Lajme

Mitrovicë: Shënohet 40 vjetori i shkollës fillore “Migjeni”

  • 12/10/2023
  • By RTV Mitrovica
Share

Me një ceremoni të mbushur me emocion, shkolla fillore “Migjeni” në qytetin e Mitrovicës shënoi 40-vjetorin e saj.

Në këtë ceremoni morën pjesë nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Vesa Broja, drejtoresha e DKA-së, znj. Drita Kadriu, drejtor të drejtorive komunale, asamblistë, drejtori i shkollës fillore “Migjeni”, z. Luan Mehmeti, drejtorë të shkollave, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.

Shkolla fillore “Migjeni” ka një histori të pasur dhe një rol të rëndësishëm në arsimimin e brezave të rinj në Mitrovicë. Emri i saj është një burim krenarie për komunitetin lokal, dhe shkolla është një pjesë e rëndësishme e identitetit të qytetit. Në këtë ceremoni, shkolla u nderua dhe u falënderua për kontributin e saj në edukimin e brezave të rinj.


Në fjalën e tij, nënkryetari i komunës, z. Arian Tahiri, ka uruar shkollën në këtë ditë të veçantë, me ç ‘rast shprehu gatishmërinë e komunës për të mbështetur shkollën me projekte të reja dhe për të ndihmuar në zhvillimin e saj të ardhshëm.

Më tutje ai ka shtuar se qeverisja lokale që nga fillimi ka pasur prioritet fushën e arsimit dhe në vazhdimësi janë realizuar investime në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Drejtoresha e DKA-së, znj. Drita Kadriu, u përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi kontributin e shkollës “Migjeni” në arsimimin dhe formimin e nxënësve. Ajo theksoi rëndësinë e arsimit për të ardhmen e qytetit dhe vendit.