Lajme
Në nderim të Erion Kajtazit, fusha sintetike në Mitrovicë emërohet me emrin e tij
- 30/12/2022
- By RTV Mitrovica
Fusha sintetike afër Liqenit Akumulues në Mitrovicë, do të mbajë emrin e futbollistit Erion Kajtazi, ish lojtarit të KF “Trepça 89”, që vdiq para disa ditësh gjatë një ndeshje futbolli.
Në një ceremoni të organizuar me këtë rast, përveç drejtuesve të komunës, të “Trepçës 89”, familjarëve e qytetarëve të tjerë, mori pjesë edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi.
Ndarjen e hershme nga jeta të futbollistit të talentuar Erion Kajtazi, e quajti dhimbje të madhe për të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe komunitetin sportive, nënkryetari i Komunës Arian Tahiri.
“Erion Kajtazin me krenari gjithmonë do ta kujtojmë si një djalë të sjellshëm, të talentuar dhe me potencial i cili do jetë model dhe simbol për gjeneratat e reja,” tha Tahiri. “Kujtimi për të do mbetet i përjetshëm, ngase nga sot fusha sintetike do të mbaj emrin e tij”, përfundoi ai.
Erioni vdiq para disa ditësh nga një arrest kardiak gjatë një ndeshje futbolli.