Lajme
Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të Ditëve të Diasporës
- 20/07/2022
- By RTV Mitrovica
Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të Ditëve të Diasporës
Në kuadër të “Ditëve të Diasporës” që mbahet tradicionalisht çdo vit, edhe gjatë kësaj vere do të ketë program të pasur artistik e sportiv.
Ditët e diasporës u hapën me 15 korrik me Premierën e shfaqjes teatrale në Teatrin e qytetit “Muharrem Qena”, duke vazhduar me Edicionin e 12 të festivalit tradicional Green Fest.
Gjatë datave 18-24 korrik, klubet sportive në qytetin tonë do të shfaqin aktivitetin e tyre, duke promovuar talentet dhe duke i’u dhënë hapësirë edhe sportdashësve të tjerë të kenë mundësi të bashkangjitën.
Për çdo mbrëmje do të shihni atraksione sportive në sheshin “Isa Boletini” duke filluar nga ora 20:00, ku pjesëmarrës do të jenë klubet e Xhudos, Shahut, Tenisit, Pingpongut, Basketbollit, Futsallit, Gjimnastikës, Futbollit, Boksit dhe Volejbollit.
Atraksionet Sportive u hapën nga Judo Klub “Trepça” me xhudistët e talentuar, dhe do përmbyllen nga Klubi i Volejbollit të femrave.
Me datë 21 korrik, Mondrama “Cili je, Cila je” e aktorit mitrovicas Bedri Selmani, do të shfaqet në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” me fillim nga ora 20:00, dhe biletat do jenë falas për pjesëmarrësit.
Ndërsa përmbyllja e Ditëve të Diasporës shënohet me 21- 23 korrik, ku bëhet hapja zyrtare e Manifesta Bienale në Mitrovicë, në lumin Ibër afër urës kryesore.