Lajme
Sigurohet parcela për ndërtimin e objektit të ri të QMF-së në Stan Tërg
- 20/05/2022
- By RTV Mitrovica
Është nënshkruar marrëveshja për dhënien në shfrytëzim të parcelës nr. 146-0 në zonën kadastrale në Stan Tërg nga ana e Kompanisë Trepça SH.A. dhe Komunës së Mitrovicës, me qëllim të ndërtimit të objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Stan Tërg.
Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i komunës, Bedri Hamza dhe u.d. Drejtori Ekzekutiv i Trepça SH.A, Enis Abdurrahmani.
Menaxhmenti dhe Bordi i Drejtorëve të Trepça SH.A aprovoi kërkesën e parashtruar nga Komuna e Mitrovicës përmes Drejtorisë për Shëndetësi për dhënien në shfrytëzim të parceles nr.146-0, me qëllim të ndërtimit të QMF-së në Stan Tërg, meqenëse Komuna nuk ka pasur pronë komunale në atë lokacion.
Komuna e Mitrovicës në buxhetin komunal të vitit 2022 e ka planifikuar ndërtimin e objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe tashmë ka filluar procedurat administrative për zbatimin e projektit në fjalë.