Lajme
Zjarret në fshatrat e Mitrovicës: Hamza falënderon zjarrfikësit, banorët dhe të gjithë ata që ndihmuan në momentet e vështira
- 11/08/2025
- By RTV Mitrovica

Zjarre të mëdha kanë përfshirë të dielën fshatin Kçiq dhe zonat përreth në komunën e Mitrovicës, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe pronën e banorëve në këtë lokalitet. Raportohet edhe për shtëpi të djegura.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe në lagjet rrëzë kodres së Çernushës, e cila po digjej gjithashtu.
Foto: Kemajl Behrami
Zjarrfikësit, të ndihmuar nga banorët, kanë luftuar pa ndërprerë me flakët dhe kanë qëndruar edhe gjatë natës për të parandaluar përhapjen e tyre.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka qenë gjatë gjithë kohës pranë banorëve të prekur. Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë situatë emergjente.
“Sot, gjatë gjithë ditës, banorët e fshatit Kçiq janë duke u përballur me zjarret, të cilat po vazhdojnë edhe në këto orë. Si Kryetar i Komunës së Mitrovicës, jam në vendin e ngjarjes për ta përcjellë nga afër situatën dhe për të bërë çdo gjë që mundem! Faleminderit nga zemra zjarrfikësve për profesionalizmin dhe përkushtimin, banorëve për bashkëpunimin dhe të gjithë atyre që po ndihmojnë në këto momente të vështira,” ka shkruar Hamza të dielën.
Mëngjesin e sotëm, mbi qiellin e Mitrovicës janë parë helikopterë të KFOR-it me boca uji, të angazhuar në shuarjen e zjarreve. Situata duket më e qetë dhe mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.