Lajme

Mitrovicë: ekzekutohen mjetet për subvencionim e barnave dhe trajtimeve mjekësore për 400 qytetarë

  • 20/04/2024
  • By RTV Mitrovica
Share
Foto ilustrim

 

Komisioni i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, ka shqyrtuar mbi 1200 kërkesa të qytetarëve, të cilët kanë aplikuar për ndihmë financiare për shpenzimet për barna dhe trajtime mjekësore.

Bazuar në Rregulloren Komunale për ndarjen e Subvencioneve dhe Granteve, Komisioni ka aprovuar 983 kërkesa të cilët kanë plotësuar kriteret e përcaktuara nga kjo rregullore.

“Sot janë ekzekutuar mjetet financiare për 400 qytetarë përfitues në vlerën totale prej 43,000.00 euro. Ndërsa për 583 qytetarë të tjerë përfitues ekzekutimi i mjeteve në vlerë totale 57, 000 euro do të realizohet në javët e ardhshme, sipas radhës së aplikimit,” kanë bërë të ditur nga Komuna e Mitrovicës.

Prioritet kanë pasur qytetarët me sëmundje kanceroze dhe sëmundje tjera të rënda si dhe qytetarët në asistencë sociale e që janë diagnostikuar me sëmundje të ndryshme.

“Shpresojmë se këto mjete sa do pak do t’i ndihmojnë qytetarët që janë në nevojë,” ka thënë Drejtori për Shëndetësi në Komunë, Fahri Shabani, ndërsa tha se numri i qytetarëve që kanë nevojë për mbështetje financiare për shpenzime mjekësore është i madh.

Mjetet në vlerë totale prej 100 000 euro janë siguruar nga kategoria e subvencioneve e buxhetit komunal për shëndetësi, për vitin 2024 dhe vijnë nga të hyrat vetanake të Komunës së Mitrovicës.