast kemi pastruar hapësirën rreth lumit dhe kishim tërheq vëmendjen mbi problemin e ndotjes se lumit, nga i cili shumica e njerëzve kthejnë kokën ose madje edhe ndalin frymëmarrjen deri sa kalojnë. Një nga aktivitetet më të spikatura gjatë këtij kampi ishte performanca mbi lum, ku bashkë me vullnetarët lokal dhe ndërkombëtar kishim “peshkuar” në lum. Konsiderojmë se ky aktivitet kishte shtyrë shumë njerëz të pyesin veten si na ndodhi që një lum që kalon nëpër qendër të disa fshatrave të bëhet turp nga i cili të gjithë kthejmë kokën. Shumë njerëz kujtuan kohërat e vjetra, të mira kur laheshin në këtë lum, lanin rrobat dhe madje ia dilnin të peshkonin ndonjë peshk, e jo vetëm bërllok”, thekson Pjetër Gjorgjeviq nga OJQ “Graçanica e re aktive”.
Në kuadër të Nismës Open, e cila është mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, ishte kryer një hulumtim nëse vetëqeverisjet lokale kanë kapacitet për të implementuar detyrimin e luftimit për mbrojtjen e mjedisit dhe problemin e ndotjes së lumit Graçanka.
“Hulumtimi kishte treguar se vetëqeverisja lokale nuk posedon kapacitete të mjaftueshme për tu marrë me problemin e rrezikimit të mjedisit. Disa faktorë ndikojnë në mungesë të kapaciteteve, që nga mospërshtatja e alokimeve buxhetore për problemin e mbrojtjes së mjedisit, duke marrë parasysh që buxhetet e vetëqeverisjeve lokale janë zvogëluar sepse caktohen sipas numrit të banorëve nga regjistrimi i vitit 2011, i cili asokohe ishte bojkotuar nga komuniteti serb në Kosovë, komunikimi dhe koordinimi i dobët me institucionet qendrore, mosekzistimi dhe mungesa e studimeve profesionale, gjegjësisht të hulumtimeve që do të ndihmonin që problemet të zgjidhen në mënyrë metodike”, janë të dhënat me të cilat disponon OJQ “Komunikimi për zhvillim të shoqërisë”, që ka bërë këtë hulumtim.
Nga Komuna e Graçanicës kanë deklaruar se nga ana e Organizatës gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ) dhe Kompania rajonale e ujësjellësit kanë marrë garanci të fuqishme për realizimin e projektit për rregullimin e rrjetit të kanalizimit.
“Fjala është për një projekt madhor të rregullimit të rrjetit të kanalizimit dhe të sistemit të rregullimit të ujërave të zeza në 4 komuna: Graçanicë, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq. Projekti kap vlerën e 82 milion eurove”, shtojnë në përgjigjen e Komunës së Graçanicës.
Në territorin e Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut nuk ka impiante të instaluara për trajtimin e ujërave të zeza, që kontribuon në ndotje të ndërlikuar, si të rrjedhave ujore sipërfaqësore, ashtu edhe të sedimenteve dhe ujërave nëntokësore dhe të futjes së ndotësve në zinxhirin ushqimor, konsideron profesoresha e inxhinierisë të mbrojtjes së mjedisit Irma Dervisheviq dhe thekson se që nga vitit 1999 nuk është bërë ndonjë kontrollim i cilësisë së ujit në lumenjtë Graçanicë dhe Sitnicë.
“Varësisht nga burimi dhe lloji i ndotjes së lumenjve, nga ajo nëse uji i tyre përdoret për ujitje të mbjellave ose shërben vetëm si recipient, varen edhe pasojat që mund të shkaktohen nga ndotësit. Pra, nëse të mbjellat nuk ujiten me ujë të kontaminuar dhe të ndotur dhe nëse toka bujqësore nuk është në afërsi të menjëhershme, për shkak të daljes eventuale të lumit nga shtrati për shkak të vërshimeve, dhe të ndotjes së mundshme të sedimentit, e me këtë edhe të mbjellave të kultivuara, e më pastaj edhe futjes së ndotësit në zinxhir ushqimor (që do të ishte kontakt i drejtpërdrejtë), atëherë ekziston mundësia e marrjes së polutantëve nga sendimenti i lumit ose i afërt dhe të vet lumit përmes specieve bimore dhe shtazore që janë autoktonë në atë zonë, të cilat paraqesin ushqim për disa lloje të tjera alohtone, që për rezultat përfundimtar përsëri ka futjen e polutantëve në zinxhir ushqimor (me rrugë të tërthorta)”, ka sqaruar profesoresha Dervisheviq.
Edhe kolegu i saj, profesori Qorac thotë se në Graçankë përveç llumit të plumbit, zinkut, produkteve të përpunuara nga plumbi dhe zinku, janë edhe të gjitha ato kimikalie që janë përdorur në këtë proces.
“Kështu që keni edhe arsen, kadmium, sulfate, cianide. Shikoni, cianide që konsiderohen si helme tejet të fuqishme dhe që mund t’i gjejmë jo vetëm në deponinë në Graçanicë, por gjithandej ku ishin këto flotacione. Kripërat e cianidit janë përdor në procedurën e flotimit dhe pas këtij procesi shkonin në ato fusha të deponimit”, vazhdon profesori Qorac.
Por, jo vetëm kjo. Pandërgjegjshmëria e njerëzve dhe hedhja e mbeturinave pranë dhe në lum, ndot në masë të madhe.
“Ndotja me bërllok të hedhur, në veçanti plastikë, është e jashtëzakonshme, ndërsa njerëzit as që janë të vetëdijshëm sa shumë është e rrezikshme kjo. Disa hulumtime tregojnë se disa prej këtyre grimcave që janë në këto shishe plastike dhe qese najloni mund të inkorporohen në strukturën e gjeneve të qelizave tona dhe të shkaktojnë ndryshime në to, që është diçka e tmerrshme sepse kjo pastaj na flet për një lloj potenciali që mund të ndikojnë jo vetëm në shëndet por, nëse inokorporohen në qeliza germinative, qeliza për riprodhim, ato mund të shkaktojnë pasoja edhe tek gjeneratat e ardhshme”, sqaron profesori Qorac rrezikun nga hedhja jo e planifikuar e mbeturinave aty ku nuk e kanë vendin.
Kush e ndot Graçankën?
Në hulumtimin e OJQ “Komunikimi për zhvillim të shoqërisë” theksohet se ndotja e parë dhe primare vjen nga llumi i deponisë së minierës në Kishnicë dhe vet miniera në afërsi të Graçanicës, e cila nuk posedon infrastrukturë të mirëfilltë për drenazhe të zgafelles dhe të ujërave atmosferike kështu që uji i drenazhit dërgohet në grumbullues të cilët kanë plasaritur dhe me këtë janë jofunksional dhe ky ujë derdhen në lum. Brengos edhe fakti se nga infrastruktura e kanalizimeve të Komunës së Graçanicës 90% të ujërave të zeza nga rrjeti i kanalizimit përfundon në lumin Graçanka.
“Po aq problem në ndotje paraqesin edhe mbeturinat komunale të cilat banorët ilegalisht i hedhin pranë dhe në shtratin e lumit Graçanka. Këto mbeturina, të cilat shpesh janë edhe biologjike, në masë të madhe ndikojnë në ndotjen e Graçankës. Përveç këtyre ndotësve, sipas fjalëve të të anketuarve, janë edhe ndotësit industrial të cilët i lëshojnë ujërat e zeza të tyre në Graçankë, me çka i japin një ngjyrë jonatyrale të bardhë dhe një erë më intensive dhe të pakëndshme”, tregojnë të dhënat e hulumtimit.
Në afërsi të Graçankës në Laplasellë është edhe reparti i Qendrës Klinike Spitalore nga Graçanica dhe Qendra e Shkollave të mesme e sapo hapur, të cilën e vijojnë mbi 1000 nxënës.
Me vite i ankohemi institucioneve të ndryshme, por asgjë nuk ka dhënë efekt. Paramendojeni, ky lum i ndotur është në afërsi të spitalit dhe shkollave. Nuk dimë më çka të bëjmë, ndërsa e dimë se ndotja vjen nga vendi fqinj, Hajvalia. Aty ekziston një fabrikë që lëshon mbetjet kimike në lumin tonë dhe me këtë neve na transmetohen infektime të ndryshme bakteriologjike”, konsideron Spasenija Zhivanoviq, gjashtëdhjetë vjeçe.
Gordana Gjoriq, shtëpia e së cilës gjendet pranë lumit, është e brengosur për shëndetin e saj.
“Jam e sigurt se lumi i ndotur në masë të madhe kontribuon në shëndetin tonë. Kjo është dëshmuar viteve të fundit, mund ta them. E çka mund të bëjmë ne. Jemi të pafuqishëm si qytetarë. I jemi drejtuar të gjitha institucioneve kompetente. Kemi premtime, madje edhe më patën ftuar të bëhem pjesë e një komisioni, në fakt në një ekip komunal, por kishim dy takime dhe pastaj asgjë. Thjesht, nuk e marrin seriozisht këtë problem madhor që ndikon në shëndetin e të gjithë neve që jetojmë në fshatrat ku kalon lumi”, është e mllefosur Gjoriq.
Zgjidhja megjithatë ekziston
Edhe Millena Zdravkoviq, e cila ishte pjesë e Ministrisë për mbrojtjen e mjedisit në Qeverinë e Kosovës thekson se duhet të zgjidhet problemi i ndotjes së Graçankës.
“Me siguri duhet të bëhet një studim fizibilitetit për të parë mbi të gjitha se ku qëndron problemi, e pastaj të ofrohet zgjidhja, por këtë duhet ta thonë personat kompetent që do të trajtojnë këtë problem”, thekson Zdravkoviq.
Edhe ekspertët konsiderojnë se zgjidhja ekziston, si dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile në Komunën e Graçanicës.
“As të gjitha ngjarjet që kemi organizuar, as peticioni që kishin nënshkruar rreth 2000 persona nuk kanë ndihmuar që problemi i lumit Graçanka të zgjidhet. Ne nuk e pranojmë kështu siç është dhe do të mundohemi të japim kontribut që edhe gjeneratat e tashme të ndjejnë si është kur Graçanka është e pastër. Nuk kanë nevojë ndoshta të lajnë rrobat në lum, siç bënin prindërit e tyre, por së paku do të mund të uleshin pranë lumit me krenari dhe kënaqësi. Këtë e meriton edhe Graçanka edhe banorët e fshatrave nëpër të cilat kalon”, thotë Pjetër Gjorgjeviq nga “Graçanica e re aktive”.
Nga komuna e Graçanicës theksojnë se do të ndërtohet një impiant i madh për pastrimin e ujërave në derdhjen e lumit Graçanka në Sitnicë.
“Para kësaj të gjitha ujërat e zeza dhe të tjera do të largohen me kolektor nga Graçanka jonë, kjo është mënyra si të zgjidhet ky problem i madh. Projekti do të realizohet në dy faza, ndërsa ne do të insistojmë që komuna jonë të jetë prioritet dhe të jetë pjesë e fazës së parë që qytetarët tonë të mos presin më shumë për zgjidhjen e këtij problemi. Studimi i fizibilitetit është kryer me dokumentacion përcjellës të projektit dhe presim të kemi qasje në të gjitha këto”, na thanë nga kjo vetëqeverisje lokale.
Për të sanuar ndotjen ekzistuese fillimisht duhet të ndërpritet derdhja e pakontrolluar e ujërave të zeza, thotë profesoresha Dervisheviq.
“Hedhja e mbeturinave me origjina të ndryshme në lum ose në zonat përreth, si nga veprimtaritë ekonomike ashtu edhe nga amvisëritë individuale, që kontribuon në ndotjen e lumit, sanimi i lokaliteteve që paraqesin burim të përhershëm të ndotjes së këtyre ujërave, e nëse nuk mjafton kjo, duhet të zbatohet ndonjë metodë remediimi/rivitalizimi”, thotë profesoresha Dervisheviq, përderisa kolegu i saj profesori Qorac ka një mesazh më të rëndësishëm.
“Pangopësia e njeriut, mosdija, papërgjegjshmëria, varfëria në disa nivele, interesat personale të kuazi elitave etj. në një kohëzgjatje prej disa dekadash janë shkak i ndotjes së Sitnicës dhe Ibrit, si dhe të lumenjve të tjerë dhe të mjedisit në përgjithësi”.
Kemi pyetur edhe Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit të Kosovës për ndotjen e lumenjve dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, por deri në kohen e publikimit të këtij teksti nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.
“Ky material është publikuar në kuadër të projektit “Going Environmental” i menaxhuar nga n-ost dhe BIRN dhe financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). BMZ nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse për informacionet apo këndvështrimet e shprehura në kuadër të projektit”.