Lajme
Mitrovicë: U mbajt akademi përkujtimore në kujtim të veteranit të luftës Eset Ujkani
- 13/12/2021
- By RTV Mitrovica
Me rastin e një vjetorit të vdekjes së ish veteranit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish asamblistit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Eset Ujkani, në Qendrën e Kulturës ”Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër është mbajtur akademi përkujtimore.
Kjo akademi është mbajtur nën patronazhin e kryetarit të komunës, Bedri Hamza, në bashkëpunim me organizatat e dalura nga lufta e UÇK-së së OVL-së, ku të pranishëm ishin kryetari i komunës, Bedri Hamza, nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Vesa Broja, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Haxhiu, komandantët, Jakup Nura, Enver Oruqi dhe Gani Lahu, përfaqësues të institucioneve lokale, familjarë të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës si dhe qytetarë tjerë.
Në emër të organizatës së OVL e UÇK-së para të pranishmëve foli Bahtir Maxhuni, i cili tha se nga gjaku i dëshmorëve të kombit erdhi rruga e lirisë, liri kjo e shumëpritur për vendin tonë.
“Për ne të gjallët ka vetëm një rrugë nëpër të cilën ecën historia e lirisë, ajo është rrugë e gjakut të dëshmorëve të kombit, si dhe rruga e veteranit të UCK-së, të cilët në kthesën e madhe historike, ishin të gatshëm të falin gjakun e tyre për ardhje të lirisë”, tha z.Maxhuni.
Ndërkaq në fjalën e tij, kryetari i komunës, Bedri Hamza, theksoi se në këtë tubim janë mbledhur për të përkujtuar një atdhetar dhe veprimtar të devotshëm të qytetit të Mitrovicës, i cili një vit më parë u nda fizikisht nga ne në një kohë të vështirë kur vendi ynë po përballej më pandeminë globale Covid-19.
“Të flasësh për një figurë siç ishte Eset Ujkani për mua si kryetar i komunës së Mitrovicës është një nder e privilegj, sepse kontributi i tij ka qenë jashtëzakonisht i madh. Eseti ka qenë dhe do të mbetet ikonë e historisë së vendit tonë, për kontributin e tij në përpjekjet për çlirimin dhe bashkimin kombëtar”, shtoi ndër të tjerash kryetari Hamza.
Në emër të familjes Ujkani, për një fjalë rasti iu drejtua vajza e të ndjerit Marigona Ujkani, e cila pasi i përshëndeti të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë akademi, tha se babi i saj përveç që nga shokët e tij është vlerësuar si një atdhetar i devotshëm, ai ishte edhe një familjar shembullor.
Po ashtu gjatë këtij tubimi kanë folur edhe disa nga bashkëpunëtorët e të ndjerit Esetit si dhe përfaqësuesi i fshatit prej nga i ndjeri vinte, të cilët e kanë vlerësuar si një patriot dhe atdhetar i pashoq.
Para fillimit të kësaj akademie janë bërë nderime dhe homazhe në varrezat e të merituarve në Shipol të Mitrovicës.