Mjedis

Ndotja që kërcënon lumin Ibër

  • 29/01/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Ujërat e zeza, mbeturinat komunale dhe industriale po e rrezikojnë seriozisht thesarin mbi tokë në Mitrovicë. Lumi Ibër dikur dallohej për ujë të pastër, sot i ndotur deri në përmasa shqetësuese.

Ibri kalon përmes Mitrovicës, qytet i ndarë në dy komuna, me shqiptarët shumicë në jug dhe serbët në veri.
Përderisa të dy komunitetet mbeten të ndara politikisht, ekziston një çështje për të cilën pajtohen të gjithë– niveli i lartë i ndotjes në lumin Ibër.

Fazli Azemi, një pensionist shqiptar, i cili ka kaluar një jetë të tërë duke peshkuar në brigjet e lumit Ibër, kujton se lumi dikur ishte i pacënuar.
“Lumi Ibër ka qenë një lum i jashtëzakonshëm. Ka qenë lum i pastër, ne kemi gërmuar këtu dhe kemi pi ujë,” tha ai, duke bërë me shenjë në breg të lumit.

“Njerëzit me të vërtetë nuk janë as të vetëdijshëm se sa i ndotur është dhe çfarë problemi sjell kjo ndotje,” thotë Milivoje Rajčević, një i ri serb nga pjesa veriore e Mitrovicës, i cili ankohet për mungesën e ndërgjegjësimit qytetar dhe neglizhencës institucionale.

Mbetjet industriale, mbeturinat dhe ujërat e zeza i kanë transformuar në rrjedha të ndotura lumenjtë në Kosovë. Me rritjen e rrezikut të përmbytjeve për shkak të ndryshimeve klimatike, ndotja po derdhet në tokat bujqësore. Pavarësisht kërcënimit që paraqet ndotja për furnizimin me ushqim, autoritetet po bëjnë pak për të zbutur efektet e saj negative. Ekspertët në anën tjetër alarmojnë se veprimet duhet të jenë të menjëhershme.

“Duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm,” tha hidrogjeologu Esat Peci, duke shprehur shqetësimin e tij për nivelin e lartë të ndotjes industriale që vie nga miniera e Trepçës në vendin ku bashkohet Ibri me Sitnicën.

“Në atë pjesë pothuajse nuk ka fare peshq, nuk ka faunë, për shkak të kimikateve nga mbetjet industriale të Trepçs,” shtoi Peci.

Lumi Ibër pas bashkimit me Sitnicën

Aleksandar Ćorac, profesor i ekologjisë në Universitetin në Veri të Mitrovicës, thekson se deponitë industriale nga kompleksi minerar Trepça janë të pranishme në gjithë pellgun e Ibrit.
“Përtacia njerëzore, injoranca, papërgjegjësia, varfëria në shumë nivele, interesat kuazi-elitare, për dekada janë shkaktarët kryesor të ndotjes së Sitnicës dhe Ibrit, por gjithashtu edhe të shumë lumenjëve tjerë dhe mjedisit në përgjithësi,” tha ai.

Irma Dervišević, profesoreshë e Ingjinerisë së Mjedisit në Fakultetin Teknik në Veri të Mitrovicës, paralajmëron që duke ndotur lumenjtë ne po kontaminojmë ushqimin që ne hamë.
“Edhe nëse të mbjellat nuk ujiten me ujë të kontaminuar dhe të ndotur dhe toka bujqësore nuk është në afërsi të tyre, për shkak të vërshimit të mundshëm të lumit, uji i ndotur do të arrijë te kulturat bujqësore dhe për rrjedhojë do t’i kontaminoj ato, kështu ndotësit do të hynin në zinxhirin ushqimor,” argumenton ajo.

Peshkatarët vendas ankohen se niveli i lartë i ndotjes në lumin Ibër, e ka bërë peshkun e tij të pangrënshëm për njerëzit.

“Peshqit nuk janë të ngrënshëm sepse dieta e tyre ushqimore është e ndotur nga ndotja e ujit,” tha Arif Kadriu nga Shoqata e Peshkatarëve në Mitrovicë. “Është shqetësuese që autoritet qëndrore dhe lokale nuk i kushtojnë fare vëmendje këtyre fenomeneve,” shtoi ai.

Po aq i alarmuar është edhe hidrogjeologu Esat Peci. Ai ka paralajmëruar se nivele të tilla të larta të ndotjes do të ndikojnë negativisht në shëndetin e njerëzve.

“Ndotja e lumit mund të shkaktoj po ashtu edhe sëmundje, në veçanti sëmundje autoimmune të cilat janë shumë të rrezikshme dhe gati të patrajtueshme,” vuri në dukje ai.

Ndonëse ekspertët dhe aktivistët thonë se ka nivel të lartë të ndotjes në lumin Ibër, Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore, pjesë e Mininistrisë së Mjedisit, në një përgjigje me shrkim për TV Mitrovicën, ka thënë se bazuar në monitorimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, cilësia e ujit është brenda kufijëve.

“Vlerat e rëndësishme të cilësisë së ujit rezultojnë brenda kufijve të lejuar sipas standardeve për ujërat sipërfaqësore”, shkruan Autoriteti. “Prania e oksigjenit në ujë është në nivelin e duhur për zhivillimin e faunës, të përshtatshme për ekosistemin në lum,” thuhet në përgjigje.

Ibri dikur

Rrjedhat e katër lumenjëve bashkohen në qytetin e ndarë të Mitrovicës. Lumenjtë e Lushtës dhe Trepçës derdhen në lumin Sitnica dhe ky më pas në Ibër. Lumi Ibër buron në malet Mokna Gora, përshkon Malin e Zi në lindje, Veriun e Kosovës dhe Serbinë qendrore me një gjatësi totale prej 272 kilometrash. Ibri përshkon veriun e Kosovës për 85 kilometra dhe 15 kilometra qytetin e Mitrovicës.

Xhevdet Qubreli, një peshkatar i pasionuar nga Mitrovica kujton se Ibri dikur ishte një lum i pacënuar (paprekur).
“Në të kaluarën unë dhe të tjerët jemi la në Ibër gjatë verës,” tha ai.

Shemsi Hoti një tjetër qytetar nga Mitrovica, kujton me mallë peridhën kur lumi Ibër nuk ishte i ndotur.
“Në atë kohë, ka pasë më pak ndotje sepse ka pasë më pak kompani, më pak fabrika, qyteti ka pasë më pak popullatë dhe uji ka qenë më i pastër,” kujtoi ai. “Nuk ka pasur mbeturina siç i shohim sot,” shtoi Hoti.

Arif Kadriu kujton kur kohën shkonin me familjen në piknik në brigjet e lumit në Mitrovicë.
“Kur isha fëmijë, lumenjtë tanë ishin plot jetë dhe zona të gjelbra, kishte shumë vende për të notuar dhe për të peshkuar,” tha ai. “Tani nuk ka vend të mjaftueshëm ku mund të bësh piknik, brigjet tona janë plot me mbeturina e çfarë jo.”

Esat Peci ka thënë se problemet mjedisore në lumin Ibër u intensifikuan pas luftës në Kosovë, nga viti 1999, kur njerëzit nga fshatrat e afërta – nga Suhadolli në Çabër – filluan të hedhin materiale ndërtimore nga shtëpitë e djegura në luftë, në lumin Ibër.

“Ata i hodhën mbeturinat në brigjet e lumit por shumica edhe në ujë,” tha Peci. Ai nënvizoi se një faktorë kontribues ka qenë edhe përdorimi i rërës në brigjet e lumit si material ndërtimor.
“Nga ura e tanishme e Suhadollit e deri në Vinarc të Epërm (fshatra), rëra është përdorur si material ndërtimor dhe ajo pjesë është shkatërruar dhe degraduar tërësisht,” tha Peci.

Ndotja nga ujërat e zeza

Minierat dhe industria e rëndë në qytetin e ndarë kanë lënë një trashëgimi të degradimit dhe ndotjes së mjedisit. Megjithatë mbeturinat industriale nuk janë burimi i vetëm i ndotjes së lumit Ibër.
“Në fakt, kemi të bëjmë me një nivel të ndotjes, veçanërisht me ndotësit biologjikë që vijnë nga derdhja e ujërave të zeza direkt në lum,” tha Mihone Kerolli, Profesoreshë e Shkencave të Mjedisit në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Sipas Autoritetit Rregullativ të Ujërave në Kosovë, tre impiantet e trajtimit të ujërave të zeza që aktualisht funksionojnë në tërë vendin, trajtojnë ujërat e zeza të shkarkuara vetëm nga 3.5% e popullatës që kanë qasje në kanalizim publik. Pjesa tjetër e ujërave të zeza derdhen të patrajtuara në lumenjë. Edhe pse qeveria e Kosovës ka ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtarë për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Mitrovicë, ndërtimi i tij nuk ka filluar ende.

Hidrogjeologu Esat Peci tha që kimikatet që përdoren në amvisëri derdhen në lumenjë përmes ujërave të zeza dhe deponia e mbeturinave që ndodhet pranë (në Koshtovë), e ndotin njëlloj lumin Ibër.

“Mbetjet organike (në deponinë e Koshtovës) kanë depërtuar në ujërat nëntokësore të cilat janë të lidhura me ujërat sipërfaqësore pasi furnizojnë njëra – tjetrën,” tha ai. “Sigurisht që këto ujëra nëntokësore derdhen në lumin Ibër duke i shkaktuar dëme të mëdha lumit”, shtoi Peci.

Degradimi i shtratit dhe mungesa e investimeve

Degradimi i sipërfaqeve të tokës punuese përgjatë Lumit Ibër, për periudhën kohore 2009-2018 vlerësohet se është 8.48 hektarë, sipas një raporti të Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë.

“Për shkak të nxjerrjes së zhavorit, habitatet natyrore të peshqve janë gjithmonë në rrezik,” tha Arif Kadriu nga Shoqata e Peshkatarëve.

Profesoresha Mihone Kerolli tha se megjithë investimet që janë bërë kohën e fundit në një pjesë të shtratit, pjesa më e madhe është jashtë standardeve. “Fatkeqsisht këto investime nuk po i shohim si prioritete” tha profesoresha Kerolli duke shfaqur rrezikun e mundshëm të daljes nga shtrati të lumit Ibër dhe pasojave që mund të vijnë si pasojë e vërshimeve dhe erozionit të tokës.

Në anën tjetër investimet në zgjerimin e lumit Ibër në zonën e Liqenit Akumules në Mitrovicë po kritikohen nga aktivistët për shkak të mosmirëmbajtjes. “Mos menaxhimi si duhet i asaj zone të gjerë të Ibrit, që po quhet padrejtësisht liqe artificial, po shkakton probleme të tjera meqë është bërë një lloj kënete që nuk i shërben më qëllimit fillestar që e ka pasë projekti,” tha Lulzim Hoti nga Organizata “7 Arte” në Mitrovicë.


Rreziku i Ndryshimeve Klimatike

“Ndryshimi i klimës do të ndikojë në disponueshmërinë, cilësinë dhe sasinë e ujit për nevojat elementare njerëzore,” paralajmëron UNESCO, në një raport të vitit 2020 me titull: “Nryshimet klimatike dhe uji”.

Pavarësisht paralajmërimeve të tilla, çështjet mjedisore duket se nuk janë në agjendë prioritare të autoriteteve përgjegjëse. Në Kosovë përveç iniciativave të aktivistëve të Shoqërisë Civile, bashkëpunimi institucional ndërmjet komunave me përbërje të ndryshme etnike është veçanërisht i dobët.

“Nuk kemi bashkëpunim me komunat tjera të rajonit në këtë fushë,” tha Egzon Sadiku nga Komuna Jugore e Mitrovicës, i cili shpreson se ndërtimi i impiantit për trajtimin ujërave të zeza do të zvogëloj ndotjen në lumin Ibër.

“Ndryshimet klimatike mund të kenë ndikim në ndotje në kuptimin e reshjeve më intensive dhe më të shpeshta që mund të çojnë në vërshimin e zonave ranore të lumenjëve në Kosovë, dhe rrjedhimisht në shpërndarjen e ndotësve që janë të pranishëm në këto sisteme ujore, gjë që kontribuon në ndotjen e një zone më të gjerë dhe rrjedhimisht mundësia që këta ndotës të hyjnë në një zingjir më të madh ushqimor,” është mendimi i profesoreshës Irma Dervišević.

Hidrogjeologu Esat Peci argumenton se ka nevojë për veprime të menjëherëshme për të adresuar ndotjen në lumin Ibër.

“Pothuajse gjysma e Kosovës pi ujin nga lumi Ibër dhe mbrojtja dhe sigurimi i ujit të pastër duhet të adresohet urgjentisht,” thekson ai, derisa shton se mjedisi duhet të jetë prioritet i secilit. “Bota nuk përfundon me ne,” tha Peci.

Megjithëse vendi ynë ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, profesori Aleksandar Ćorac mbetet optimist dhe i qartë për atë që duhet bërë.
“Besoj dhe shpresoj, për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë, se ne kemi forcën për të bashkuar kapacitetet tona për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve fillimisht dhe më pas për të bërë presion mbi ata që marrin vendime,” përfundoi ai./Majlinda Brahimi.

 

Falenderim për Ana Marković /GracanicaOnline për kontributin në realizimin e këtij materiali

“Ky material është publikuar në kuadër të projektit “Going Environmental” i menaxhuar nga n-ost dhe BIRN dhe financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). BMZ nuk është në asnjë mënyrë përgjegjëse për informacionet apo këndvështrimet e shprehura në kuadër të projektit”.