Lajme
Shoqata Bamirëse “Bereqeti” merr përsipër renovimin e 5 shtëpive në Mitrovicë
- 01/02/2023
- By RTV Mitrovica
Shoqata Bamirëse “Bereqeti” merr përsipër renovimin e 5 shtëpive në Mitrovicë
Kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, sot ka pritur në takim drejtorin e Shoqatës Bamirëse “Bereqeti”, z. Behxhet Ajvazi, sekretarin e kësaj shoqate, z. Xheladin Fazliu, si dhe koordinatorët e shoqatës në Mitrovicë, z. Cena Bala dhe z. Armend Haxhiu.
Në këtë takim është biseduar lidhur me situatën në komunë pas vërshimeve dhe për dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.
Kjo shoqatë e cila funksionon në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës duke parë situatën e krijuar pas vërshimeve në Mitrovicë, ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë komunën me renovimin e 5 shtëpive për familjet e prekura nga vërshimet.
Po ashtu Shoqata Bamirëse “Bereqeti” së bashku me shoqatën “Swiss Barakah Charity” me seli në Zvicër do të bëjnë shpërndarjen edhe të 30 pako ushqimore dhe higjienike dhe nga një zarf në vlerë 40 euro për këto familje.
Kryetari z. Hamza ka falënderuar Shoqatën “Bereqeti” dhe stafin e saj për ndihmën dhe solidaritetin e treguar ndaj familjeve që kanë pësuar dëme të shumta në shtëpitë e tyre nga vërshimet.