Lajme

“Zgjoi” shfaqet sërish të premtën në Mitrovicë

  • 20/01/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Në Qendrën e Kulturës, “Rexhep Mitrovica”, mbrëmë është shfaqur premiera e filmit “Zgjoi”.
Filmi “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, me Yllka Gashin në rolin kryesor, është filmi më i suksesshëm i kinematografisë shqiptare deri me sot.

Fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare si dhe është filmi kandidat i Kosovës për Oscars 2022, ku për herë të parë Kosova ka gjasa reale që të shpërblehet me çmimin më prestigjioz kinematografik në botë.

Filmi trajton një ngjarje të vërtetë të Kosovës, respektivisht flet për historinë prekëse dhe inspiruese të Fahrije Hotit, zhurmon për gratë e Krushës, heroinat që i mbijetuan luftës e pas luftës, i mbijetuan mendësisë e normave shtypëse të kësaj shoqërie.

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, ka falënderuar producentin e filmit, Ylli Uka dhe regjisoren e filmit Blerta Basholli, që mundësuan shfaqjen e filmit “Zgjoi” në Mitrovicë.

Filmi do të vazhdoj të shfaqet edhe ditën e Premte, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, me çmim të biletës prej 2 euro, ndërsa paratë e mbledhura nga shitja e biletave do t’i dedikohen OJQ “Handikos” dhe OJQ “Down Syndrome Kosova “.