Lajme

Në Mitrovicë u mbajt konferenca “Të mbijetuarat e kancerit më të Fuqizuara dhe të Zëshme”

  • 10/10/2024
  • By RTV Mitrovica
Share

Në Mitrovicë u mbajt konferenca “Të mbijetuarat e kancerit më të Fuqizuara dhe të Zëshme”

Në ambientet e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” sot është mbajtur konferenca me temën “Të mbijetuarat e kancerit më të Fuqizuara dhe të Zëshme”.

Kjo konferencë është organizuar nga organizata “Center for Education and Community Development Friends” në partneritet me Komunën e Mitrovicës, respektivisht Drejtorinë e Shëndetësisë.

Në këtë organizim morën pjesë kryetari i komunës, z.Bedri Hamza, kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj.Vesa Broja, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z.Fahri Shabani, drejtorë të drejtorive tjera komunale, përfaqësues të organizatës “Center for Education and Community Development Friends”, znj. Vildane Goga, onkologe, znj. Albulena Rrustemi-Kurti, psikologe, z. Fatbardh Rexha, kirurg i përgjithshëm, personeli shëndetësor i QKMF-së “Dr.Nexhat Çuni”, si dhe pjesëmarrës tjerë.

Në fjalën e tij kryetari i komunës, z.Bedri Hamza, tha se muaji tetor është muaj kur shprehim solidaritetin tonë për të gjithë të prekurit nga kanceri i gjirit dhe bëjmë përpjekje për t’i ndërgjegjësuar të gjithë, sepse potencialisht të gjithë mund të preken nga kjo sëmundje

“Megjithatë, marrja e masave për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje është faktor esencial për trajtimin e suksesshëm të saj, duke përfshirë këtu edhe vetëdijesimin dhe masat parandaluese si forma më e mirë për t’i luftuar sëmundjet dhe për ta mbrojtur shëndetin publik”, është shprehur kryetari z.Hamza.

Gjithashtu kryetari z.Hamza theksoi se të prekurit duhet ta ndjejnë më shumë përkrahjen e shtetit, me kujdes të shtuar shëndetësor, me sigurime shëndetësore dhe ndihmesa shtesë përmes këshillimeve profesionale psikologjike.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z.Fahri Shabani, potencoi se mjekët familjarë dhe infermierët e mjekësisë familjare kanë rol të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në edukimin e pacientëve rreth rrezikut për kancerin e gjirit, faktorëve të parandalimit dhe rëndësisë së kontrolleve të rregullta.