Lajme
Në Mitrovicë nis aksioni për largimin e deponive ilegale
- 20/11/2024
- By RTV Mitrovica
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Arian Tahiri, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje të Mjedisit, z. Egzon Sadiku, inspektuan largimin e disa deponive të mbeturinave në qytet, në kuadër të një aksioni të gjerë për pastrimin e qytetit dhe eliminimin e deponive ilegale.
Gjatë inspektimit, u larguan deponitë në rrugën “Ali Zeneli”, në lagjen Bair tek “Tjegullorja” dhe në rrugën “Ibrahim Popovci”. Ky aksion është vetëm fillimi, pasi gjatë kësaj jave do të largohen edhe deponitë në disa lokacione të tjera të qytetit.
Me këtë rast, nënkryetari Tahiri iu bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të kontribuojnë në mbajtjen e qytetit të pastër, duke hedhur mbeturinat vetëm në vendet e caktuara.
Komuna e Mitrovicës është e angazhuar për një qytet më të pastër në përmbushjen e standardeve të larta mjedisore, dhe kërkon bashkëpunim nga të gjithë për një Mitrovicë me një ambient sa më të pastër.