Lajme
Në Mitrovicë po mbahet “GlobalMusica Fest”
- 22/06/2022
- By RTV Mitrovica
Shoqata e Muzicientëve të Mitrovicës, me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe në partneritet të Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko”, kanë organizuar në Mitrovicë “GlobalMusica Fest”.
Sipas organizatorëve qëllimi I këtij evenimenti është të krijoj e të u jap mundësi për tu angazhuar njerëzve të artit muzikor, të cilët duan të shpalosin aftësitë e tyre, por edhe të fitojnë njohuri dhe të fillojnë një jetë të re artistike, e pse jo edhe një karrierë me shumë suksese në të ardhmen.
Drejtoresha e për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka përgëzuar Shoqatën e Muzicientëve të Mitrovicës për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në organizimin e këtij eventi, duke shfaqur talentin e fëmijëve të vegjël, të cilët padyshim i vlerësoi si ambasadorët më të mirë të qytetit tonë.
“Si komunë jemi të përkushtuar që ti mbështesim të gjithë talentët e qytetit pa dallim, në mënyrë që të rikthehet sharmi i kulturës dhe zhvillimi i qytetit”, ka shtuar Idrizi.
“GlobalMusica Fest” ka filluar mbrëmë dhe do të zgjasë tri ditë (21-23 qershor).
Eventi I mbrëmshëm i është dedikuar fëmijëve- artistëve të vegjël/ GlobalMusica Kids dhe Artistëve të Ri / GlobalMusica Junior – nxënës të shkollave të muzikës. Mbrëmja e dytë e datës 22 qershor do të ketë performancë Recital Pianistik dhe Kompozicional me të ftuar special dhe në mbrëmjen e tretë të datës 23 qershor do të prezantohen profesionistë – GlobalMusica Artist.