Lajme

Përfundojnë dëgjimet buxhetore për planifikimin e buxhetit për vitet 2024-2026

  • 24/07/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Përfundojnë dëgjimet buxhetore për planifikimin e buxhetit për vitet 2024-2026

Të premten, kanë përfunduar dëgjimet buxhetore me qytetarë të mbajtura në Komunën e Mitrovicës.

Këtë vit, me vendim nga ana e kryetarit është formuar edhe grupit punues për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore 2024-2026, të cilët kanë hartuar orarin e dëgjimeve buxhetore për planifikim të buxhetit për vitet 2024-2026.

Në komunën e Mitrovicës janë mbajtur nëntë dëgjime buxhetore, katër prej tyre janë mbajtur në fshatrat Shupkovc, Kçiq, Rahovë dhe Koshtovë, ndërsa pesë prej tyre janë mbajtur në sallën e kuvendit komunal.

Në këto takime kanë marr pjesë drejtor të drejtorive komunale, administrator të vendbanimeve, përfaqësues të lagjeve dhe qytetarë.

Fillimisht, në këto dëgjime, përfaqësuesit komunal, kanë shpalosur synimet e komunës për buxhetin e vitit 2024 dhe planifikimin për vitet 2025 dhe 2026, dhe kanë treguar për projektet që do të zhvillohen në lokalitetet e tyre, ndërsa të gjithë të pranishmit janë pajisur me materialet informuese të projekteve kapitale që janë planifikuar të realizohen gjatë viteve në vazhdim në lokalitetet e tyre.

Dëgjimet buxhetore janë mbajtur me këtë rend dite: informata e përgjithshme lidhur me buxhetin komunal 2024-2026, lista e investimeve kapitale dhe kërkesat e banorëve.

Drejtoria për Buxhet dhe Financa, si bartëse e këtyre dëgjimeve ka dhënë një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e vazhdueshëm të buxhetit vjetor komunal, ku Granti i Përgjithshëm për vitin 2024 do të jetë në shumën prej 10,856,773.00 €, Granti Specifik për Arsim në vitin 2024 për Komunën e Mitrovicës arrin vlerën 10,423,447.00 €, Granti Specifik për Shëndetësi Primare për vitin 2024 është aprovuar në shumën prej 3,615,481.00 €, Projeksioni për të Hyrat Vetanake 2024 arrin vlerën prej 3,288,174.00 €, Financimi për Teatrot, sipas Qarkores 2024/01 Komuna e Mitrovicës ka përfituar nga Komisioni i Grandeve shumën prej 224,635.00 € kurse Financimi për Shërbime Rezidenciale, Komuna e Mitrovicës për vitin 2024, do të përfitoj 382,500.00 €.

Në dëgjimet buxhetor kanë qenë të ftuar rinia, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, përfaqësues të arsimit para universitar, sportit, komuniteteve, gratë dhe vajzat, biznese si dhe përfaqësues nga shëndetësia primare.

Qëllimi i mbajtjes së këtyre dëgjimeve buxhetore nga ana e komunës është që të shpalosin para qytetarëve procedurën e shpërndarjes së parasë publike, ndërsa nga qytetarët të marrin kërkesat e tyre për projektet që janë në interes të vendbanimeve ku ata jetojnë.

Të pranishmit në këto takime buxhetore kanë dhënë rekomandimet e tyre, kërkesat dhe projektet që janë me interes të përgjithshëm të kryhen në vitin e ardhshëm e që janë me interes për komunitetin ku ata jetojnë.

Kujtojmë se buxheti i Komunës për vitin 2024 do të jetë mbi 28 milion, kurse për investime kapitale për realizimin e projekteve do të jenë mbi 6 milion.