Notice: Undefined property: WP_Error::$parent in /home/rtvmitrovica/public_html/app/uploads/cache/6ab6f7716a7631e82bc51722d4d2e2a6267eb261.php on line 14
Gratë
Pak gra që flasin në medie – shkak diskursi i ashpër në të cilin zhvillohet debati publik
- 13/05/2024
- By RTV Mitrovica
Ofendimet dhe sulmet verbale të cilat shoqërojnë debatet publike janë arsye pse gratë në të shumtën e rasteve refuzojnë të marrin pjesë në to.
Nga: Majlinda Brahimi
“Numri i grave që flasin për probleme në shoqërinë tonë është i vogël për faktin se ambienti në të cilin zhvillohet diskutimi publik është shumë i ashpër” kështu tha profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës Alban Zeneli, duke komentuar për balancin ndërmjet grave dhe burrave në raportimet e mediave.
Edhe aktivistja nga Mitrovica Neri Ferizi ka thënë se linqimet që u bëhen grave në paraqitje të ndryshme publike dhe ambienti toksik në të cilin zhvillohet debati janë arsye pse gratë shpesh hezitojnë të marrin pjesë në to. “Sepse ose duhet me u bë pjesë e qëti diskursi agresiv ose duhet me nejtë anash, e që po mendoj gratë e kanë zgjedhë me të drejtë me qëndru pak anash edhe me u largu prej këtij diskursi.”
Të vogla konsiderohen edhe përpjekjet e vetë medieve për të përfaqësuar zërin e grave.
Hapësirat, temat e diskutimet për çështje “të rëndësishme”, në medie, duket se u lihen vetëm burrave. Edhe atëherë kur gratë ftohen, qasja ndaj tyre nuk është e barabartë me burrat thot Alba Ajdarevikj nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, që aktualisht udhëheq projektin “Raportimi i ndjeshëm gjinor”. “Shumë shpesh shohim në debate televizive apo lidhur me çfarëdo çështje politike apo sociale kemi vetëm një grua si folëse ose asnjë, ose edhe ato që janë e shohim që gazetarët kanë një qasje më ndryshe ndaj grave në krahasim me burrat. U jepet pak hapësirë në media për të folur për të shprehur mendimin, edhe mirren parasyshë pak gra eksperte për qështje të ndryshme, dhe e kemi këtë tendencën që me i marrë si më korrekte informatat që i marrim prej burrave ekspert edhe jo nga gratë eksperte.”
Ofendimet dhe sulmet verbale të cilat shoqërojnë debatet publike janë arsye pse gratë në të shumtën e rasteve refuzojnë të bëhen pjesë e përmbajtjeve mediale. Kësisoji edhe raportimi i balancuar gjinor del të ketë mangësi. Derisa organizatat e shoqërise civile bëjnë thirrje për përfshirjen e perspektivës gjinore në raportim, për gazetarët sfidë paraqet edhe fakti që funksionet kryesore në institucione udhëhiqen nga burrat.
Në lidhje me këtë temë Radio Mitrovica ka përgatitur një radio storie e cila do të transmetohet nesër (14.05.2024) në ora 16:00 dhe do të ritransmetohet të mërkurën më 15.05.2024. Radio Mitrovicën mund ta dëgjoni edhe online duke klikuar këtu.
Prodhimi dhe publikimi i kësaj storie është mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të janë të pjesëmarrësve e të autorit dhe nuk pasqyrojnë medoemos pikëpamjet e OSBE-së.