Lajme
Përkujtohet Epopeja e Melenicës dhe heroi kombëtar Shemsi Ahmeti në 23 vjetorin e rënies së tij
- 26/04/2022
- By RTV Mitrovica
Përkujtohet Epopeja e Melenicës dhe heroi kombëtar Shemsi Ahmeti në 23 vjetorin e rënies së tij
Në 23 vjetorin e vrasjes nga forcat kriminale serbe, në Mitrovicë është përkujtuar Heroi i Kosovës, Shemsi Ahmeti, i njohur si komandant Shemi, si dhe bashkëluftëtarët e tij që kanë rënë në të njëjtën ditë në Betejën e Melenicës, me 26.04.1999, Enver Musa, Shemsi Isrefi, Faruk Beqiri, Sokol Preteni, Esat Meholli, Qazim Cimili.
Në këtë përvjetor, përfaqësuesit komunal së bashku me familjarë e bashkëluftëtarë të heroit, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë, kanë bërë homazhe pranë varrit të heroit Shemsi Ahmeti dhe në varrezat e dëshmorëve në Shipol ku janë vendosur buqeta me lule të freskëta.
Nga të pranishmit është vlerësuar lartë vepra dhe sakrificën e heroit Shemsi Ahmeti, i cili me besnikëri i shërbeu atdheut dhe ishte protagonist i pothuajse të gjitha betejave që janë zhvilluar në Zonën Operative të Shalës, përfshirë këtu edhe Betejën e Melenicës e cila njihet si njëra ndër betejat më të lavdishme të luftës së UÇK-së, dhe paraqet kulmin e epopesë së madhe shaljane, ku plotë 46 ditë me radhë u luftua me forcat serbe.