Lajme
Mitrovicë: Komuna pezullon përkohësisht vendimin për pushim të dielave
- 15/12/2023
- By RTV Mitrovica

Foto: Amir Kelmendi
Nga sot (15 dhjetor) e deri më 15 Janar 2024, subjektet afariste në Mitrovicë mund të punojnë edhe të dielave sipas orarit të rregullt të ditëve të punës.
Vendimi për pezullimin e përkohshëm të rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së veprimtarive afariste u mor nga kryetari i komunës Bedri Hamza.
“Duke marrë parasysh festat e fundvitit dhe ardhjen e një numri të madh të mërgimtrëve, kryetari i komunës z. Bedri Hamza, në bazë të rregullores nr.09/2023 për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores nr.07/2023 për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës se veprimtarive afariste dhe veprimtarive tjera në Komunën e Mitrovicës së Jugut pezullon përkohësisht zbatimin e dispozitave të kësaj rregullore të cilat ndalojnë punën ditën e diel. Bazuar në vendim të kryetarit Hamza, dita e dielë do të jetë ditë pune sipas orarit të rregullt të ditëve të punës.Pezullimi i këtyre dispozitave bëhet nga data 15.12.2023 deri më 15.01.2024, ” thuhet në një njoftim të Komunës së Mitrovicës.