Lajme
Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Koshtovë
- 27/02/2024
- By RTV Mitrovica
Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Koshtovë
Sot është bërë përurimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Koshtovë, pas ndërtimit të objektit përmes buxhetit të Komunës së Mitrovicës.
Me rastin e përurimit, morën pjesë kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, kryesuesja e Kuvedit të Komunës, znj. Vesa Broja, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z. Fahri Shabani, drejtori i QKMF-së, z. Fevzi Sylejmani, drejtorë të drejtorive komunale, asamblistë, staf mjekësor dhe qytetarë të fshatit Koshtovë.
Më këtë rast, kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, tha se është kënaqësi që po përurohen punë të mira, sidomos në sektorin e shëndetësisë.
“Kjo është qendra e 9-të shëndetësore e ndërtuar apo renovuar në qytetin tonë për këto 2 vite, duke i’u shtuar qendrave tjera të mjekësisë në qytetin e Mitrovicës.
Shëndetësia është transformuar ashtu siç kam premtuar” është shprehur kryetari Hamza.
Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë, z. Fahri Shabani, shtoj se kjo qendër është e standardeve bashkëkohore dhe do të ofrojë të gjitha shërbimet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor:
shërbimet e mjekësisë familjare, infermierisë, stomatologjisë, analizat laboratorike si dhe shërbimet e edukimit shëndetësor dhe promovimit të shëndetit.