Lajme
Policia e Kosovës gjen armë, municion dhe pajisje ushtarake në Leposaviq
- 23/12/2025
- By RTV Mitrovica
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Komunën e Leposaviqit, në dy raste të ndara, ka gjetur dhe konfiskuar armë, municion dhe pajisje ushtarake.
Rasti i parë ka ndodhur më 19 dhjetor 2025, në fshatin Rvatska, ku gjatë patrullimit, zyrtarët policorë kanë gjetur armë dhe municion në një shtëpi të pabanuar. Ndër sendet e sekuestruara janë armë zjarri, fishekë dhe pajisje të ndryshme. Pas veprimeve shtesë hetimore, janë gjetur edhe pajisje tjera ushtarake. Në këtë rast nuk ka persona të arrestuar dhe hetimet janë duke vazhduar.
Rasti i dytë ka ndodhur më 20 dhjetor 2025, në fshatin Veacev të Komunës së Leposaviqit. Gjatë kontrollit në një shtëpi, Policia ka gjetur armë, municion dhe mjete shpërthyese, ndërsa një person i dyshuar është arrestuar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit penal, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Në të dy rastet, Policia ka iniciuar raste penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.