Lajme
Nexhmedin Spahiu: zëri që s’e zë heshtja!
- 26/05/2025
- By RTV Mitrovica

Në kohë kur zërat shpesh humbin në zhurmën e fjalëve boshe, kur mendimi i pavarur bëhet viktimë e linçimit publik, dhe kur atdhetaria ngatërrohet me protagonizmin e zbrazët, figura e Nexhmedin Spahiut qëndron si një referencë e qartë dhe e patjetërsueshme në mendimin publik shqiptar. Jo sepse ai është i përsosur, pasi ka edhe ai kusuret e veta, por sepse është i guximshëm, i qëndrueshëm dhe i palodhur në përkushtimin e tij për të thënë të vërtetën – pa frikë, pa kalkulim, pa servilizëm. Le ta argumentojnë tjerët të kundërten, me linçu me të kundërtën me argumente.
Spahiu është një nga mendimtarët më të thellë të kohës sonë. Ai nuk është vetëm analist politik – është një shpjegues i përhershëm i dilemave të mëdha që rrethojnë kombin shqiptar, pavarësisht a e kuptojne “analistët” e studiove apo edhe publiku i gjerë.
Ka folur kur shumica kanë heshtur për shumë çështje të ndijshme në sfera të ndryshme. Ka paralajmëruar kur të tjerët kanë pasur frikë të mendojnë. Ka debatuar edhe me çmimin e përjashtimit, vetëm që të ruajë integritetin e tij dhe të mbrojë çështjen e Kosovës.
Nuk është rastësi që emri i tij lidhet me temat më delikate për të ardhmen e shqiptarëve – nga rreziku i ndarjes së Kosovës, te koncepti i kombit kosovar, nga çështjet e kufijve, deri te përballja me Serbinë në nivel idesh dhe debatesh.
Për disa, këto janë qëndrime të diskutueshme; për të, janë bindje të argumentuara, të studiuara dhe të mbështetura në përgjegjësi kombëtare.
Sot, në kohën kur takimi i tij me një ministër serb bëhet lajm linçimi dhe jo reflektimi, kur patriotizmi ngatërrohet me zhurmën dhe sherri merr status të virtytit, duhet të ndalemi dhe të mendojmë: A e dimë vërtet kush janë njerëzit që kanë mbrojtur vendin tonë në rrethana të vështira? A i kemi dhënë vlerësimin e duhur mendjes, dijes, dhe atyre që janë vënë në shërbim të kombit pa pritur dekorata?
E vërteta është se Spahiu ka kontribuuar me mendje e me penë, pa asnjë pushtet, pa ndonjë privilegj. Ai nuk e ka pasur “bishtin e zënë me derë”, prandaj ka mundur të flasë lirshëm. Dhe kur flet një njeri i lirë, edhe armiku dëgjon ndryshe.
Në çdo kohë, shoqëritë e forta kanë nevojë për mendje të lira. Kur një shoqëri fillon të sulmojë intelektualët e vet për idetë që nuk i pëlqejnë, atëherë ajo shoqëri rrezikon të mbetet pa dritë në rrugën e saj. Sepse, në fund të fundit, nuk është me rëndësi të biem dakord me gjithçka që thotë dikush – rëndësi ka të mos e mbyllim gojën që na e zgjon ndërgjegjen.
Në emër të kësaj ndërgjegjeje kombëtare, sot duhet ta themi me bindje: Spahiu edhe disa tjerë që fatkeqësisht janë pak, janë një pasuri mendore e Kosovës dhe e mbarë kombit shqiptar. Një intelektual që s’e ndërroi mendimin për privilegj dhe as nuk e ndërroi drejtimin për hir të turmës. Në një shoqëri të sëmurë nga zhurmat, ai është një fjalë që vlen të dëgjohet.
Sepse, në fund, kombet nuk mbahen vetëm me flamuj, por edhe me mendje që e dinë pse dhe për çfarë duhet ngritur ai flamur. /tesheshi.com/