Lajme
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë e përgatitur për valën e rritjes së numrit të rasteve me Covid -19
- 18/07/2022
- By RTV Mitrovica
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë e përgatitur për valën e rritjes së numrit të rasteve me Covid -19
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Dr. Fahri Shabani se bashku me shefin e sektorit administrativ të kësaj drejtorie, Berat Jashari, kanë zhvilluar një takim me drejtorin e QKMF-së, Dr. Fevzi Sylejmani, kryeshefen e Mjekësisë Familjare Dr. Sanije Nimoni- Klinaku, shefen e Njësisë së Vaksinimit të QKMF-së,
Dr.Shefkate Sylejmani, kryeinfermieren e QKMF-së, znj. Meleke Morina dhe kryelaborantin e Laboratorit të Analizave në QKMF, z. Hazbi Bunjaku.
Qëllim i këtij takimi ishte niveli i gatishmërisë së QKMF-së dhe njësive të saj për tejkalimin me sukses të valës se rritjes së numrit të të infektuarve më Covid-19.
Zyrtarët e QKMF- së, njoftuan Drejtorinë e Shëndetësisë se QKMF më gjithë mungesën e theksuar të mjekëve dhe infermierëve është e përgatitur që edhe gjatë kësaj vale të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid -19, të ofrojë shërbime shëndetësore cilësore dhe efektive për qytetarët e infektuar me Covid por edhe për qytetarët me probleme dhe nevoja të tjera shëndetësore.
Për qytetarët të cilët kanë nevojë për shërbime shëndetësore ose konsulta eventuale mund të telefonojnë 24 orë në numrin e sektorit të Urgjencës së QKMF-së, 194. Po ashtu ata mund të marrin terapinë ditore parenterale (infuzione dhe injeksione) në Qendrën anti-Covid në kuadër të QKMF-së. Në Laboratorin e analizave mund të kryhen testet për Covid-19, ndërsa në Njësinë e Vaksinimit mund të vaksinohen me të gjitha dozat e vaksinave anti-Covid.
Drejtoria për Shëndetësi, njofton qytetarët e komunës së Mitrovicës, se QKMF dhe të gjitha njësitë e saj janë të furnizuar mjaftueshëm me barna, material mjekësor, teste dhe vaksina anti-Covid.
Po ashtu, Drejtoria për Shëndetësi iu bënë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në këtë periudhë të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19, të respektojnë masat parandaluese dhe të vaksinohen me të gjitha dozat e parapara të vaksinës anti-Covid, si mënyrë e duhur për të përballuar pandeminë Covid-19.
Drejtoria për Shëndetësi bashkë me menaxhmentin dhe të gjithë punëtorët shëndetësorë të QKMF-së, mbeten të përkushtuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët.