Lajme
Mitrovicë: Kryetari Hamza mbajti takimin publik me qytetarë
- 29/12/2021
- By RTV Mitrovica
Bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale Nr.03/L-040 dhe Statutin e Komunës, Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka mbajtur takimin publik me qytetarë për vitin 2021.
Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të qytetit, përfaqësues të organizatave rinore, shoqërive civile si dhe qytetarë të tjerë.
Kryetari Hamza fillimisht ka përshëndetur të pranishmit duke theksuar se është mirënjohës ndaj të gjithë qytetarëve për votën dhe besimin e dhënë që të jetë në krye të komunës së Mitrovicës duke u zotuar se do të punojë me përgjegjësi të plotë për të gjithë qytetarët pa dallime etnike dhe partiake.
“Besimi i mitrovicasve është i shenjtë për mua dhe do të bëj çmos që kurrë të mos zhgënjehen. Unë dhe ekipi im me vendosmëri dhe përgjegjësisë institucionale do t’i mbroj interesat e juaja dhe të komunës sonë duke siguruar llogaridhënie dhe transparencë të plotë ”, theksoj kryetari Hamza.
Më tutje kryetari Hamza ka shtuar se aktualisht komuna sa i përket gjendjes financiarë nuk qëndron mirë, ndonëse një gjendje të tillë nuk e ka pritur, ku obligimet e papaguara janë afër 4 milion euro ndërsa nëse përfshihen edhe obligimet tjera nga proceset gjyqësore borxhet e papaguar arrijnë vlerën deri në 10 milion euro.
Gjatë këtij takimi kryetari Hamza, ka prezantuar edhe drejtorët e drejtorive komunale, duke i vlerësuar për integritetin e tyre dhe përgatitjen e duhur profesionale.
Të pranishmit në takim, kanë uruar kryetarin Hamza në marrjen e detyrës për të udhëhequr me Komunën e Mitrovicës me dëshirën që projektet e parapara nga planprogrami të realizohen nga qeverisja lokale.
Po ashtu nga ana e qytetarëve janë parashtruar pyetje dhe janë adresuar kërkesa të cilat kryesisht kishin të bënë për lehtësimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në Mitrovicë.
Ndërsa të gjitha pyetjeve dhe kërkesave të qytetarëve ju është përgjigjur, kryetari i komunës, Bedri Hamza.