Lajme

U përkujtua 24 vjetori i masakrës së tregut në Mitrovicë

  • 14/03/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

U përkujtua 24 vjetori i masakrës së tregut në Mitrovicë

Sot në Mitrovicë janë përkujtuar viktimat e masakrës së tregut që ndodhi 24 vite më parë, ku në tregun kryesor të qytetit, forcat serbe sulmuan me minahedhës tregun i cili ishte përplot me njerëz.

Përfaqësues të institucioneve komunale në krye me kryetarin e komunës, z. Bedri Hamza, drejtorë të drejtorive komunale, familjarë të martirëve, si dhe familjarë të viktimave u mblodhën në vendin e ngjarjes për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë.

Në fjalën e tij kryetari z. Bedri Hamza, tha se sot po bëhen 24 vjet nga hedhja e granatës në këtë vend, ku kanë humbur jetën shtatë qytetarë të Mitrovicës dhe qindra të tjerë të pafajshëm janë plagosur, të cilët edhe sot vuajnë dhe jetojnë me ato pasoja.

“Këtu janë vrarë njerëz të pafajshëm të cilët kanë qenë duke punuar, duke krijuar të ardhura për vete dhe familjen, si dhe duke bërë furnizime për familjarë. Realisht ishte një masakër në tregun e Mitrovicës ndaj qytetarëve të lirë dhe të pafajshëm të këtij vendi. Andaj sot shprehim nderimet dhe respektin për të gjithë ata qytetarë që kanë pësuar nga hedhja e granatës”, ka thënë kryetari Hamza.