Lajme

Vetëm një kandidat i përgjigjet ftesës për diskutim nga organizatat e shoqërisë civile

  • 01/10/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Organizatat joqeveritare REC – Reconciliation Empowering Communities në bashkëpunim me Demokracy Plus (D+) kanë organizuar diskutimin publik me kandidatët për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut, qytetarëve dhe shoqërisë civile.

Në takim u diskutua rreth prioriteteve gjatë mandatit të ardhshëm si dhe kërkesave të qytetarëve që janë identifikuar përmes Forumit për Dialog Qytetar në qytetin e Mitrovicës.

Paraprakisht, gjatë muajit Gusht, në Komunën e Mitrovicës së Jugut janë organizuar tri diskutime me qytetarë. Në debatin e parë është diskutuar për problemet e përgjithshme, në të dytin për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit, dhe në të tretin për Dialogu social për punë të dinjitetshme për gra, burra dhe rini në nivel lokal. Në këto tri diskutime kanë marrë pjesë gjithsej 32 qytetarë, prej të cilëve 34% kanë qenë gra, dhe 66% kanë qenë burra. Nga tri diskutimet, qytetarët kanë ngritur 43 prioritetet të cilat, sipas tyre, duhet të adresohen nga qeverisja e ardhshme lokale.

Të ftuar në diskutim ishin tre kandidatët për kryetar komune, mirëpo vetëm kandidati z. Armend Agolli nga radhët e LDK-së iu përgjigj ftesës.

Kurse, pjesëmarrës ishin qytetar, aktivist dhe organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në Mitrovicë: Handikos Mitrovicë, Handicap Kosova, Shoqata e Peshkatarëve “Ibri”, Shoqata Kulturore “Ad Libitum”, Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve, Përparimi Rinor i Ashkalinjëve të Mitrovicës, Qendra për Dekonstruksion Social, Ad Libitum, RINAS, Asociacioni i Grave për të Drejtat e Njeriut në Mitrovicë, Grupi joformal i ambientalistëve të Mitrovicës. Këtë takim po ashtu e vëzhguan zyrtarë nga Misioni i BE-së në Kosovë -EUEOM, si dhe Misioni i OSCE-së.

Ky takim u organizua në kuadër të Forumit për Dialog Qytetar që financohet nga Olof Palme International Center, mbështetur nga Demokraci Plus (D+), përmes projektit “Pikëpamjet për Zgjedhjet Lokale 2021”, dhe implementohet nga organizata partnere OJQ REC – Reconciliation Empowering Communities.