Lajme
Shënohet 6 qershori Dita e Dëshmorëve të Mitrovicës
- 06/06/2023
- By RTV Mitrovica

Shënohet 6 qershori Dita e Dëshmorëve të Mitrovicës
Sot në Mitrovicë po kujtohen dëshmorët e rënë në luftën e fundit çlirimtare, ku me aktivitete të ndryshme përkujtimore e kulturore organizuar nga komuna po shënohet 6 qershori- Dita e Dëshmorëve.
Për të nderuar luftën e lavdishme të UÇK-së, të gjithë ata që luftuan, në veçanti për të nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe familjeve të tyre, kryetari i komunës, z.Bedri Hamza së bashku me nënkryetarin z.Arian Tahiri, drejtorë të drejtorive komunale, kanë bërë homazhe dhe kanë vendos lule të freskëta, në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.
Pjesëmarrës në këto homazhe ishin edhe përfaqësues të institucioneve tjera lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.
Përveç homazheve, nën patronazhin e kryetarit të komunës, z. Bedri Hamza dhe në bashkëpunim me Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, sot është mbajtur edhe manifestimi qendror në sheshin “Mehë Uka”, kushtuar Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Mitrovicës.
Në fjalën e tij, kryetari z. Bedri Hamza, tha se jemi mbledhur këtu që të shënojmë një ditë të veçantë, ditën e dhimbjes, por edhe të krenarisë së madhe 6 qershorin Ditën e Dëshmorëve të Mitrovicës, ditën e heronjve tanë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë ditë, me respekt të thellë, i kujtojmë dhe i nderojmë dëshmorët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta. Lavdi për të gjithë dëshmorët”, është shprehur ndër të tjerash kryetari z.Hamza.