Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
TV Mitrovica
Opinione: Hapi i Ibrahim Rugovës
- 17/07/2021
- By RTV Mitrovica
Shkruan: Nexhmedin Spahiu (Arkiv, 09.06.2012)
Nëse duam të krijojmë mitin për Rugovën, ne duhet t’i glorifikojmë veprimet e tij dhe t’i injorojmë gabimet dhe lëshimet e tij të shumta. Por, nëse duam t’ia japim atij vendin e merituar në histori, atëherë Rugovën duhet parë në kompleksitetin e karakterit, intelektit, ngjarjeve dhe rrethanave
Libri i Adnan Merovcit “Një hap me Rugovën” ishte për mua një rast që të shoh në retrospektivë kritikat e mia Ibrahim Rugovës. Sa ishin ato me vend? A kam gabuar ndonjëherë, a mos e kam tepruar etj.
Libri i Adnanit është shkruar me frymë pozitiviste, që i shërben mitizimit të figurës së Ibrahim Rugovës, por megjithëkëtë përshkrimi i karakterit të Rugovës duket të jetë i saktë. Përshkrimi që i bën Adnani Rugovës në situata konkrete nuk dallon nga ajo se si e kam njohur unë Ibrahim Rugovën.
Kritika e vitit 1990
Kritika ime e parë Ibrahim Rugovës ka qenë ajo e vitit 1990, botuar në revistën e parë plurale në gjuhën shqipe “Republika” të Lubjanës, që e botonte Salih Kabashi.
Ka qenë reagimi ndaj një deklarate të Rugovës se “kush nuk pajtohet me ne, le të formojë parti tjetër”. Kjo deklaratë tingëllonte shumë natyrshëm, por mbyste dialogun që në start.
Rugova ishte lider i pakontestueshëm plot gojën demokraci, ndërkohë që zërat opozitarë vetëm i toleronte, por nuk i merrte në konsideratë, thjesht i injoronte. Këtë e thotë tërë kohën edhe Adnan Merovci në librin e tij, vetëm se këtë veti të Rugovës, Adnani e sheh me admirim.
Vërejtja ime më 1990, ishte se kësisoj Ibrahim Rugova po krijon atmosferë ku opozita e vërtetë mund të krijohet vetëm duke shkruar me grafite nëpër mure: “LDK-parti tradhtare”.
Nga perspektiva e sotme, shihet se kam pasur të drejtë, sepse fatkeqësisht ashtu edhe ndodhi. Shtatë vjet më vonë (1997) filluan të dëgjohen zëra të tillë, kurse nëntë vjet më vonë (1999) jo vetëm që shiheshin grafite “LDK-parti tradhtare”, “LDK=SPS”, por edhe aktivistët më të mirë të LDK-së u vranë dhe u etiketuan si tradhtarë.
Natyrisht, LDK nuk u bë tradhtare, por vetëm kësisoj mund të lindte opozita ndaj LDK-së në atmosferën politike të krijuar nga vetë Rugova.
Kritika për grevën e 3 shtatorit 1990
Në librin e tij, Adnan Merovci nuk flet asgjë për grevën fatale të 3 shtatorit 1990. Për këtë hap të pamatur që shkonte komplet ndesh me strategjinë që Rugova ndoqi deri më atëherë, e edhe më pas, përgjegjësia bien mbi Hajrullah Goranin dhe Sindikatat e Pavarura të Kosovës.
Me sa di unë, Rugova nuk ka qenë dakord me organizimin e kësaj greve, por nuk e kundërshtoi publikisht. Për pozicionin që kishte, dhe atmosferën politike që mbretëronte, heshtja nënkuptonte pajtim. Në atë kohë, unë kam kritikuar jo vetëm Goranin, por edhe Rugovën që nuk e kundërshtoi hapur.
Greva e 3 shtatorit 1990, i lehtësoi punën Millosheviqit për të marrë në dorë ndërmarrjet shoqërore dhe publike si dhe komunat. Greva u bë pa pasur një plan se çka pas grevës.
Rezistenca Rugoviane do të ishte shumë më e fuqishme sikur ato të mos dorëzoheshin përnjëherë ashtu siç u dorëzuan. Edhe në momentin kur do të fillonte kryengritja e armatosur, Kosova do ta kishte më lehtë sikur të mos ishte greva fatale e 3 shtatorit 1990.
Kritika për injorimin e Sanxhakut të Novi-Pazarit
Rugova me sukses u bëri ballë presioneve të Perëndimit që të merrte pjesë në jetën politike të Serbisë. Kjo ishte e arsyeshme. Por, nuk ishte i arsyeshëm injorimi total i disa forcave politike në Serbi.
Banorët e Sanxhakut të Novi-Pazarit dhe liderët e tyre politikë kanë qenë përherë të lidhur me Kosovën. Injorimi që u bënte Rugova kërkesave të tyre për bashkëpunim ka qenë i pavend, sepse atëherë interesi i Kosovës ka qenë, dhe mbetet edhe sot, zgjerimi i frontit kundër Beogradit. Me Sanxhakun, Rugova po humbiste një aleat me vlerë.
Kritika për sloganin e Rugovës “Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë”
Më 1995, nëpërmjet një teksti që u publikua si proklamatë e Partisë Republikane të Shqipërisë, e kam kritikuar deklarimin e presidentit Rugova, për Kosovën shtet neutral, i hapur si ndaj Shqipërisë edhe ndaj Serbisë, për arsye se, ky formulim, paragjykon marrëdhënie jo të mira mes Tiranës dhe Beogradit.
Pas zgjidhjes së çështjes së Kosovës, Tirana dhe Beogradi nuk kanë pse të kenë marrëdhënie të tensionuara. Kosova, e shkëputur nga Serbia, nuk ka pse të jetë neutrale. Ajo duhet të jetë, njësoj sikur edhe Republika e Shqipërisë, e orientuar kah Pakti NATO, e pse jo këtë duhet t’ia dëshirojmë edhe Serbisë.
Kjo kritikë e imja u bë qëndrim zyrtar i Partisë Republikane të Shqipërisë, më 12.12.1995. Sot, 17 vjet më pas, koha po tregon se unë kam pasur të drejtë.
Kritikat për vonesë
Rugova arriti që ta krijojë një shtet paralel komplet. Kritikat e mia më të shpeshta kanë qenë për vonesë në krijimin e grithçkafit që Rugova krijoi. Ndoshta me këto kritika e kam tepruar, jo pse nuk kam pasur të drejtë gjithnjë, madje do të thosha në çdo rast, sepse nuk po gjej asnjë rast të vetëm të kritikës sime të pavend, shikuar nga perspektiva e sotme, por sepse Rugova nuk e ka pasur lehtë.
Me kritikat e mia për hapa të vonuar, mendoj se ia kam thyer akullin për t’i bërë hapat e duhur.
Në librin e tij, Adnan Merovci, askund nuk i përmend kritikat e mia. Ndoshta nuk i ka lexuar, apo përmendja e tyre do të binte ndesh me titullin e librit “Një hap me Rugovën”, ku Adnani ngulmon se Rugova ishte një hap para të gjithë neve.
A na duhet miti për Rugovën?
Nëse duam të krijojmë mitin për Rugovën, ne duhet t’i glorifikojmë veprimet e tij dhe t’i injorojmë gabimet dhe lëshimet e tij të shumta. Por, nëse duam t’ia japim atij vendin e merituar në histori, atëherë Rugovën duhet parë në kompleksitetin e karakterit, intelektit, ngjarjeve dhe rrethanave.
Pa dyshim që Rugova është një fytyrë pozitive e historisë së Kosovës, përkundër lëshimeve dhe gabimeve. Nuk ishte fytyrë negative, siç ishte p.sh. Enver Hoxha apo Esat Toptani.
Rugova ishte pa dyshim intelektuali më i thellë i brezit të vet. Ishte lider i padiskutueshëm që me karizmin, me kulturën dhe me bagazhin intelektual impresionoi shumicën absolute të liderëve botërorë saqë këtë nuk e arriti asnjë personalitet tjetër shqiptar në histori, me përjashtim të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.
Rezultatet e politikës së Rugovës nuk duhen parë të atypëratyshme, por në kontekst historik. Frytet e politikës së tij po i shijojmë sot, sikur që frytet e politikanëve aktualë (të ëmbla apo të hidhura) do t’i shijojmë nesër.
Libri i Adnan Merovcit, edhe pse me tendencë të hapur mitizimi për Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, ka vlerë dokumentare për të gjithë ata që duan ta ndriçojnë më tutje figurën e Ibrahim Rugovës.