Lajme

Në Mitrovicë shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara

  • 03/12/2021
  • By RTV Mitrovica
Share

Në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nëna Terezë” në Mitrovicë, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, me ç’ rast drejtori së bashku me stafin dhe nxënësit e kësaj qendre kanë organizuar një aktivitet simbolik për nder të kësaj dite.

Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, udhëheqësi i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, Fitim Rama, drejtoresha Rajonale e Policisë në Mitrovicë, Afërdita Mikullovci, drejtorë nga shkolla fillore të mesme të ulëta, si dhe familjarë e qytetarë tjerë.

Fillimisht fjalën e mori, drejtori i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nëna Terezë”, Hajdar Shyti, i cili falënderoi gjithë stafin e qendrës për punën e tyre të palodhshme, dhe për arsimimin cilësor për të gjithë nxënësit pa dallim race, gjinie, etnie apo feje.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, me rastin e shënimit të kësaj dite uroj të gjithë të pranishmit, duke thënë se Komuna e Mitrovicës është e interesuar dhe do të jetë e hapur çdo herë të ndihmoj këtë kategori me kushte më të mira për jetë.
Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, fëmijët e Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim para të pranishmëve shfaqën një program kulturor- artistik për të ngritur vetëdijen e qytetarëve që kjo kategori duhet të gëzoj të drejta të barabarta si të gjithë fëmijët anë e kënd botës.