Lajme
Mitrovicë, vihet gurthemeli i objektit të ri të QKMF-së
- 19/08/2022
- By RTV Mitrovica
Sot në Mitrovicë është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Komunës së Mitrovicës dhe Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryetari i komunës, Bedri Hamza, drejtuesi i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, hoxhë Halil Kastrati, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, përfaqësues komunal, përfaqësues të QKMF-së, donator dhe përfaqësues të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka falënderuar shoqatën ”Jetimat e Ballkanit, të përfaqësuar nga hoxhë Halil Kastrati, dhe të gjithë donatorët e tjerë të cilët mundësuan realizmin e këtij projekti, ku falë bashkëpunimit të shkëlqyer Mitrovica do të bëhet me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare më moderne në rajon.
“Falënderoj mikun tim, mikun e Kosovës dhe mikun e të gjitha trojeve shqiptare, hoxhë Halil Kastrati, i cili nuk hezitoj në asnjë moment ndërtimin e këtij objekti primar të shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës. Po ashtu shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë punëtoret shëndetësorë për kontributin dhe punën e tyre të jashtëzakonshme për ofrimin e shërbimeve sa më të mira shëndetësore për qytetarët e Mitrovicës.”, është shprehur z. Hamza.
Hamza shtoi se ky është investimi më i madh që ka ndodhur në Mitrovicë në sektorin e shëndetësisë në vlerë prej afër 4 milion euro dhe investime të tilla do të ketë në vazhdimësi, ku një renovim kapital do të bëhet edhe për pesë ambulanta shëndetësore.
Ndërsa Hoxhë Halil Kastrati, ka shuar se ndihet jashtëzakonisht i emocionuar, sepse ky është projekti i dytë më i rëndësishëm pas “Shtëpisë së të Moshuarve” në Gjinoc, duke falënderuar të gjithë njerëzit human që mundësuan realizimin e këtij projekti.
Pas prezantimit të projektit të ndërtesës së Qendrës Kryesore te Mjekësisë Familjare, dhe nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, kryetari i komunës, Bedri Hamza dhe hoxhë Halil Kastrati, zyrtarisht edhe kanë bërë vënien e gurthemelit për ndërtesën e re të QKMF-së.