Arkiv
Ballkani në TikTok: Kambana alarmi mbi qasjen e fëmijëve në aplikacion
- 11/02/2022
- By RTV Mitrovica
Mosha minimale e kërkuar për të hapur një llogari në TikTok nuk ka bërë asgjë për të ndaluar mijëra fëmijë në Ballkan nën moshën 13 vjeç që të kenë qasje në aplikacionin me video të shkurtra. Një anketim i BIRN zbulon se prindërit dhe mësuesit po hasin vështirësi të qëndrojnë në krye të rreziqeve të përfshira.
Djali u sigurua që t’u kërkonte leje prindërve. Kur ata thanë “Jo”, ai hapi gjithsesi një “llogari sekrete”. Ai ishte vetëm 14 vjeç dhe tashmë po lundronte në TikTok pa asnjë mbikëqyrje.
Kaluan gjashtë muaj përpara se prindërit e tij ta zbulonin dhe djali nga qyteti portual shqiptar i Durrësit ishte mashtruar që të shkarkonte një aplikacion për fotografi që përmbante ato që ai i përshkroi si “foto të sikletshme”, pa dhënë detaje.
Djali adoleshent, i cili si të miturit e tjerë të intervistuar për këtë histori foli në kushte anonimiteti me lejen e kujdestarit të tij ligjor, është vetëm një nga një numër në rritje fëmijësh ballkanas që përdorin shërbimin e këtij aplikacioni kinez bazuar në video të shkurtra, faqja më e popullarizuar në vitin 2021, sipas Cloudflare me seli në SHBA.
BIRN ka zbuluar se shumë nga ata fëmijë janë nën moshën minimale të kërkuar prej 13 vjeç dhe disa po përdorin rregullisht TikTok-un nga mosha gjashtë ose shtatë vjeç në dijeninë e plotë të prindërve të tyre.
Një anketim i BIRN dhe dhjetëra intervista ballë për ballë me mësues, prindër dhe fëmijë tregojnë për një “hendek teknologjik” që do të thotë se shumë prindër nuk janë të vetëdijshëm se çfarë rrezikojnë fëmijët e tyre me këtë shërbim.
Më shumë se dy të tretat e prindërve thanë se fëmijët e tyre hapën llogari në TikTok para moshës 13 vjeç, gjysma e tyre pa pëlqimin e prindërve. Njëzet e pesë për qind e prindërve thanë se kishin vënë re përmbajtje potencialisht të dëmshme.
Ekspertët thonë se fëmijët janë veçanërisht të cenueshëm ndaj talljeve dhe ngacmimeve në internet dhe shpesh prindërit nuk e vënë re këtë derisa tashmë është tepër vonë.
Mund të ketë një ndalim të qasjes në rrjetet sociale para moshës 13 vjeçare, por në Serbi, për shembull, “nuk ka kontroll në këtë drejtim”, tha eksperti i komunikimeve digjitale, Nikola Ristic.
“Prindërit shpesh nuk dinë mjaftueshëm se si t’u qasen fëmijëve gjatë mësimit të tyre informal, i cili është i pranishëm që në moshën më të hershme të një fëmije kur bëhet fjalë për internetin dhe konsumin e përmbajtjes.”
Udhëzuesi i përdorimit të TikTok-ut thotë se është “thellësisht i përkushtuar për të garantuar sigurinë e të miturve në platformë dhe nuk toleron aktivitete që përjetësojnë abuzimin, dëmtimin, rrezikimin ose shfrytëzimin e të miturve në TikTok”.
BIRN kontaktoi TikTok për të komentuar por nuk mori përgjigje deri në kohën e publikimit të artikullit.
Sipas gjetjeve të BIRN:
● Gjashtëdhjetë e nëntë për qind e prindërve të anketuar thanë se fëmijët e tyre hapën llogari para moshës 13 vjeçare, duke shkelur termat e përdorimit
● Rreth 52 për qind e prindërve thanë se nuk kishin dhënë pëlqimin që fëmija i tyre të hapte një llogari në TikTok
● Njëzetë e pesë përqind e prindërve thanë se ata vunë re përmbajtje të rrezikshme ose të papërshtatshme
● Rreth 82 për qind e mësuesve thanë se ata vetë nuk përdorin TikTok
● Tetëdhjetë e shtatë për qind e tyre thanë se nuk janë në dijeni se çka postojnë nxënësit e tyre; e njëjta përqindje thanë se nuk e dinë çka ndjekin nxënësit e tyre online
Gjashtë vjeç dhe tashmë me një llogari në TikTok
Zyrtarisht, TikTok nuk i lejon fëmijët nën moshën 13-vjeçare të hapin një llogari. Deri në moshën 16-vjeçare, përdoruesit janë subjekt i kufizimeve të tjera: për shembull, llogaria e tyre është private si parazgjedhje; ata nuk mund të përdorin mesazhe të drejtpërdrejta ose të organizojnë një transmetim të drejtpërdrejtë; dhe përmbajtja që ata ndajnë nuk do të jetë e dukshme si përmbajtje e sugjeruar për përdoruesit e tjerë. Përdoruesit më të rinj se 18 vjeç nuk mund të dërgojnë ose marrin dhurata virtuale.
Megjithatë, 69 për qind e prindërve të anketuar, përfshirë ata që janë gjithashtu mësues, i thanë BIRN se fëmijët e tyre hapën llogari përpara se të mbushnin 13 vjeç.
Rreth 52 për qind thanë se nuk u kishin dhënë fëmijëve të tyre pëlqimin për të përdorur aplikacionin.
Mbi 63 për qind e prindërve, përfshirë ata që janë gjithashtu mësues, thanë se janë në dijeni të asaj që shikojnë fëmijët e tyre në TikTok, ndërsa 66 për qind thanë se janë në dijeni të përmbajtjes që postojnë fëmijët e tyre.
Të anketuarit thanë se fëmijët e tyre shohin video kërcimi, këngëtarë, sporte, lojëra, video për të qeshur, influencues ose përmbajtje të postuara nga miqtë. Shumica thanë se, ndërsa ata vetë nuk e përdorin aplikacionin, ata e njohin atë.
Një nënë e dy fëmijëve në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila foli në kushte anonimiteti, tha se fëmijët e saj, të moshës shtatë dhe 13 vjeç, e kishin përdorur aplikacionin vitin e kaluar. Gruaja tha se “sipërfaqësisht” e njihte aplikacionin.
Disa prindërve nuk u dukej shumë problem përdorimi i aplikacionit nga fëmijët e tyre përpara moshës 13-vjeçare.
Hasime Tahiri Hasani, nga qyteti i Mitrovicës në Kosovë, tha se vajza e saj nëntë vjeçare “përdor TikTok kryesisht për të treguar talentin e saj në kërcim ose për të bërë ndonjë montazh videosh dhe ndoshta kjo është diçka pozitive” për sa i përket përvetësimit të një aftësie.
Ivo Djokic, gjithashtu nga Mitrovica, tha se djali i tij gjashtë vjeçar kishte “mësuar shumë mirë anglisht” falë përdorimit të tij të TikTok dhe YouTube.
Një grua tjetër në Bosnje, e cila foli përsëri me kusht që të mos i përmendej emri, tha se nuk kishte parë asnjë ndikim negativ të kësaj te vajza e saj tetë vjeçare.
“Ajo mëson gjëra të ndryshme me këtë rrjet dhe i përsërit ato në jetën e saj të përditshme, me miqtë, në shkollë, në lojë, duke imituar disa përdorues TikTok-u”.
“Nuk kam vënë re që fëmija im të imitojë ndonjë nga këto sfida, por, përkundrazi, imiton TikTokers individualë që ajo i ndjek rregullisht.”
Një vajzë 12-vjeçare nga Durrësi tha se prindërit e saj e kishin lejuar të hapte një llogari në TikTok, “me kusht që ta përdorë para tyre”.
Ndërsa disa prindër shohin pak dëm, të tjerë – ose pak më shumë se 25 për qind në anketimin e BIRN – thanë se kishin vënë re postime potencialisht të rrezikshme, që zakonisht përmbajnë përmbajtje seksuale, tallje për fizikun ose sfida të lidhura me trupin, përdorim të drogës ose alkoolit ose shaka që mund të shkaktojnë dëm.
Zijada Karic, një nënë e dy fëmijëve në Bosnje, tha se djali i saj 11-vjeçar “përdori TikTok derisa dëgjoi se një vajzë u vra për shkak të një sfide që po qarkullonte në rrjetin social”.
Megjithatë, vajza e saj nëntë vjeçare përdor gjithashtu TikTok. “Por ajo shikon kryesisht video për të qeshur të përshtatshme për moshën e saj”, tha Karic për BIRN.
Disa fëmijë të intervistuar nga BIRN treguan për shikimin e përmbajtjeve të dëmshme. Një vajzë 12-vjeçare në Kosovë tha se kishte parë një video të “një personi që vret veten”.
Në Shqipëri, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, CRCA, hapi një linjë ndihme në Safe.al kushtuar problemeve në internet me të cilat përballen fëmijët. Ndërsa shumica e ankesave kishin të bënin me YouTube-in dhe Instagram-in, tha drejtori i CRCA Altin Hazizaj, “vitin e kaluar dhe këtë vit TikTok-u ka qenë një nga platformat mbizotëruese të ankesave të fëmijëve, veçanërisht në rastet e bullizmit”.
“Janë kryesisht video për të qeshur, por jo të përshtatshme për fëmijët”, tha ai për BIRN.
Për sa i përket kohës që kalojnë në internet, 43 për qind e prindërve të anketuar thanë se fëmijët e tyre shpenzojnë deri në një orë në ditë në TikTok. Megjithatë, shumica e fëmijëve me të cilët foli BIRN thanë se kjo ishte më shumë, një deri në tre orë në ditë.
Një djalë 13 vjeçar në Durrës tha se ndjek “video me eksperimente me kola dhe karamele me mente ose pastë dhëmbësh”. Një tjetër, 12 vjeç, tha se i pëlqenin “videot për të qeshur dhe se ndonjëherë i bëj edhe vetë këto video”.
Shqetësime për ndikimin në vëmendje
I themeluar në vitin 2016, TikTok ka arritur të sfidojë me shpejtësi popullaritetin e Facebook tek të rinjtë.
“Kryesisht, audienca e re po humbet interesin për Facebook-un sepse një përqindje e madhe e njerëzve midis moshës 35 dhe 65 vjeç janë të pranishëm atje dhe për këtë grup ka më shumë përmbajtje”, tha analisti mediatik boshnjak Amel Petrovic.
Ndërsa Facebook dhe Instagram modifikojnë algoritmet e tyre në mënyrë që një numër i kufizuar njerëzish të mund të shohin një postim, “TikTok ka burime të pakufizuara,” tha Petrovic për BIRN.
“Kur ngarkoni një video, keni mundësinë të arrini disa qindra mijëra njerëz pa përdorur opsionin e sponsorizimit të kësaj videoje.”
Për fëmijët, kjo do të thotë gjithashtu një ekspozim më i madh potencial ndaj përmbajtjeve të rrezikshme dhe ndaj individëve të rrezikshëm në internet.
“Videot e shkurtra kanë dëshmuar se janë një mënyrë shumë e mirë për ‘të tërhequr’ dhe mbajtur përdoruesit në aplikacion për një kohë të gjatë, jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit”, tha Bozidar Dimic, një mësues në Serbi.
Psikologu kosovar Naim Telaku paralajmëroi se një përmbajtje e tillë e shpejtë dhe e shkurtër ka ndikim në shtrirjen e vëmendjes.
“Nëse vëmendja stërvitet të funksionojë në këtë mënyrë, atëherë fëmija do të humbasë aftësinë për t’u përqendruar në aktivitete të ndryshme, do të humbasë aftësinë për t’u fokusuar, do të humbasë aftësinë për të menduar logjikisht, për të racionalizuar dhe ajo që është shumë e rëndësishme, mund të humbasë aftësinë për të mësuar përmbajtje në klasë, mund të humbasë aftësinë për të mësuar aftësi dhe njohuri të përgjithshme”, tha Telaku për BIRN.
Shumë prindër të anketuar thanë se edhe mësuesit kanë një detyrim për t’i edukuar më mirë fëmijët për anët negative dhe rreziqet e mundshme të rrjeteve sociale.
Por 87 për qind e mësuesve të anketuar nga BIRN, përfshirë ata që janë gjithashtu vetë prindër, thanë se nuk janë në dijeni të përmbajtjes që postojnë nxënësit e tyre. E njëjta përqindje thanë se nuk e dinë se çfarë ndjekin nxënësit e tyre online. Tetëdhjete dy për qind nuk përdorin TikTok.
“Çdo mësues që kujdeset për arsimin dhe profesionin e tij mund të lërë mënjanë një segment për të folur me nxënësit rreth sigurisë në internet”, tha Emina Bekovic nga Qendra Kombëtare e Kontaktit e Serbisë për Sigurinë e Fëmijëve në internet, një organ shtetëror i krijuar në vitin 2017 për t’u marrë me çështjen e sigurisë kibernetike të fëmijëve.
Natasa Kolevska, një mësuese e IT në një shkollë fillore në Maqedoninë e Veriut, tha për BIRN: “Ne në shkollë flasim vazhdimisht me ta për këtë temë dhe po përpiqemi t’u vëmë në dukje të gjitha kurthet me të cilat mund të përballen.”
“Në të njëjtën kohë, ne i drejtojmë ata që nëse përdorin TikTok-un, ta përdorin atë për të shfrytëzuar një përmbajtje që do të jetë e dobishme për edukimin e tyre ose edukimin e bashkëmoshatarëve të tyre.”
Profesori Hasija Dedovic, një mësues shkolle të mesme në Sarajevë, tha se shkolla e tij kishte realizuar orë të posaçme dhe seminare në internet mbi sigurinë në internet për fëmijët dhe prindërit.
Rreth 34.5 për qind e mësuesve, përfshirë edhe ata që janë vetë prindër, thanë se shkollat ku ata punojnë kanë një “strategji arsimore” në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në mjedisin digjital.
Por 58 për qind thanë se nuk kanë marrë ndonjë trajnim se si të përgjigjen nëse vërejnë dhunë kibernetike midis fëmijëve. Pothuajse 62 për qind thanë se nuk e dinin nëse ndonjë nga nxënësit e tyre kishte qenë viktimë e ngacmimit kibernetik. Pothuajse 31 për qind thanë “Jo” dhe shtatë për qind thanë “Po”.
“Bashkëbisedimi është tepër i rëndësishëm”
Të pyetur nëse e kufizojnë mënyrën në të cilën fëmijët e tyre përdorin TikTok-un, pothuajse 39 për qind e prindërve të anketuar thanë “Po”. Shumica e tyre thanë se fëmijët e tyre janë të udhëzuar të mos komunikojnë me të huaj ose të ndajnë ose zbulojnë në asnjë mënyre informacione të tyre personale.
TikTok ofron gjithashtu mënyra për të kufizuar sasinë e kohës që një fëmijë shpenzon në aplikacion dhe përmbajtjen që mund të shikojë.
Një grua në Bosnje, nënë e një vajze tetëvjeçare, tha se “monitorimi i duhur” i kohës që kalon një fëmijë në një smartphone mund të ndikojë në mënyrën se si fëmija zhvillohet dhe “të shmangë të gjitha ato ndikime negative”.
Ajo dhe të tjerë folën për rëndësinë e bashkëbisedimit dhe të ndërtimit të besimit.
“Unë nuk vendos ndalime”, tha babai i tre fëmijëve, Arif Kadriu, nga Mitrovica, i cili i tha BIRN-it se e inkurajon djalin e tij të kontrollojë sfondin e videove të TikTok për të parë se kush i ka bërë ato dhe ku.
“Kufizimet bazohen në bashkëbisedim”, tha Kadriu. “Mendoj se mënyra më e mirë është bashkëbisedimi dhe shpjegimi i jetës përmes rrjeteve sociale.”
Bekovic, e Qendrës Kombëtare të Kontaktit të Serbisë për Sigurinë e Fëmijëve në Internet, ra dakord se bashkëbisedimi “është shumë i rëndësishëm”.
Prindërit, tha ajo, duhet “të përmirësojnë aftësitë e tyre digjitale dhe të informojnë veten dhe fëmijën për masat mbrojtëse dhe mënyrat për të njohur rreziqet”.
“Ata duhet të flasin hapur me fëmijët e tyre, të ndërtojnë një marrëdhënie të bazuar në besim dhe t’i bëjnë fëmijët të ndihen të lirë t’u drejtohen atyre për çdo gjë.”
Hazizaj, nga CRCA në Shqipëri, tha për BIRN se nëse fëmijët nuk flasin me prindërit e tyre dhe për problemet me të cilat përballen në internet, “mbrojtja bëhet shumë herë më e vështirë”.
Jelena Vukicevic, një psikologe në Qendrën Edu, tha se thjesht ndalimi i fëmijëve nga përdorimi i TikTok-ut nuk ishte zgjidhja.
“Nuk mjafton të thuash ‘Lëre atë, është e keqe, mos e përdor, ne të ndalojmë’”, tha Vukicevic për BIRN.
“Nuk do të mjaftojë që shumica e fëmijëve të ndalojnë. Ata do të gjejnë mënyra të tjera për të përdorur atë që përdorin bashkëmoshatarët e tyre. Pra, prindërit duhet të informohen për të gjitha llojet e rrjeteve të mundshme që përdorin fëmijët e tyre dhe sërish të mbajnë një kanal të hapur komunikimi me ata fëmijë, të tregojnë një interes të vërtetë autentik për atë që po ndodh në rrjetet sociale.”
Autorë: Ivana Jeremic, Milica Stojanovic
Ilustrimi dhe grafikat: Igor Vujcic/BIRN
Raportim shtesë nga Denisa Canameti nga Pro Pacientit, Geri Emiri nga Media Amfora, Erisa Kryeziu nga Citizens Channel, Tirana Bytyqi dhe Rina Koliqi nga ÇOHU, Majlinda Brahimi dhe Fatmir Hajzeri nga TV Mitrovica, Semira Degermendžić nga Fokus, Enes Elmedićvić dhe Elmedina Šabanović nga Tacno.net, Tatjana Mrđa nga Udar, Selma Jatić nga TV Slon dhe Zaklina Cvetkovska nga Kumanovo news.