Lajme
Shabani premton mbështetje më të madhe për Qendrat e Mjekësisë Familjare
- 28/01/2022
- By RTV Mitrovica
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi Dr.Fahri Shabani, ka vizituar Qendrat e Mjekësisë Familjare në Iliridë, Vaganicë, Shipol, Zhabar, Shupkovc, Bair 1 dhe Bair 2 si dhe Ambulancat e Mjekësisë Familjare në Broboniq, Gushavc e Fidanishte.
“Përkundër numrit të kufizuar të mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve të tjerë shëndetësorë këto institucione të Kujdesit Parësor Shëndetësorë me sukses po ia dalin të ofrojnë shërbimet e nevojshme shëndetësorë për qytetarët edhe në këtë situatë të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid- 19, që po shoqërohet edhe me rritjen e fluksit të pacientëve edhe në Kujdesin Parësor Shëndetësorë”, ka thënë drejtori Shabani.
Gjatë këtyre vizitave drejtori Shabani u njoh për së afërmi me kushtet e punës, nevojat dhe specifikat për secilën QMF dhe AMF.
Me këtë rast, ai ka falënderuar punëtorët shëndetësorë për punën e madhe, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në këto rrethana aspak të lehta dhe i siguroi ata që do të punojnë së bashku për kompletimin e stafit me mjekë, infermierë dhe punëtorë të tjerë shëndetësorë, përmirësimine furnizimit me barna dhe material mjekësor si dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës në të gjitha institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësorë në Komunën e Mitrovicës.