Lajme

Përmbyllet festivali “Mitrovica Guitar Days”

  • 17/10/2022
  • By RTV Mitrovica
Share

Përmbyllet festivali “Mitrovica Guitar Days”

Ditë më parë është përmbyllur festivali tradicional “Mitrovica Guitar Days”, i cili për disa netë rresht ka sjellë në qytetin e Mitrovicës kitaristë ndërkombëtar dhe vendor, koncerte dhe master klasa nga kitaristë të ndryshëm.

Ky festival është mbajtur në sallën e muzeut të qytetit, ku të pranishëm ishin ministri i Ministrisë së Kulturës, Hajrulla Qeku, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, zëvendës ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Alyson Grunder, drejtori i festivalit, Erhan Mujka, studentë, artistë dhe shumë artdashës.

Në fjalën e saj drejtoresha, Valdete I drizi, ka theksuar se si komunë ndihen të lumtur që e kanë përkrahur festivalin “Mitrovica Guitar Days”, dhe që janë partnerë në këtë festival tradicional.

“Jemi ndër komunat e rralla, mos të them e vetme që prioritetin e dytë krahas me arsimin, e kemi kulturën, sepse besojmë se një qytet zhvillohet duke e zhvilluar kulturën e sidomos një qytet me traditë të kulturës si në muzikë klasike, rok jazz dhe në të gjitha fushat e tjera. Artistët padyshim janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë e ne si Mitrovicë kemi shumë”, ka thënë drejtoresha Idrizi.

Festivali i cili ishte i hapur me datat 6- 12 tetor ka filluar me performancën e mrekullueshme të kitaristit me renome botërore, Aniello Desiderio i cili për publikun ofroi një program të pasur artistik, ndërsa gjatë netëve tjera kanë përformuar edhe kitaristë tjerë të mirënjohur.