Lajme
Policia në Vushtrri ndihmon qytetarët që kishin mbetur të bllokuar nga bora në fshatin Kurillovë
- 08/02/2022
- By RTV Mitrovica
Mbrëmë gjatë natës Policia në Vushtrri, ka ndihmuar disa qytetarë që kishin mbetur të bllokuar nga bora në fshatin Kurillovë.
Në njoftimin e policisë thuhet se rreth orës 03:00, të datës 8 shkurt 2022, policia kishte pranuar një informacion se pesë persona me veturën e tyre kanë mbetur të bllokuar nga bora në rrugën e fshatit Kurillovë të Vushtrrisë.
Njësitet policore, menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Kurillovë që gjendet në një zonë malore dhe një largësi të konsiderueshme nga qyteti i Vushtrrisë. Për shkak të kushteve atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme të borës, gjatë rrugës kanë hasur vështirësi për t’ qarkulluar më tutje.
Për të arritur në lokacionin ku ndodhej vetura dhe personat, policia ka ftuar kompaninë për mirëmbajtjen rrugëve që të hapë rrugën, më pas policia kanë arritur t’i gjejnë personat të cilëve u ka ndihmuar të kthehen në qytetin e Vushtrrisë.
“Policia, mbetet e përkushtuar të shërbej dhe t’u dalë në ndihmë qytetarëve në çdo kohë dhe rrethanë,” thuhet në njoftimin e policisë.