Lajme
Vazhdon diskutimi publik për Hartën Zonale Komunale në Mitrovicë
- 01/04/2022
- By RTV Mitrovica
Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm, po vazhdon me mbajtjen e diskutimeve publike me qytetarë për Hartën Zonale Komunale.
Të premtën diskutimi u mbajt me banorët e lagjeve “Bair”, “Ura e Gjakut” dhe “Vaganicë”.
Drejtori Edison Ternava ka folur për rëndësinë e këtij dokumenti që ka për qëllim që t’i jap zgjidhje zhvillimit dhe regjenerimit të qytetit.
Ai ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të kontribuojnë përmes dhënies së komenteve, vërejtjeve dhe propozimeve në hartimin final të Hartës Zonale Komunale.
Prezantimi i Draftit të Hartës Zonale është bërë nga shefi i Sektorit të Urbanizmit, Nexhmi Hasani, dhe kompania projektues “INSI”, të cilët kanë elaboruar para të pranishmëve edhe këtë draft-dokument.
Hasani, ka thënë se qëllimi i këtij takimit është që qytetarët të informohen me procesin e hartimit të HZK-së, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të baraspeshuar të planifikimit hapësinorë në territorin e komunës, përmes qeverisjes së mirë, shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, mbrojtjes së mjedisit dhe të trashëgimive natyrore dhe kulturore.
Qytetarët që morën pjesë në këtë takim kanë dhënë edhe vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me pjesën urbanistike të paraparë në kuadër të kësaj harte.
Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm do të vazhdoj të mbaj diskutime të tilla edhe në vijim, ndërsa qytetarët të gjitha komentet, vërejtjet, sugjerimet dhe pikëpamjet mund t’i japin edhe përmes Ueb Faqes së Komunës https://kk.rks-gov.net/mitroviceejugut/ ose drejtpërdrejt tek zyrtari përgjegjës z.Nexhmi Hasani (email: nexhmi.hasani@rks-gov.net).